“Sepse nuk është judé ai nga jashtë dhe as nuk është rrethprerje ajo nga jashtë,
në mish. Përkundrazi, judé është ai nga brenda dhe rrethprerje është ajo e zemrës,
në Frymë, jo në shkronjë…” ROMAKËVE 2:28-29
Çdo mbretëri ka qytetarë dhe mbretëria e Perëndisë nuk është e ndryshme. Atëherë, cilët janë qytetarët e mbretërisë së Perëndisë? Kush është populli i Perëndisë?
Populli i Perëndisë përbëhet nga të gjithë ata që e kanë vendosur besimin e tyre në Jezu Krishtin. Këta njerëz nuk janë pjesë e mbretërisë së Perëndisë për shkak të intelektit të tyre, fuqisë së tyre apo të ndonjë faktori tjetër të jashtëm, por thjesht dhe vetëm sepse Perëndia ka zgjedhur që t’i dojë dhe kështu u ka dhënë atyre dhuratën e besimit në Birin e Tij. Jezusi i qortoi farisenjtë që hamendësuan se ishin anëtarë të familjes së Perëndisë për shkak të prejardhjes së tyre. Ai u tha: “…Nëse jeni fëmijë të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit” (Gjonit 8:39). Dhe çfarë bëri Abrahami? Ai i besoi premtimit të Perëndisë; ai “i besoi Perëndisë, dhe kjo iu llogarit për drejtësi” (Galatasve 3:6).
Prandaj, ne jemi anëtarë me të drejta të plota të familjes së Perëndisë, jo për shkak të diçkaje që bëjmë, por përmes punës së Frymës së Perëndisë që na bind në zemër, na bën që të besojmë dhe na prin në pendim. Nuk ka pse të kalosh përmes ritualeve që kërkohen nga Ligji judaik ose të jesh një pasardhës fizik i Abrahamit për t’u përfshirë në popullin e Perëndisë. Te Romakëve 2:29, Pali në thelb pyet: Kush janë fëmijët e Abrahamit? Përgjigjja është kjo: kushdo që përjeton rrethprerjen “e zemrës, në Frymë”.
Ndërsa i shqyrtojmë këto të vërteta, mund të vrasim mendjen nëse Pali mendonte se kishte ndonjë dobi në të qenët judé. Pali, në fakt, shpjegoi se kishte një përparësi fenomenale, sepse judenjtë ishin të parët që i morën premtimet e Perëndisë, të cilat u dhanë atyre një mundësi unike për t’i kuptuar shenjat që drejtonin te përmbushja në Krishtin (Romakëve 3:1-2). Mirëpo të kuptuarit e këtyre shenjave në vetvete nuk e bën askënd qytetar të mbretërisë së Perëndisë. Ky privilegj është rezervuar dhe vlen për ata që i nënshtrohen Mbretit të kësaj mbretërie. Pavarësisht nëse jemi hebrenj ose johebrenj — apo cilado qoftë prejardhja jonë, pavarësisht se ku kemi lindur apo se si jemi rritur — Perëndia u ofron shpëtim të gjithë atyre që besojnë në Krishtin. Qytetaria jonë në mbretërinë e Perëndisë nuk lidhet me etninë ose faktorët e jashtëm, por vetëm me besimin e përulur, si prej një fëmije, në Mesian.
Bota është e mbushur plot me njerëz që përleshen për të zbuluar se ku e kanë vendin apo që përpiqen fort për ta ruajtur pozitën e tyre në një kompani, në shoqëri apo në rrethin e miqve, madje edhe në familjen e tyre. Perëndia nuk të kërkon që të përleshesh ose të përpiqesh, por thjesht të shijosh. Nëse i përket popullit të Perëndisë me anë të besimit në Jezusin, atëherë ti je shpëtuar me anë të emrit të Tij, je çliruar nga turpi dhe je pjesë e popullit të Tij. Pikërisht këtu e ke vendin, këtu është shtëpia jote.
