NJË UDHËTIM 31-DITOR ME HERONJTË E REFORMIMIT PROTESTANT
NJË UDHËTIM 31-DITOR
ME HERONJTË E REFORMIMIT PROTESTANT
Pesëqind vjet më parë, një prift i thjeshtë gjerman shkoi te dera e kishës në Wittenberg dhe gozhdoi aty një dokument që ndryshoi rrjedhën e historisë. Kanë kaluar tashmë pesë shekuj qëkurse Martin Luteri u ngrit dhe u ballafaqua me katolicizmin romak. Gjërat kishin qenë duke u bërë gati për disa dekada dhe shkëndija e vogël, thuajse e rastësishme e Luterit, shumë shpejt i vuri flakën gjithë Evropës.
Me kalimin e kohës, ky murg i thjeshtë dëshmoi se kishte gjithçka që i duhej për të qëndruar i palëkundur ndaj kishës dhe botës — dhe në dorën e Perëndisë, ai u bë instrumenti kryesor i një reforme masive. Në një skenë tepër të paharrueshme, ai qëndroi përpara perandorit dhe deklaroi me guxim, duke rrezikuar jetën e tij: “Këtu qëndroj. S’mund të veproj dot ndryshe. Më ndihmo, o Perëndi!”
Por Luteri nuk qëndroi i vetëm. Reformimi nuk kishte të bënte me një ose dy emra të mëdhenj — Luterin, Kalvinin apo Zvinglin — por me një lëvizje masive bindjesh, guximi dhe gëzimi të krishterë, që shumë burrave dhe grave u kushtoi jetën — dhe kështu përhapi farat që ende po japin fryt edhe në shekullin e 21-të. Jo vetëm që Luteri ishte i rrethuar nga shumë reformatorë në Gjermani, por heronj më pak të njohur të besimit u shfaqën kudo rreth Evropës. Heronj si Heinrich Bullinger, Hugh Latimer, Lady Jane Grey, Theodere Beza dhe Peter Martyr Vermigli. Luteri ishte dashi që i rrëzoi muret, por ai nxiti dhe qëndroi përkrah një kori burrash dhe grash që e ndryshuan botën.
Dhe ja ku jemi sot, 500 vjet më vonë. Luteri nuk ishte vetëm atëherë, dhe nuk është vetëm edhe tani. Për të kremtuar 500-vjetorin e Reformimit protestant kemi krijuar një udhëtim 31-ditor me biografi të shkurtra të shumë prej heronjve të Reformimit. Ju nevojiten vetëm 5–7 minuta çdo ditë për të lexuar secilën biografi.
Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth Reformimit protestant — për heronj të krishterë të cilët i njihni, si dhe për ata që nuk keni dëgjuar kurrë më parë, lexoni këtë libër.
Desiring God — shtator 2017