10 Korrik 2026

“‘Ku është, o vdekje, fitorja jote?! Ku është, o vdekje, thumbi yt?!’. Dhe thumbi i vdekjes është mëkati, ndërsa fuqia e mëkatit është Ligji. Por qoftë falënderuar Perëndia që na jep fitoren nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht.” I KORINTASVE 15:55-57

Shumica e brezave të fundit kanë shfaqur një mosgatishmëri të madhe për t’u ballafaquar me realitetin e vdekjes, dhe ndoshta asnjë brez tjetër nuk e ka bërë këtë më shumë se brezi ynë. Njerëzit vazhdimisht përpiqen ta mbulojnë vdekjen ose ta shpërfillin ekzistencën e saj me shpresën se ndoshta ajo thjesht do të largohet. Por nga të gjithë njerëzit, të krishterët duhet të jenë të përgatitur për të bërë atë që shumë nuk do ta bënin: ta shohin vdekjen në fytyrë dhe të pranojnë se nuk ka asnjë mënyrë për ta mohuar atë dhe nuk ka asnjë mënyrë për t’i shpëtuar asaj — edhe pse nuk është e nevojshme, sepse vdekja është mundur.

Në të vërtetë, krishterimi e ndryshon mënyrën se si e shohim gjithçka. Bibla na ballafa­qon me realitetin se jeta është e shkurtër, vdekja është e sigurt dhe se gjykimi na pret. Megjith­atë, brenda Shkrimeve, kemi edhe deklarata të qarta, të mrekullueshme dhe udhë­zuese në lidhje me mënyrën se si të mendojmë për vdekjen e një besimtari.

Për të krishterin, thumbi i vdekjes është hequr. Mendojeni kështu: nëse keni dalë ndonjë­herë jashtë me një fëmijë të vogël dhe ju afrohet një grerëz e zemëruar, do të viheni qëllimisht mes fëmijës dhe grerëzës, për ta marrë ju thumbin ose për ta “hequr” atë. Pasi të jetë bërë kjo, fëmija nuk ka pse të ketë frikë. Prandaj, Jezusi, nëpërmjet veprës së Tij në kryq, e ka trajtuar dënimin e mëkatit tonë. Ai e ka thyer skllavërinë e fuqisë së mëkatit në jetën tonë. Ai e ka hequr thumbin e mëkatit dhe të vdekjes. Fitorja e Krishtit është fitorja jonë; vdekja është mposhtur. Ne ende do ta përjetojmë vdekjen, por ne do të kalojmë përmes saj. Ajo nuk do të ketë pushtet mbi ne.

Shkrimi përdor tablonë e gjumit për të përshkruar një të krishterë që ka vdekur, sepse gjumi është një gjendje e përkohshme dhe jo e përhershme. Kjo figurë përdoret në lidhje me trupat tanë dhe jo me shpirtrat tanë. Në një nga letrat e tij drejtuar selanikasve, Pali thotë: “Sepse nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, kështu edhe Perëndia ata që fjetën përmes Jezusit, do t’i sjellë bashkë me të” (I Selanikasve 4:14). Me fjalë të tjera, ne mund t’i themi Jezusit atë që shumë fëmijë të vegjël u thonë nënave ose baballarëve të tyre para gjumit: “A do të rrish me mua derisa të më zërë gjumi?”. Dhe Jezusi thotë: Po, do ta bëj. Por edhe më mirë se kaq, unë do të jem me ty edhe ndërsa ti fle. Të biesh në gjumë — të vdesësh — në Krishtin do të thotë që kemi hyrë menjëherë në praninë e Tij, në gëzimin e Zotit në lavdi.

Jezusi është i gjallë dhe çdo ditë e re mund të na kujtojë ringjalljen e Tij. Çdo mëngjes, ne zgjohemi me një agim të ri, si një kujtesë për atë ditë të lavdishme kur do të bjerë boria, të vdekurit në Krishtin do të ringjallen të parët dhe të gjithë ata që janë të gjallë dhe mbeten në tokë, do të rrëmbehen bashkë me ta. Si besimtarë, kemi lindur sërish me shpresën e gjallë që, për shkak se Jezu Krishti fitoi mbi varrin, ne do të jemi përgjithmonë me Të. Kështu e shohim ne vdekjen: ne shikojmë përmes saj. Dhe sapo të jemi në gjendje për të vdekur pa frikë, ne jemi gjithashtu në gjendje për të jetuar pa frikë.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17