“Ju më thërrisni ‘Mësues’ dhe ‘Zot’, dhe mirë thoni, sepse jam.
Pra, nëse unë, Zoti e Mësuesi, lava këmbët tuaja, edhe ju e keni për detyrë
të lani këmbët e njëri-tjetrit.” GJONI 13:13-14
Andrew Martinez-i ishte një prej ndihmësve më të mirë në historinë e golfit, i cili u shërbeu lojtarëve të famshëm si Johnny Miller, John Cook dhe Tom Lehman. Ai ishte vetë sportist i zoti. Pjesë e arsyes pse u bë një ndihmës i jashtëzakonshëm ishte përkushtimi i tij ndaj shefit të vet, gjë që fillonte që nga çasti kur ai hynte në kabinën e ndihmësit dhe vishte uniformën e tij të bardhë. Ai bëhej një me rolin e vet. Ai ende ishte Martinez-i, por në bluzë mbante një emër tjetër; ai ekzistonte vetëm për t’i shërbyer dikujt tjetër, pavarësisht nga talenti dhe aftësitë e tij.
Natën para se Jezusi të vdiste, e cila është kthyer në një nga skenat më të paharrueshme të jetës së Tij tokësore, Ai u lau këmbët dishepujve të Tij. Një nga arsyet pse Ai e bëri këtë, ishte për të modeluar një shërbim të përulur, pasi puna e larjes së këmbëve ishte roli i një skllavi dhe jo i një mbreti. Të gjithë ne mund të përfitojmë nga ndjekja e shembullit të tij: Krijuesi lau këmbët e krijesave të Tij dhe, duke vepruar kështu, Ai u shërbeu dishepujve të Tij që po grindeshin dhe tradhtarit të Tij, Judës. Një veprim i tillë ishte përtej mikpritjes tipike që përfshihej në këtë ritual.
Veprimet e Jezusit ishin një shembull të cilin duhet ta ndjekim edhe ne (“edhe ju e keni për detyrë”), mirëpo ato nuk ishin thjesht një shembull — dhe nëse gjëja pas së cilës kapemi në këtë tregim është thirrja për të imituar sjelljen e përulur të Jezusit, rrezikojmë të humbasim në moralizëm dhe të na shpëtojë qëllimi i plotë dhe i lavdishëm i Krishtit. Ndërsa po ua lante këmbët dishepujve të Tij, Jezusi e dinte se çfarë e priste në të ardhmen e afërt. Në fakt, Ai ishte thellësisht i vetëdijshëm që e priste një kohë plot me pikëllim — që kryqëzimi i Tij po afronte. Veprimi i Tij tregoi se e ardhmja është gjithmonë në duart e dashura të Atit. Larja e këmbëve të ndjekësve të Tij simbolizonte pastrimin e ardhshëm të shpirtrave të tyre — një pastrim që nuk do të bëhej nga uji në legenin e Tij, por nga gjaku i Tij që do të derdhej në kryq. Në përulësinë e Tij, Biri i Perëndisë ofron që të na lajë dhe të na pastrojë nga njolla e mëkatit tonë, dhe ne duhet ta ndjekim përulësinë e Tij me përulësinë tonë, duke pranuar nevojën tonë të madhe dhe duke kërkuar që të lahemi prej Tij.
Vetëm pasi ta kemi vlerësuar se si na ka shërbyer Shpëtimtari ynë, ne do t’i shërbejmë njëri-tjetrit në të njëjtën mënyrë. Pjetri, i cili në atë kohë ishte i pështjelluar nga ajo që po bënte Jezusi (Gjoni 13:6-8), një ditë do ta kuptonte mesazhin e Zotit të tij. Vite më vonë, ai do t’i nxiste bashkëbesimtarët e tij me këto fjalë: “Përuluni, pra, nën dorën e pushtetshme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur” (I e Pjetrit 5:6). Ai e dinte se shembulli i Krishtit kishte për qëllim të bënte shumë më tepër sesa thjesht të përshtaste sjelljen tonë; ai kishte për qëllim të na përulte dhe pastaj të na siguronte për faljen tonë.
Në çfarë mënyre je thirrur që të lash këmbët e të tjerëve sot? Si mund ta sakrifikosh kohën ose rehatinë tënde për t’u shërbyer njerëzve përreth teje në mënyra që mund të nxiten vetëm nga një dashuri e përulur? Dhe më e rëndësishmja, si mund t’u shërbesh të tjerëve në një mënyrë që i drejton ata tek akti më i madh i shërbimit — te pastrimi që siguron gjaku i Krishtit që u derdh në kryq?
