artikull

Dhjetor 2022


Para se të krijonte tokën, Perëndia Atë përgatiti të dërgonte Birin e tij të vetëm në tokë. Ai e deshi “para themelimit të botës” (Gjoni 17:24), e megjithatë, që atëherë e dinte sa shumë do të vuante foshnja e lindur në Bethlehem.

Ne e dimë se Ati e dinte, sepse emrat tanë u shkruan “në librin e jetës së Qengjit, që është therur që nga krijimi i botës” (Zbulesa 13:8). Para se Perëndia të mbillte pishën e parë, historia e Krishtlindjes ishte planifikuar tashmë. Para se të ndizte flakët e diellit, kishte filluar gërmimin e tokës ku një ditë do të qëndronte kryqi. Ai e ka ditur gjithmonë se Jezusi një ditë do të bëhej mish e do të derdhte gjakun e tij.

A e imagjinon dot autorin e gjithëdijshëm dhe të gjithëpushtetshëm të jetës dhe historisë që përgatit Birin e tij për të jetuar si njëri prej nesh – dhe për të vdekur në një mënyrë të tmerrshme? Madje edhe ëndrrat tona më të jashtëzakonshme do të duken si vizatime në një copëz letre, krahasuar me bashkësinë e ngushtë që gëzonin ata brenda hyjnisë për gjithë përjetësinë, para se të fillonte historia – madje edhe para se të kishte filluar numërimi i kohës.

Perëndia e deshi aq Birin e tij

Vetë i dërguari na tregon copëza të jashtëzakonshme të mënyrës si Ati e kishte përgatitur:

“Jetën time e jap për delet. Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i sjell edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim… Prandaj Ati më do, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk e merr nga unë, por e jap nga vetja ime; unë kam pushtet ta lë dhe kam pushtet ta marr përsëri; këtë urdhërim e kam marrë nga Ati im”. (Gjoni 10:15-18)

Kur Biri erdhi në tokë, ai erdhi i mbuluar në dashurinë e Atit të tij. Kur Ati dha dashurinë e tij për ne, në koston torturuese të Birin të tij, nuk e deshi atë më pak. Ai e deshi më shumë për sakrificën që bëri. Jezusi tha: “Prandaj Ati më do, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri” (Gjoni 10:17). Dashuria e Perëndisë për Birin e tij nuk e pengoi që ta dërgonte atë për të na shpëtuar. Përkundrazi, kjo dashuri e nxiti Perëndinë ta dërgonte atë.

Ati e dërgoi Jezusin me dashuri të pashoqe dhe me autoritet të pakrahasueshëm. Jezusi thotë: “Askush nuk e merr nga unë, por e jap nga vetja ime; unë kam pushtet ta lë dhe kam pushtet ta marr përsëri; këtë urdhërim e kam marrë nga Ati im” (Gjoni 10:18). Ati derdhi gjithë fuqinë e qiellit për këtë mision dhe ia besoi fëmijës së përulur nga Nazareti. Perëndia Atë nuk kurseu asgjë. Jezusi, i cili ishte njeri në çdo aspekt që jemi dhe ne, mund të thoshte të papriturën dhe të padepërtueshmen: “Gjithë sa ka Ati janë të miat” (Gjoni 16:15). Sado që vuajti si njeri, ai nuk erdhi në tokë duarbosh; ai erdhi duke mbajtur universin. Ai erdhi si Perëndi.

Por me dashurinë e pakufishme dhe me autoritetin e padiskutueshëm të Atit të tij, ai u dërgua të vdiste. Ndieje peshën jashtëzakonisht të madhe të kuptimit të plotë të Krishtlindjes në fjalët e tij: “Jetën time e jap për delet… unë e jap jetën time… këtë urdhërim e kam marrë nga Ati im” (Gjoni 10:15 17-18). Ati nuk e dërgoi Jezusin thjesht për të marrë një trup njerëzor, por për ta ofruar atë trup si flijim. Fryma ngjizi Krishtin që të kryqëzohej për delet e humbura, endacake dhe të pashpresa – për ty dhe për mua. Jezusi u dërgua të humbiste gjithçka që ne të fitonim gjithçka. Ai u bë i varfër – në lindje, në jetë dhe në vdekje – që ne të mund të trashëgonim pasurinë e tij qiellore (2 e Korintasve 8:9).

I dërguar në dashuri, i dërguar me autoritet, i dërguar për të vdekur – dhe për të shpëtuar.

Sikurse më ka dërguar Ati mua

Mrekullia dhe pesha e Krishtlindjes – një dërgim i ngjizur në mendjen e Perëndisë përpara themelimit të botës, një dërgim mbi të cilin çdo ngjarje në histori mbahet dhe kthehet – plotëson një fjali nga Jezusi që ka kuptim therës. Jezusi i lutet Atit:

“Sikurse ti më dërgove mua në botë, po ashtu unë i dërgova ata në botë.” (Gjoni 17:18)

Asgjë nuk krahasohet me Krijuesin e universit që dërgoi shkëlqimin e vetë lavdisë së tij, vetë vulën e natyrës së tij te krijimi i vet. Derisa Jezusi të dërgon ty. Pasi ngrihet prej së vdekurish, ai e thotë sërish para se të ngjitet në qiell: “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju” (Gjoni 20:21). Sikurse Ati dërgoi Birin – caktuar para themelimit të botës, shfaqur në bukurinë, në fuqinë dhe në vlerën e pafundme të Perëndisë, duke paguar për mëkatet e njerëzve nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, ku miliarda e miliarda jetë varen në peshore – kështu Biri tani na dërgon ne tani.

Ashtu si Ati e dërgoi Birin e tij në një mision specifik dhe të mahnitshëm, po kështu Biri na ka dërguar edhe ne në një botë që ka nevojë për shpresë (Gjoni 17:21, 23). Ashtu sikurse Ati e dërgoi Birin e tij me fjalë të çmuara që t’i shpallte, po kështu Biri na ka dhënë edhe ne diçka për të thënë, një Zot të cilin ta adhurojmë dhe një porosi të cilës t’i bindemi (Gjoni 17:14; Mateu 28:19-20). Sikurse Ati ka dërguar Birin të vuante për dashurinë, po ashtu Biri dërgon delet e tij në mes të ujqërve (Mateu 10:16). Ashtu siç Ati dha gëzim për Birin e tij, po kështu Biri na ka premtuar vetë gëzimin e tij (Gjoni 17:13), pjesërisht tani dhe plotësisht në përjetësi. Sikurse Ati dërgoi Birin e tij me dashuri, po ashtu edhe Biri na ka dashur ne (Gjoni 15:13). Dhe po ashtu ai na ka dërguar në botë.

Perëndia e deshi aq botën

Ne nuk kemi zbritur prej qiellit, por në Krishtin nuk jemi prej kësaj bote. Jezusi thotë për ty dhe mua: “Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota” (Gjoni 17:16). Por, edhe pse as ai as ne nuk jemi prej kësaj bote, ai na ka vendosur këtu tani për tani. Jezusi lutet: “Dhe nuk jam më në botë, por ata janë në botë” (Gjoni 17:11). Ai nuk është më në botë, por ne jemi në botë. Në vend që të qëndronte vetë për të mbledhur delet, që nuk janë ende pjesë e tufës, ai u ngjit në kontroll të misionit – froni i universit – dhe na dërgoi ne pas tij. Pasi plotësoi misionin e tij njëherë e përgjithmonë duke siguruar shpëtimin – vepra që vetëm Jezusi mund të bënte – ai na e besoi t’i tregojmë botës atë që ai ka bërë.

Jezusi u thotë dishepujve të tij: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet” (Mateu 28:18-19). Siç ka dëgjuar Atin të thotë: “Shko”, tani ai na dërgon ne në botë–me autoritetin, fjalët, ndihmën, gëzimin dhe praninë e tij. “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20).

Te kush të ka dërguar Perëndia? Njerëzit në familjen tënde, në rrugën tënde apo afër zyrës tënde, nuk janë rezultat i rastësisë. Perëndia i vendosi me shumë dashuri pranë faljes, shpresës dhe gëzimit – duke i vendosur pranë teje. Nuk ishin gjallë para njëqind vitesh, por janë tani. Ata nuk do të jenë aty pas njëqind vitesh, por janë aty tani. Perëndia e caktoi dhe vuri çdo person në jetën tënde për lavdinë e tij (Veprat 17:26-27), ashtu siç udhëhoqi gjithë historinë njerëzore për mijëra vite para se të vinte Krishti – dhe pastaj të dërgoi ty pikërisht aty ku je – me fjalë dhe gëzim, në dashuri, për të vuajtur, për të folur dhe për të shpëtuar.

Ndërsa feston dërgimin më të jashtëzakonshëm edhe njëherë këtë Krishtlindje, kujto se Perëndia e deshi aq botën, sa të dërgoi edhe ty.

Marshall Segal është shkrimtar dhe redaktor menaxhues te desiringGod.org. Ai është autori i Not Yet Married: The Pursuit of Joy in Singleness & Dating. Ai u diplomua nga “Bethlehem College & Seminary”. Marshall dhe bashkëshortja e tij, Faye, kanë dy fëmijë dhe jetojnë në Minneapolis.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje nga  9Marks: 
 https://www.desiringgod.org/articles/god-so-loved-the-world-he-sent-you  

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

>