Ushqim për besnikërinë tonë

Korrik 2026


Fjala e Zotit nuk kthehet bosh, por vadit dhe e kryen plotësisht qëllimin e vet (Isaia 55).

Ne nuk e dimë se kur do të përmbushen qëllimet e Perëndisë. Ne nuk e dimë nëse qëllimi i Perëndisë është ngurtësimi i zemrës apo zbutja e saj. Mirëpo ne duhet të kemi siguri të plotë se puna jonë për Fjalën nuk ikën kurrë kot. Asnjë predikim besnik, asnjë studim Bible, asnjë kohë e kaluar me Fjalën në lutje bashkë me fëmijët e tu, asnjë varg i mësuar përmendsh, asnjë vepër e Fjalës nuk shkon kot.

Përse duhet të vazhdojnë misionarët të punojnë në vendet më të vështira të botës, duke pasur pak ose aspak sukses? Për shkak se janë të sigurt që Perëndia ka një popull për vete nga çdo fis e gjuhë, nga çdo komb dhe popull, prandaj qëndrojnë.

Sovraniteti hyjnor – ai i llojit të reformuar – është një nga motivuesit më të mëdhenj të misionit. Pali thotë se i duroi të gjitha për hir të të zgjedhurve (II Timoteut 2:10). John Newton-i i shkroi një letër të përnderuarit Thomas Jones, ku deklaronte: “Nëse nuk do të isha kalvinist, mendoj se do të kisha po aq shpresë për predikimin ndaj njeriut sa do të kisha po t’u predikoja kuajve dhe lopëve.” Sovraniteti hyjnor nuk duhet të na bëjë përtacë. Duhet të na bëjë ta duam vuajtjen.

Një nga kundërshtimet më të zakonshme të doktrinës së paracaktimit është se, nëse vërtet Perëndia zgjedh se kush do të shpëtohet, atëherë nuk ka kuptim të mundohemi për ta shpallur ungjillin. Mirëpo kjo logjikë njerëzore është e kundërta e logjikës biblike që thotë: nëse Perëndia nuk i ka zgjedhur disa për të besuar, atëherë përse të lodhemi duke folur? Sovraniteti hyjnor i shpëtimit është pikërisht arsyeja që të vazhdojmë të flasim – sepse Perëndia i ka zgjedhur disa; sepse Perëndia është sovran; sepse Perëndia ka caktuar; sepse disa do të besojnë. Siç e thotë Spurgeon-i, ne nuk e dimë se kush janë të paracaktuarit derisa ata të besojnë, ndaj bëjmë mirë të vazhdojmë ta shpallim ungjillin me shpresën dhe bindjen se të gjithë ata që janë caktuar për jetë të përjetshme, do të besojnë (Veprat e Apostujve 13:48).

Sovraniteti i Perëndisë është ushqim për besnikërinë tonë – jo një arsye për t’iu shmangur punës apo sakrificës, por motivimi më i mirë për to. Siç e tha edhe Luteri, ndërsa reflektonte mbi punën e tij për reformimin: “Unë nuk bëra asgjë. Të gjithë punën e bëri Fjala.”


Botuar me lejehttps://clearlyreformed.org/fuel-for-our-faithfulness/

Përktheu: Sara Jaupllari | Redaktoi: Lea Allkoja

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2026 


Etiketa

Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
10 korrik – Thumbi i vdekjes është hequr
9 korrik – Një fjalë për etërit
7 korrik – Tundimi i Jozefit