“Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur
që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë
një popull të shumtë.” ZANAFILLA 50:20
Fëmijët që i duan gjyshërit e tyre, kanë prirjen për t’i pëlqyer historitë që ata u tregojnë. Si gjyshi i Jozefit, Isaku me siguri do të ketë pasur mundësi për t’u ulur me të dhe për t’i treguar histori të shumta në lidhje me furnizimin e Perëndisë — për të folur të vërtetën në jetën e nipit të tij. Ju dhe unë thjesht mund të imagjinojmë se sa shumë duhet t’i ketë vlerësuar Jozefi historitë dhe udhëzimet e Isakut. Mirëpo mirësia e Perëndisë ndaj familjes së tij gjatë brezave të shkuar duket se e mbështeti Jozefin edhe në çastet e tij më të dhimbshme, sepse një e vërtetë e jashtëzakonshme në lidhje me këtë burrë është se ai ishte gjithmonë i vetëdijshëm që Perëndia e ka gjithçka nën kontroll. Sigurisht që Jozefi po mësonte të thoshte, ashtu siç do të këndonte edhe psalmisti më vonë: “Oh, po të mos isha i sigurt se do të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!” (Psalmi 27:13).
Në të vërtetë, Jozefit i ishin dhënë mundësi të njëpasnjëshme për të parë kujdesin e provanisë së Perëndisë në jetën e tij. Si një djalosh 17-vjeçar, ai e pa Perëndinë të punonte në mes të urrejtjes së vëllezërve të tij. Sugjerimi i Rubenit për ta hedhur në gropë, në fund i shpëtoi jetën, mirëpo ishte ndërhyrja e Perëndisë që i dha Rubenit idenë dhe i bindi vëllezërit e tij që ta zbatonin këtë plan.
Pak më vonë, një karvan ismaelitësh arriti pikërisht në kohën e duhur, sikur të ishte caktuar nga Perëndia (dhe kështu ishte!). Ismaelitët po bënin punën e tyre si zakonisht; ata mund t’i kishin hedhur një vështrim Jozefit dhe të kishin thënë: Harroje. Nuk na bën punë. Megjithatë, provania e Perëndisë vendosi që ata ta blinin Jozefin.
Në secilin rast, Perëndia i përdori interesat dhe dëshirat egoiste të të tjerëve si instrumente për të shpëtuar jetën e Jozefit, dhe në fund për të shpëtuar jetët e shumë njerëzve.
E vërteta e Zanafillës 50:20 është themeli i jetës së Jozefit: edhe pse vëllezërit e tij kishin qëllime të liga, Perëndia kishte qëllime të mira — dhe qëllimet e Perëndisë fitojnë gjithmonë. Babai tokësor i Jozefit mund të ishte në Kanaan, mirëpo Ati i tij qiellor shkoi bashkë me të në Egjipt. Shtegu i tij mund të ishte ndryshuar për shkak të smirës së vëllezërve të tij, epshit të gruas së Potifarit, zemërimit të Potifarit dhe egoizmit të kupëmbajtësit, mirëpo ai shteg ishte drejtuar në mënyrë supreme nga Perëndia i tij, për të mirën e popullit të Tij.
A e çmojmë këtë të vërtetë në lidhje me Perëndinë ashtu siç e çmoi Jozefi? Perëndia do t’i përmbushë qëllimet e Tij edhe atëherë kur nuk e kemi idenë se ku po shkojmë ose se çfarë po bën Ai. Kjo është shpresa që kemi në çdo rrethanë. Prandaj, kur sprovat të vijnë, ne nuk duhet t’u shmangemi atyre, përderisa e dimë që ato vijnë nga dora e një Ati të mirë dhe që, në njëfarë mënyre, ato i çojnë përpara planet e Tij për ta shpëtuar dhe për ta ruajtur popullin e Tij. Ne e shohim mirësinë e Perëndisë në jetët e familjes sonë frymërore në brezat e shkuar — në Shkrim dhe gjatë gjithë historisë së kishës. Mund të jesh i sigurt që, në të gjitha ditët dhe dyshimet e tua, në të gjitha frikërat dhe dështimet e tua, në të gjitha marrëdhëniet e dëmtuara dhe ëndrrat e prishura, ti vazhdon të jesh nën kujdesin e Tij atëror.
