“Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin,
Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë…
Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë
dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohën e duhur.” HEBRENJVE 4:14-16
Në Besëlidhjen e Vjetër theksohet vazhdimisht pesha e përgjegjësisë që binte mbi kryepriftin e Izraelit (shih, për shembull, Eksodi 29 dhe Levitiku 16). Të ishe kryeprift, nuk ishte diçka që merrej lehtë. Vetëm ai mund të hynte në Vendin Shumë të Shenjtë, në dhomën e brendshme të tempullit judé. Vetëm ai mund të ofronte një flijim me gjak “për fajet e popullit të bëra në padijeni” (Hebrenjve 9:7). Edhe pse vetë nuk ishte pa mëkat, ai shërbente si një avokat për komunitetin e tij përpara Perëndisë.
Mirëpo, sikurse na tregon edhe shkrimtari i Hebrenjve, ishte një Kryeprift i Madh — domethënë, Jezusi — i cili bëri atë që nuk mund ta bënte dot asnjë prift tjetër, dhe mbajti një përgjegjësi që kishte një peshë aq të madhe, sa nuk mund të mbahej dot nga askush tjetër.
Jezusi nuk kaloi përmes një perdeje për të hyrë në Vendin Shumë të Shenjtë të tempullit në Jerusalem. Përkundrazi, si Biri i Perëndisë, Ai kaloi përmes qiejve, prandaj tani Ai shfaqet për llogarinë tonë përpara fronit të Atit. Nuk ka pse të vajtojmë për faktin që Ai nuk është fizikisht këtu mbi tokë, pasi jo vetëm që Ai është i pranishëm me ne nëpërmjet Frymës së Shenjtë, por edhe sepse mungesa e Tij do të thotë që tani Ai po flet drejtpërdrejt me Perëndinë Atë për llogarinë tonë (Hebrenjve 7:25).
Ja pse, në Besëlidhjen e Re, shërbesa nuk është e rezervuar për një rend priftërinjsh që ofrojnë flijime me gjak. Ata që janë thirrur nga Perëndia dhe të cilëve u janë dhënë si privilegjet, ashtu edhe përgjegjësia për të udhëhequr dhe për të mësuar popullin e Perëndisë, nuk kanë pse të luajnë rolin e avokatit përpara Perëndisë për popullin e Tij, ashtu siç bënin priftërinjtë në Besëlidhjen e Vjetër. Duke qenë se Kryeprifti ynë i madh ka ofruar flijimin e madh e të vetëm për mëkatet, nuk ka nevojë për ndonjë avokat tjetër. Në të vërtetë, priftëria e Tij nuk lë më vend për flijime të tjera për mëkatin, si në qiell, ashtu edhe mbi tokë. Vetëm Ai mund të vdiste për ne dhe të fliste për ne, dhe vetëm Ai e ka bërë këtë.
Vetë madhështia e priftërisë së Krishtit qëndron në faktin që Ai e ka ofruar Veten për mëkatet tona një herë e përgjithmonë. Nuk kemi nevojë për asgjë tjetër, përveçse të dallojmë që “ai, për shkak se vetë mbetet përjetë, e ka priftërinë të patjetërsueshme” (Hebrenjve 7:24). Vetëm Jezusi është në gjendje për t’i shpëtuar ata prej nesh që vijnë te Perëndia mbi bazën e meritave të Tij. Ai jeton gjithmonë për të ndërmjetësuar për popullin e Tij. Ai po e bën këtë pikërisht në këtë çast për ty. Prandaj, ti mund të jetosh me sigurinë e hyrjes në dhomën e fronit qiellor kurdoherë që lutesh, dhe me sigurinë që shpirti yt do të hyjë atje ditën kur të vdesësh. Sot, gjithë sa duhet të bësh, është ta mbash fort rrëfimin e besimit tënd në Kryepriftin e madh, i cili ka bërë gjithçka që nevojitet.
