artikull

Gusht 2022


Ta mbrosh hedonizmin e krishterë përmes shtjellimit të Biblës është një gjë; por t’i ndihmosh njerëzit që ta ndiejnë frymën e tij, është diçka tjetër. Kjo e fundit është më e vështirë. Pikërisht këtë do të përpiqem të bëj në këtë artikull.

Por fillimisht, çfarë është hedonizmi i krishterë?

Hedonizmi i krishterë është një stil jete i rrënjosur në bindjen se Perëndia përlëvdohet më tepër në ne kur ne kënaqemi më tepër në të. Degët dhe frutat e kësaj rrënje janë gjithëpërfshirëse dhe emocionuese. Ato përfshijnë rrjedhojën e mahnitshme që i gjithë virtyti dhe adhurimi i vërtetë përfshin detyrimisht kërkimin e lumturisë në Perëndinë.

Arsyeja për këtë është se i gjithë virtyti dhe adhurimi i vërtetë duhet të përfshijnë synimin për të përlëvduar Perëndinë, sepse ne u krijuam për ta përlëvduar Atë (Isaia 43:7) dhe sepse Pali tha: “Nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 e Korintasve 10:31). Prandaj, është mëkat t’i biesh pas ndonjë vepre të mirë, apo ndonjë akti adhurimi, pa pasur si synimin lavdërimin e Perëndisë.

Por Perëndia nuk përlëvdohet kur ne e çmojmë Atë si më pak të kënaqshëm se gjërat e tjera. Në fakt, kështu Ai nënçmohet. Duke e ditur këtë, s’mund të tregohemi shpërfillës ndaj faktit nëse e përjetojmë Perëndinë si të kënaqshëm në veprimet që bëjmë. Në të gjitha ato veprime, nëse duam ta përlëvdojmë Perëndinë, duhet të synojmë që ta shohim Atë si më të kënaqshëm se çdo gjë tjetër.

Kur Jezusi tha: “Më lum është të japësh sesa të marrësh” (Veprat e Apostujve 20:35), ai nuk donte të thoshte se duhet ta shpërfillim këtë fakt kur japim. Në fakt, në të njëjtin tekst, Pali thotë se ne duhet “ta kujtojmë” atë që Jezusi tha teksa japim. Dëshira për të marrë bekim kur u japim të tjerëve është egoiste dhe e korruptuar, vetëm nëse bekimi që dëshirojmë, nuk është vetë Perëndia dhe nuk synon që t’i sjellë të tjerët në të njëjtin gëzim përmes dhënies sonë.

Të kuptojmë një frazë të dashur

Megjithatë, e gjithë kjo nuk paraqet plotësisht frymën — ndjesinë, shpirtin, tonin — e Hedonizmit të Krishterë. Shprehja biblike që kemi përmendur më shpesh se çdo tjetër për ta përmbledhur këtë ton, është marrë nga 2 e Korintasve 6:10: “si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar.”

Rrallëherë e komentoj këtë shprehje për ta shtjelluar apo të jap ilustrime. Tani dua t’i bëj të dyja shkurtimisht.

Te 2 e Korintasve 6:3-10, Pali është duke ilustruar se si ai nuk i është bërë pengesë askujt me stilin e vet të jetës (vargu 3), por përkundrazi, e paraqet veten si autentik në çdo mënyrë që mundet–me tridhjetë përvoja të ndryshme!

Mes këtyre të tridhjetave, gjendet shprehja “si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar”. Kjo shprehje gjendet mes antonimeve të ngjashme: “si mashtrues, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur mirë; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë; si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë kurrgjë, por kanë gjithçka” (2 e Korintasve 6:8-10).

Çfarë është e vërtetë për Palin

Një herë më pyetën pse e trajtoj “trishtimin” si diçka të vërtetë për Palin, kur të tjerët në këtë listë përmbajnë diçka të rreme, e cila më pas korrigjohet. Si për shembull: “...si gënjeshtarë, por të vërtetë”? Ndoshta Pali e kishte fjalën se ai shihej si një njeri i trishtuar, por që në të vërtetë nuk ishte i tillë. Përkundrazi, ai ishte gjithmonë i gëzuar.

Arsyeja pse nuk mendoj se Pali nënkupton këtë, është se ai kalon nga antonimet, që bëjnë kontrastin e së rremes me të vërtetën (“si gënjeshtarë, por të vërtetë”), në antonime që janë të dyja të vërteta (“si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur”).

Në mënyrën e të menduarit të Palit: “të panjohur”, “që vdesin”, “të ndëshkuar ”, “të brengosur”, “të varfër” dhe “njerëz që s’kanë kurrgjë” janë të gjitha të vërteta për të. Ndaj në fillim të vargut 9, ai kalon nga pretendimet e rreme që korrigjohen me të vërtetat, dhe nis të rendisë dyshe që janë njëkohësisht të vërteta, por paradoksale: të panjohur/të njohur, që vdesin/jetojmë, të ndëshkuar/jo të vrarë, të brengosur/të gëzuar, të varfër/shumë veta i bëjmë të pasur.

Prandaj, po, Pali e mendon vërtet veten si “të pikëlluar”, gjë që nuk është për t’u habitur në pikëpamjen e Romakëve 9:2: “kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time... për farefisin tim sipas mishit.” Trishtim dhe ankth “i vazhdueshëm”. E mahnitshme!

Nëse kjo ishte e vërtetë për apostullin e madh të gëzimit, sa më tepër është e vërtetë për ne. Sigurisht që edhe jeta jonë do të karakterizohet nga pikëllime (dhe gëzime) të vazhdueshme. Nëse nuk kemi trishtim, mund të jetë për shkak se nuk i duam të humburit ashtu siç i donte Pali.

Lloji serioz i gëzimit

Pra, fryma e hedonizmit të krishterë nuk është një lumturi apo gëzim kalimtar, i cekët, qesharak, i papërfillshëm, i vogël, i pamend apo komik. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e mënyrës se si disa njerëz e bëjnë kishën, është e huaj për hedonizmin e krishterë. Gëzimi i hedonizmit të krishterë nuk është komik. Hedonizmi i krishterë mund të mposhtet plotësisht me të qeshura, por kjo nuk ka të bëjë shumë me një mendjelehtësi të përhapur, e cila nuk ka pothuajse aspak vend për gëzim serioz.

C. S. Lewis tha: “Gëzimi është puna serioze e qiellit” (Letters to Malcolm, 1964, 299). Amen. Dhe ai tha: “Ne duhet të luajmë! Por hareja jonë duhet të jetë i atij lloji (dhe është, në fakt, lloji më i gëzuar) që ekziston midis njerëzve, të cilët që nga fillimi e kanë marrë njëri-tjetrin seriozisht–pa mospërfillje, pa epërsi, pa mendjemadhësi” (Christian Reflections, 1967, 10).

Ka një zemër të butë, që gëzohet me ata që gëzohen, dhe qan me ata që qajnë–njëkohësisht. Herë bëhet e dukshme njëra. Herë tjetra. Por secila i jep shije tjetrës. Ju mund të përjetoni shijen e veçantë të këtij gëzimi dhe pikëllimi.

Këtu kemi një ilustrim përmbyllës të asaj se si duket apo si ndihet ky gëzim. Ky ilustrim është marrë nga libri Religious Affections i Jonathan Edwards. Ky është hedonisti i krishterë në gjendjen e tij më të mirë.

Ndërkohë që ka më shumë guxim të shenjtë, ai ka edhe më pak vetëbesim... dhe më shumë modesti. Ndërkohë që ai është më i sigurt se të tjerët për çlirimin nga ferri, po kështu ai mbart më shumë ndjesinë e shkretisë së ferrit. Ai është më pak i prirur se të tjerët për t’u lëkundur në besim, por gjithashtu më i prirur për t’u prekur nga paralajmërimet solemne, nga zemërimi i Perëndisë dhe nga fatkeqësitë e të tjerëve. Ai ka ngushëllimin më të fortë, por dhe zemrën më të butë: është më i pasur se të tjerët, por edhe më i varfri nga të gjithë në shpirt; shenjtori më i shtatlartë dhe më i fortë, por edhe fëmija më i vogël dhe më i dhembshur mes tyre. (Works, vëll. 2, Yale, 364)

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/the-ethos-of-christian-hedonism-sorrowful-yet-always-rejoicing       
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim
>