12 Shtator 2026

“Me dashjen e vet na lindi nëpërmjet fjalës të së vërtetës…” JAKOBI 1:18

Johnny Carson, prezantuesi i famshëm televiziv, dikur përshkroi ndërveprimin mes një adoleshenti të pakënaqur dhe një babai të zhgënjyer, ndërsa ata po grindeshin me njëri-tjetrin. Adoleshenti, i cili ishte gati ta përplaste derën dhe të dilte nga dhoma, thirri: “Nuk ju kërkova që të më lindnit!”. Dhe i ati iu përgjigj duke i thirrur: “Edhe po të kishe kërkuar, do të kisha thënë ‘jo’!”.

Askush prej nesh nuk kërkoi të lindte. Në fakt, asnjeri prej nesh nuk kërkoi të lindte sërish. Jakobi vë në dukje të vërtetën përulëse që lindja jonë frymërore nuk ishte diçka për të cilën ne e nxitëm Perëndinë që ta bënte. Në mirësinë e Perëndisë, lindja jonë e re në Krishtin ishte zgjedhja e Tij, pa kurrfarë presioni nga pafuqia jonë dhe pa ndihmë nga mirësia jonë e supozuar. Ai veproi vetëm në përputhje me vullnetin e Tij të lirë dhe sovran. Sikurse tha edhe Jezusi: “Era fryn ku dëshiron dhe ti dëgjon zhurmën e saj, por nuk e di prej nga vjen dhe ku shkon; kështu është kushdo që është lindur prej Frymës” (Gjoni 3:8).

Pa punën e Frymës që na tregon Krishtin, zemrat tona të marra mbeten në errësirë dhe mëkati ka një efekt topitës mbi ndjesinë tonë të moralit. Prej natyre, ne jemi të humbur në kthetrat e mëkatit dhe kemi një nevojë të thellë për ta ditur zgjidhjen e hallit tonë, mirëpo nuk jemi në gjendje as të dallojmë natyrën reale të këtij halli që kemi. Megjithatë, edhe kur secili prej nesh bëhet anëtar i familjes së Perëndisë përmes hirit të Tij, nëpërmjet besimit, ne ende vazhdojmë të kemi prirjen për të besuar se shpëtimi ynë është rezultat i asaj që bëmë — që zgjodhëm dhe duhet të vazhdojmë të zgjedhim, që të largohemi nga mëkati dhe të kthehemi te Perëndia me një besim si prej fëmije. E vërteta është që Perëndia “me dashjen e vet na lindi”, ndërsa dëgjuam dhe u aftësuam prej Tij që të reagonim ndaj “fjalës të së vërtetës”. Kur i vendosëm copëzat bashkë, zbuluam se fakti që ne e zgjodhëm Atë, ishte, u bë dhe vazhdon të bëhet i mundur vetëm prej faktit që Ai na zgjodhi ne.

Siç e tha edhe Alec Motyer-i: “Ne nuk mund të jemi agjentë ose kontribues në lindjen tonë të re, ashtu sikurse nuk ishte e mundur që të kishim një rol në lindjen tonë natyrore. E gjithë puna, nga zgjedhja fillestare te vepra e plotë, është e tija… Dhe derisa të ndryshojë vullneti i tij, të ndryshojë fjala e tij ose të bjerë poshtë e vërteta e tij, shpëtimi im nuk mund të kërcënohet dhe as të humbasë.”

Çfarë sigurie, paqeje dhe ngushëllimi gjenden në të diturit që mirësia e Perëndisë përmes Jezu Krishtit jo vetëm që të solli në pendim dhe besim, por, gjithashtu, do të të mbajë në besim! Nëse besimi dhe shpëtimi yt do të vareshin prej teje, nuk do të ishin kurrë të sigurt dhe gjithmonë do të ishe i shqetësuar. Mirëpo ato varen prej Atij, “tek i cili nuk ka ndërrim apo hije ndryshimi” (Jakobi 1:17). Ti nuk kërkove të lindje; Ai vendosi që ti të lindje. Prandaj mund të jesh i sigurt që je fëmija i Tij — tani, nesër, çdo ditë dhe përjetë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17