11 Korrik 2026

“Jo se tashmë e mora, apo tashmë jam përsosur, por po e ndjek që edhe të mund ta kap atë për të cilën edhe u kapa nga Krishti Jezus. …po ndjek pas synimin për çmimin e thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus. Prandaj, gjithë sa jemi të përsosur, këtë të mendojmë; dhe nëse diçka e mendoni ndryshe, edhe këtë Perëndia do t’jua zbulojë.” FILIPIANËVE 3:12, 14-15

Ka pak gjëra që janë po aq tërheqëse sa fëmijët që rrëmbehen nga imagjinata dhe bëjnë deklarata jorealiste, qoftë për prindërit e tyre — “Babai im mund ta bëjë këtë” ose “Mamaja ime është shumë e zonja për këtë” — ose për veten e tyre. Mirëpo diçka e tillë nuk duket edhe aq tërheqëse kur vjen nga dikush që është 25 ose 50 vjeç! Në atë pikë, dikush duhet të thotë: “Mos bëj kështu, nuk je fëmijë!”.

Ashtu siç presim të shohim pjekuri tek ata që kanë jetuar për njëfarë kohe, dhe ashtu siç e dimë se ka shenja të caktuara pjekurie në sferën fizike, emocionale dhe mendore, po ashtu duhet të presim të shohim pjekuri në sferën e jetës frymërore. Pali shpjegon se, nëse po rritemi me të vërtetë në pjekuri, atëherë jeta dhe ecja jonë me Perëndinë do të karakteri­zohet nga disa tipare.

Pjesa më e madhe e shoqërisë sonë, na nxit vazhdimisht që të jemi të vetëdijshëm për atë që jemi, atë që kemi arritur ose sa shumë kemi përparuar. Ndryshe nga kjo, pjekuria e krishterë fillon me një vetëdije për atë që nuk jemi. Kur papjekuria na bën të mendojmë më lart se ç’duhet për veten (shih Romakëve 12:3), pjekuria i hedh poshtë pretendimet e ekzagjeruara. Përkundrazi, ajo karakterizohet nga një vlerësim i arsyeshëm për përparimin tonë frymëror. Pjekuria nuk tregohet me fjalë të mëdha, por në një jetë me njëtrajtshmëri të përulur dhe të qëndrueshme.

Në fabulën e vjetër “Breshka dhe lepuri”, në fillim të garës lepuri fluturon, ndërsa breshka thjesht ecën ngadalë. Lepuri është aq i bindur se e ka fituar garën, saqë vendos të ulet dhe të pushojë, të rehatohet dhe të bjerë në gjumë. Dhe ndërsa shoku që e filloi garën në një mënyrë kaq dramatike bie në gjumë, breshka e vockël e arrin — me të njëjtin ritëm, ngadalë, ngadalë, ngadalë — derisa, në fund, ajo është fituesja, ndërsa lepuri nuk duket askund.

Mund të jetë sfidë mjaft e madhe të jesh i rrethuar nga “lepuj” frymërorë, të cilët gjithmonë kërcejnë dhe hidhen përpjetë andej-këndej, duke shpallur aspiratat e tyre të mëdha dhe duke thënë se ku po shkojnë, çfarë po bëjnë dhe çfarë po arrijnë. Sa shumë shkurajuese më duket kjo ndërsa thjesht përpiqem të vazhdoj përpara në jetën e krishterë!

Si një pastor i mençur, Pali nuk përpiqet ti ngjajë lepurit. Përkundrazi, ai na inkurajon duke thënë: Dua që ta dini se jam një shtegtar. Dua që ta dini se jam ende duke kaluar përmes procesit, jam ende në udhëtim — se ende kam shumë udhë për të bërë. Pali po ecën përpara, drejt vijës së finishit, dhe po na nxit të bëjmë të njëjtën gjë. Në vend të një mburreje për një fillim të flaktë ose për një ritëm mbresëlënës, fjalët e tij janë një thirrje për një përku­shtim të palëkundur dhe të vazhdueshëm ndaj bazave.
Përulësia dhe vazhdimësia: këto të dyja janë shenja të jetës së pjekur të krishterë, e cila e di se me anë të hirit ka arritur deri këtu dhe se me hirin do të vazhdojë derisa të arrijë në shtëpi. Si do të rriten këto si shenja pjekurie në jetën tuaj?

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17