Nëse nuk ke një plan më të mirë për mënyrën se si do të vdesësh, ka të ngjarë që dikush do ta marrë vesh thjesht nga televizioni.

Si shërbyes i fjalës së Perëndisë, gjithmonë kam menduar se pjesë e thirrjes time është t’i ndihmoj njerëzit të vdesin mirë. Kjo gjë përfshin synimin e Palit që Krishti të lartësohet në trupin e tij me anë të vdekjes (Filipianëve 1:20). Çdo predikim të së dielës e kam konsideruar si pjesë të kësaj përgatitjeje për vdekjen. Kam shpresuar që çdo vizitë pranë shtratit të vdekjes të ishte një përjetim besimndërtues, shpresëdhënës, i mbushur me Biblën, me ungjillin në qendër dhe që lartëson Krishtin.

Kjo është arsyeja pse rënkova, kur arrita në spital dhe e gjeta televizorin duke vezulluar në errësirën e vdekjes që po afronte. Kjo m’u duk krejt e papërshtatshme. E çuditshme!

Një nga gratë më të perëndishme, që kam njohur ndonjëherë, ishte duke vdekur. Ajo ishte plot me Frymën dhe me lutje. Në një nga vizitat e mia në spital, gjatë ditëve të saj të fundit, ajo m’u përgjërua që të lutesha për të, që po vdiste kaq shpejt, dhe më tregoi për makthet që shihte me “gra gjysmë të zhveshura që kërcenin rreth shtratit të saj”. Po vrisja mendjen, nëse gjërat për të cilat po më fliste kishin ndonjë lidhje me televizorin, që stafi i spitalit kishte ndezur.

Ndoshta jo, por sigurisht, të gjithë mund të biem dakord se ka një mënyrë më të mirë për ta përgatitur shpirtin tonë, për “t’u përballur pa frikë me Gjykatësin dhe Krijuesin”. Pjesë e planit për të vdekur mirë është të kesh miq që kanë vizionin tuaj, për mënyrën se si të jetoni dhe të vdisni për lavdinë e Krishtit. Shumica prej nesh, në ditët dhe orët e fundit para vdekjes, do të jemi tepër të dobët nga ana mendore dhe fizike për ta vendosur këtë gjë. Ndaj më mirë ta vendosim që tani.

Pleq apo të rinj, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, le të jetë e qartë që ju dëshironi—dhe keni nevojë—të përjetoni një vdekje të mbushur me Biblën dhe të përqendruar tek ungjilli. Në mendje kam një lloj vdekjeje si ajo që John Knox zgjodhi.

“Spiranca e parë” e Knox

Ishte 24 Nëntor 1572, Knox ishte 57 apo 58 vjeç (viti i tij i lindjes nuk dihet me siguri). Ai po vdiste nga pneumonia e bronkitit. Biografia e re e shkruar nga Jane Dawson përshkruan ditët e fundit të tij.

Bashkëshortja e tij, Margaret, ishte gjithmonë pranë tij, nëse nuk po kujdesej për tri vajzat dhe dy djemtë e tyre. Sekretari dhe miku besnik i Knox, Richard Bannatyne nuk largohej kurrë nga shtrati i tij.

Rreth orës pesë të mbrëmjes ai kërkoi bashkëshorten e tij. Më herët kishte kërkuar t’i lexonin nga Isaia 53 me fjalët më të ëmbla të ungjillit:

Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona,
u shtyp për paudhësitë tona;
ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të,
dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.
Ne të gjithë endeshim si dele;
secili prej nesh ndiqte rrugën e vet,
dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të
paudhësia e ne të gjithëve. (Isaia 53:5-6)

Ai kishte kërkuar gjithashtu që t’i lexohej 1 e Korintasve 15 me përshkrimin e saj të hollësishëm rreth marrëdhënies mes ringjalljes së Krishtit dhe ringjalljes së tij.

Në fund, John i kërkoi së shoqes t’i lexonte “sprirancën e tij të parë” dhe të dashur: Gjoni 17. Tridhjetë vjet më herët, Knox po dilte nga Katolicizmi Roman dhe po hynte në besimin e Reformuar dhe ky ishte kapitulli që i solli paqe. Ai tha se atje “hodhi spirancën e tij të parë”. Këtu ai pa rrënjët e zgjedhjes dhe përkushtimit të Krishtit për t’i ruajtur ata, që Ati i kishte dhënë Krishtit.

“Unë ia kam dëftuar emrin tënd njerëzve që ti m’i ke dhënë nga bota; ishin të tutë dhe ti m’i ke dhënë; dhe ata e kanë zbatuar fjalën tënde… Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë… O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë… Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu… Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:6, 9, 11, 15, 17).

Margareta ia lexoi kapitullin e spirancës së tij. Knox tha: “A nuk është ky një kapitull ngushëllues?” Ai vdiq afërsisht gjashtë orë më vonë.

Duke menduar se ishte ende duke fjetur, familja dhe miqtë e tij bënë lutjet e tyre të zakonshme të mbrëmjes pas orës 10 të darkës. Kur Dr. Preston e pyeti nëse i kishte dëgjuar psalmet dhe lutjet teksa këndoheshin, Knox iu përgjigj: “Do të doja që Perëndia t’u jepte mundësi juve dhe gjithë njerëzve që t’i dëgjonit ato, ashtu sikurse i kam dëgjuar unë; e lavdëroj Perëndinë për atë tingull qiellor.” Rreth orës 11 të darkës, Robert Campbell, i cili ishte ulur në një stol pranë shtratit e dëgjoi Knox që lëshoi një psherëtimë dhe rënkim të thellë dhe tha: “Tani mori fund!” Kur Bannatyne i kërkoi t’i jepte një shenjë për të treguar se i mbante mend premtimet e Krishtit, Knox ngriti dorën për herë të fundit dhe “u largua pa asnjë dhimbje”. Beteja e Knox kishte përfunduar (Knox, 310).

Po, dhe lufta ishte luftuar deri në fund me fjalën e Perëndisë. Kjo ishte një vdekje e mbushur me Biblën. Këtë gjë kërkoi Knox dhe këtë gjë i dhanë bashkëshortja dhe miqtë e tij.

Gati për qiellin

Të kënduarit dhe të folurit e fjalës së Perëndisë; kjo është ajo që shpresoj të dëgjoj, nëse vdekja ime vjen ngadalë. Nëse nuk e ke dashur kurrë leximin e fjalës së Perëndisë dhe të kënduarit e të vërtetës së ungjillit mendohu thellë mbi fjalët e Knox: “E lavdëroj Perëndinë për tingullin qiellor.”

Asnjë gjë nuk ka për të qenë më e papërshtatshme në orët e fundit sesa televizori. Asnjë gjë nuk ka për të qenë më e ëmbël se “tingulli qiellor” i miqve që këndojnë dhe lexojnë fjalën e Perëndisë. Plot me ungjillin, plot me Krishtin, plot me shpresë. Planifikoni për këtë!

John Piper është themeluesi dbe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/plan-now-to-die-well

Përktheu: Asim Hamza | Redaktuan: Linea Simeon, Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme

>