Po përdor fjalën përqafim, për shkak se zgjedhja e pakushtëzuar jo vetëm që është e vërtetë, por është edhe e çmuar. Sigurisht që s`ka vlerë, nëse nuk është e vërtetë. Kjo, pra, është arsyeja madhore, pse ne e përqafojmë këtë doktrinë. Gjithsesi, le të fillojmë me një përkufizim:

Zgjedhja e pakushtëzuar është zgjedhja e lirë e Perëndisë para krijimit, e pabazuar mbi besimin e paraparë në kohë, se cilëve prej tradhtarëve Perëndia do t’iu japë besim dhe pendim, do t’i falë dhe do t’i birësojë në familjen e Tij të përjetshme të gëzimit.

1. Ne e përqafojmë zgjedhjen e pakushtëzuar, për shkak se është e vërtetë

Të gjitha kundërshtimet e mia ndaj zgjedhjes së pakushtëzuar u shembën kur unë nuk mund t’i shpjegoja më Romakët 9. Ky kapitull fillon me gatishmërinë e Palit për të qenë i mallkuar dhe i ndarë nga Krishti për hir të bashkëkombësve të tij judenj, të cilët nuk besojnë (Romakëve 9:3). Kjo do të thotë se judenjtë po humbasin. Dhe kjo ngre pyetjen e premtimit të Perëndisë dhënë judenjve. A kishte dështuar ai premtim? Pali përgjigjet: “Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë" (Romakëve 9:6). Pse jo?

Sepse “jo të gjithë ata që janë nga Izraeli, janë Izrael” (Romakëve 9:6). Me fjalë të tjera, qëllimi i Zotit nuk ishte të drejtësonte çdo person individual në Izrael. Përkundrazi, ishte një qëllim zgjedhjesh.

Prandaj për të ilustruar pikën e zgjedhjes së pakushtëzuar të Perëndisë, Pali përdor analogjinë e Jakobit dhe Esaut: “Sepse para se t’i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur qëllimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret, iu tha asaj (Rebekës): ‘Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit’” (Romakëve 9:11, 12).

Me fjalë të tjera, qëllimi origjinal i Perëndisë në zgjedhjen e individëve për veten e Tij nga Izraeli—dhe nga të gjitha kombet! (Romakëve 5:9)—nuk ishte bazuar mbi ndonjë kusht që ata do të përmbushnin. Kjo ishte një zgjedhje e pakushtëzuar. Prandaj Ai thotë: “Do të kem mëshirë për atë që do të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri” (Romakëve 9:15; shih Romakëve 9:16-18; 11:5-7).

Jezusi e konfirmon këtë mësim: “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë” (Gjoni 6:37). Ardhja te Jezusi nuk është kushti që duhet të përmbushim për t’u zgjedhur. Ardhja te Jezusi është rezultat i zgjedhjes. Ati ka zgjedhur delet e Tij. Ato janë të Tijat. Dhe Ai ia jep ato Birit. Kjo është arsyja pse ata vijnë: “Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im” (Gjoni 6:65); “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur ju” (Gjoni 15:16; shih Gjoni 17:2, 6, 9; Galatasve 1:15).

Pse disa besuan dhe të tjerët jo në librin e Veprave? Përgjigjja e Lukës është: “Të gjithë sa ishin të caktuar për jetën e përjetshme besuan” (Veprat 13:48). Ky “caktim”—kjo zgjedhje—nuk ishte bazuar mbi besimin e paraparë në kohë; vetë ky caktim ishte shkaku i besimit.

Tek Efesianëve 1, Pali thotë: “[Perëndia] na zgjodhi në [Krishtin] përpara themelimit të botës... në të cilin edhe u zgjodhëm për trashëgimi, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron gjithçka sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efesianëve 1:4, 11). “Këshilli i vullnetit të Perëndisë” është vendim i përjetshëm në këtë çështje.

Çfarë do t’i thuash Perëndisë në ditën e gjykimit kur Ai të të pyesë: “Pse besove në Birin tim, ndërsa të tjerët nuk besuan?” Nuk do të thuash: “Për shkak se unë jam më i zgjuar.” Jo! Sigurisht që do të thuash: “Për shkak të hirit Tënd! Nëse Ti nuk do të më kishe zgjedhur, do të kisha mbetur frymërisht i vdekur, joreagues dhe fajtor.”

2. Ne e përqafojmë zgjedhjen e pakushtëzuar, për shkak se Perëndia e planifikoi për të na bërë sypatrembur në shpalljen tonë të hirit të Tij në një botë armiqësore

“Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?... Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë?" (Romakëve 8:31, 33).

3. Ne e përqafojmë zgjedhjen e pakushtëzuar, për shkak se Perëndia e planifikoi për të na bërë ne të përulur

“Por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët... që asnjë mish të mos mburret përpara tij... Ai që mburret, le të mburret në Zotin” (1 e Korintasve 1:27; 29; 31).

4.  Ne e përqafojmë zgjedhjen e pakushtëzuar, për shkak se Perëndia e ka bërë një shtysë të fuqishme morale për dhembshuri, mirësi dhe falje

“Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur: përdëllim dhembshurie, mirësi... duke falur njëri-tjetrin” (Kolosianëve 3:12-13). Askush nuk e ka parë dhe nuk e ka shijuar me të vërtetë këtë zgjedhje, nëse së pari nuk është motivuar prej saj që të bëhet i mirë, i duruar dhe falës.

5.  Ne e përqafojmë zgjedhjen e pakushtëzuar, për shkak se kjo është një nxitje e fuqishme në ungjillëzimin tonë për t’i ndihmuar jobesimtarët të mos dëshpërohen, duke qenë se vetë janë mëkatarë të mëdhenj

Kur ne jua ofrojmë Krishtin falas të gjithë jobesimtarëve, le të themi që njëri prej tyre thotë: “Unë kam mëkatuar në mënyrë shumë të tmerrshme. Perëndia nuk mund të zgjedhë kurrë të më shpëtojë mua.” Gjëja më e madhe që e shkatërron këtë dëshpërim dhe që ju mund t’i thoni është kjo: A e kupton që Perëndia zgjodhi para themelimit të botës se cilët do të shpëtonte? Ai e bëri këtë zgjedhje duke mos u bazuar në asnjë gjë në ty. Para se të kishe lindur apo të kishe bërë ndonjë gjë të mirë apo të keqe, Perëndia zgjodhi, nëse do të të shpëtonte ose jo.

Prandaj, nuk mund të guxosh të dalësh para Perëndisë dhe t’i thuash Atij se cilat kualifikime të mungojnë, në mënyrë që të zgjidhesh. Nuk ka kualifikime për t’u zgjedhur. “Epo çfarë tjetër të bësh?”, pyet ai. “Beso në Zotin Jezus dhe do të shpëtohesh” (Veprat 16:31). Kjo është mënyra se si ti fillon ta “përforcosh thirrjen dhe zgjedhjen tënde” (2 e Pjetrit 1:10). Nëse e përqafon Shpëtimtarin, do të vërtetosh se je i zgjedhur dhe do të shpëtohesh.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Tre prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika–Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, dhe Virusi korona dhe Krishti.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/five-reasons-to-embrace-unconditional-election

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore:
Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Një Perëndi të cilin mund ta dua
Robër të nxitimit
Si mund të gjejmë prehje kur gjendemi përballë fatkeqësish të tmerrshme?
>