Një parim biblik i drejtësisë është që sa më shumë të dimë se veprimi ynë është i gabuar, aq më fajtorë jemi, dhe aq më tepër meritojmë ndëshkim (Luka 12:47, 48). Ideja e këtij artikulli është se kur bie fjala për abortin, e dimë se çfarë po bëjmë—e gjithë Amerika e di. Ne po vrasim fëmijë! Njerëzit pro zgjedhjes dhe ata pro jetës e dinë këtë gjë.

Para se t’jua tregoj këtë, le të qartësojmë se çfarë bëri Gjykata e Lartë para 45 vjetësh. Në çështjen Roe kundër Wade, Gjykata e Lartë bëri në të vërtetë abortin me kërkesë të paprekshëm nga ligji. Kjo u arrit me dy hapa.

Një hap ishte që ligjet nuk mund ta ndalojnë abortin, edhe gjatë nëntë muajve të plotë, nëse aborti është “për të ruajtur jetën apo shëndetin e nënës”. Hapi tjetër ishte ta përkufizonin “shëndetin” si “të gjithë faktorët—fizikë, emocionalë, psikologjikë, familjarë, dhe moshën e gruas—si të lidhur me mirëqenien e pacientes”.

Për 40 vjet kjo ka pasur kuptimin që çdo stres i perceptuar është një bazë ligjore për ta eliminnuar fëmijën. Ne kemi vrarë më shumë se 50 milionë foshnja. Gjëja që na e shton fajin si komb është se ne e dimë çfarë po bëjmë. Ja ku janë provat që ne e dimë se po vrasim fëmijë.

1. Në biseda personale me persona që mbështesin abortin e pranojnë që po vrasin fëmijë

Shumë prej tyre thonë thjesht se kjo është e keqja më e vogël. Një herë dola për drekë me një person të tillë dhe isha përgatitur t’i jepja dhjetë arsye, pse foshnjat e palindura janë qenie njerëzore. Ai më ndaloi dhe tha: “Këtë e di. Ne po vrasim fëmijë!” U shtanga! Vazhdoi duke thënë: “Kjo është thjesht një çështje drejtësie për gratë. Më e keqja do të ishte t’u mohonim grave të drejtën e barabartë për lirinë riprodhuese.”

Kjo do të thotë se gratë nuk duhet të ngarkohen më shumë nga pasojat e një shtatzënie të paplanifikuar sesa burrat. Ajo liri e barabartë nga barra e lindjes së fëmijëve të padëshiruar është baza për abortin, të cilës President Obama iu referua herë pas here në publik, kur fliste për të drejtat e barabarta të grave. Ne e dimë se çfarë do të thotë kjo. Ne po vrasim fëmijë!

2. Disa shtete e kanë vrasjen e foshnjave të palindura të dënueshme me ligj

Ne e dimë se çfarë po bëjmë, sepse 38 shtete (përfshirë edhe Minesotën) e trajtojnë vrasjen e fëmijëve të palindur ende si një formë vrasjeje të dënueshme me ligj. Shtetet kanë disa ligje të quajtura “ligjet e vrasjes së fetusit”.

Është e jashtëligjshme t’i marrësh jetën një foshnje të palindur, nëse nëna e dëshiron bebin, por është e ligjshme t’ia heqësh jetën një foshnje të palindur, nëse nëna nuk e dëshiron. Në rastin e parë, ligji e trajton fetusin si njeri me të drejta; në rastin e dytë ligji, e trajton fetusin si jonjeri dhe pa të drejta.

Kështu të qenët njeri përkufizohet nga dëshira e të fortëve. Pushteti cakton të drejtën. Ne e refuzojmë këtë të drejtë për të përcaktuar personalitetin në rastin e antisemitizmit nazist, skllavërisë së bazuar në konfederata dhe gulagët sovjetikë. Kur me vullnetin e të fortëve përcaktojmë, nëse foshnjat e palindura janë njerëz, e dimë se çfarë po bëjmë.

3. Kirurgjia e fetusit trajton të palindurit si fëmijë dhe pacientë

Specialisti i shtatzënive me rrezik të lartë dr. Steve Calvin, në një letër të cilën ia dërgoi kohë më parë gazetës “Arizona Daily Star”, shkruan: “Ekziston një skizofreni e pashmangshme në abortimin e një fetusi krejtësisht normal 22 javësh, ndërkohë që në të njëjtin spital kryejmë kirurgji për kushëririn e tij që shtatzënia të jetë brenda mitrës.” Kur foshnjat e palindura janë të dëshiruara, trajtohen si fëmijë dhe pacientë. Kur ato nuk janë të dëshiruara, nuk janë më fëmijë. Ne e dimë çfarë jemi duke bërë.

4. Të qenët i vogël nuk të skualifikon nga të qenët person

Shtati një metër e shtatëdhjetë i një djali adoleshent nuk i garanton atij një të drejtë më të madhe për të jetuar, se trupi prej 60 centimetrash i motrës, që nëna e tij mban në krahë. Ne e dimë se madhësia nuk ka të bëjë me moralin. Tre centimetra, 60 centimetra, 170 centimetra—nuk ka rëndësi. Kjo nuk ka vlerë morale në vendimin se kush duhet të mbrohet. Ne e dimë se çfarë po bëjmë, duke vrarë më të vegjlit.

5. Të mos kesh një fuqi të zhvilluar arsyetimi nuk e skualifikon personalitetin nga të qenët njeri

Një foshnjë një muajshe, që ushqehet me gjirin e nënës së tij, nuk ka fuqi arsyetimi. Vetëm disa guxojnë të pranojnë se vrasja e një foshnje është e pranueshme. Shumica dinë më mirë se kaq. Jashtë dhe brenda barkut të nënës, foshnja ende nuk mund të arsyetojë, por pavarësisht kësaj ai është një qenie njerëzore. Ne e dimë çfarë jemi duke bërë.

6. Të qenët në bark nuk e skualifikon dikë nga të qenët njeri

Vendndodhja apo mjedisi nuk janë ato që e përcaktojnë të drejtën për jetë. Scott Klusendorf pyet: “Si ndodh që një udhëtim i thjeshtë prej 13 centimetrash përmes kanalit të lindjes papritur e transformon natyrën thelbësore të fetusit nga joperson në person?” Ne e dimë se çfarë po bëjmë.

7. Të qenët i varur nga mami nuk e skualifikon dikë nga të qenët njeri

Personat që janë me aparate frymëmarrjeje apo në dializë, ne i konsiderojmë qenie njerëzore. Të palindurit nuk mund të skualifikohen nga të qenët njeri, për shkak se janë të varur nga nëna e tyre për ushqim dhe oksigjen. Në fakt, ne veprojmë saktësisht sipas parimit të kundërt. Sa më i varur të jetë një i vogël nga ne, aq më tepër përgjegjësi ndiejmë për ta mbrojtur dhe jo më pak. Ne e dimë çfarë jemi duke bërë.

(Ato katër vëzhgime të fundit, pikat 4 deri 7, u përmblodhën nga Scott Klusendorf me akronimin SLED në anglisht: Madhësia, Niveli i zhvillimit, Mjedisi, Shkalla e varësisë—por asnjëra prej tyre nuk ka peshë morale në përkufizimin e jetës njerëzore.)

8. Përbërja gjenetike e njerëzve është unike

Përbërja gjenetike e njerëzve është e ndryshme nga të gjitha krijesat e tjera, që nga çasti i ngjizjes. Kodi njerëzor është i plotë dhe unik që nga fillimi. Dikur këtë gjë nuk e dinim. Tani e dimë!

9. Të gjitha organet janë të pranishme që në javën e tetë të shtatzënisë

Në javën e tetë të shtatzënisë të gjitha organet e trupit janë të pranishme. Truri funksionon, zemra pompon gjak, mëlçia prodhon rruazat e kuqe të gjakut, veshkat pastrojnë lëngjet, gishti ka shenja. Megjithatë, pothuaj të gjitha abortet ndodhin më vonë se kjo datë. Dhe ne e dimë se çfarë po bëjmë.

10. Ne i kemi parë fotografitë

Mrekullia e ultratingullit na ka hapur një dritare të mahnitshme në barkun e nënës, e cila na tregon të palindurin. Për shembull, në javën e 8 ai nis të thithë gishtin, mblidhet kruspull prej ngacmimit, reagon ndaj tingullit. Shikoni këtë video katër minutëshe për zhvillimin e fëmijës së palindur. Ne e dimë që ata janë fëmijë.

11. Kur dy të drejta bien ndesh, duhet mbrojtur ajo që ka vlerën më e lartë

Ne e dimë se parimi i drejtësisë, kur dy të drejta të ligjshme bien ndesh, e drejta që mbron vlerën më të lartë, duhet të jetë ajo që mbizotëron. Ne e mohojmë të drejtën për të udhëtuar me 160 kilometra në orë, për shkak se vlera e jetës është më e madhe se vlera e arritjes në kohë apo përjetimit të emocioneve të forta. E drejta e të palindurit për të mos u vrarë dhe e drejta e gruas për të mos qenë shtatzënë mund të bien ndesh; por ato nuk janë të drejta të barabarta. Të qëndrosh gjallë është më e çmuar dhe më themelore, sesa të mos jesh shtatzënë. Ne e dimë çfarë jemi duke bërë kur vrasim një fëmijë.

Tri synime për të ecur përpara

Për të krishterët që besojnë Biblën, ne mund të shtojmë të paktën dhjetë arsye më shumë se çfarë po ndodh në abort, dhe pse është e gabuar; por qëllimi këtu është i trefishtë.

1. Ne synojmë ta bëjmë të qartë që nuk do të jemi në gjendje ta mbrojmë veten me pretendimin e paditurisë. Ne e dinim, të gjithë ne. Është e mahnitshme se sa me vend janë vargjet te Fjalët e Urta 24:11, 12 për situatën tonë tani rreth abortit:

Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore. Po të thuash: “Ja, ne nuk e dinim”, ai që peshon zemrat nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t’i japë secilit sipas veprave të tij.

2. Ne synojmë ta përforcojmë bindjen tonë për t’i rezistuar kësaj të keqe të tmerrshme.

3. Ne synojmë të rritim shpeshtinë e lutjes dhe predikimit tonë drejt një ripërtëritje shpirti të bazuar tek ungjilli për vendin tonë, për shkak se ngurtësia mëkatare e zemrës dhe padituria e pafajshme janë ato që qëndrojnë në rrënjë të kësaj mizorie.

John Piper është themeluesi dbe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/we-know-they-are-killing-children-all-of-us-know

Përktheu: Asim Hamza | Redaktuan: Linea Simeon, Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme

Fuqia e çmuar e Gjakut
Gëzimi nuk është fakultativ
Thirrje për rrezik të krishterë
>