artikulli 3

Gusht 2022


Gjashtë të vërteta biblike

A e dije që Perëndia na urdhëron të jemi të gëzuar?

Gjej kënaqësinë tënde në ZOTIN dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

(Psalmi 37:4)

1) Perëndia na krijoi për lavdinë e tij

Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time.” (Isaia 43:6-7)

Perëndia na krijoi që ta zmadhojmë madhështinë e tij ashtu si teleskopi zmadhon yjet. Ai na krijoi që të shpalosim mirësinë, të vërtetën, bukurinë, urtësinë dhe drejtësinë e tij. Shfaqja më e madhe e lavdisë së Perëndisë vjen prej kënaqësisë së thellë në gjithë sa ai është. Kjo do të thotë që Perëndia merr lavdërimin dhe ne kënaqësinë. Perëndia na krijoi që ai të lavdërohet më tepër në ne kur ne të kënaqemi më tepër në të.

2) Çdo njeri duhet të jetojë për lavdinë e Perëndisë

Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha këto t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.” (1 e Korintasve 10:31)

Nëse Perëndia na krijoi për lavdinë e tij, është e qartë që duhet të jetojmë për lavdinë e tij. Detyra jonë vjen nga projektimi i tij. Prandaj detyrimi ynë i parë është të tregojmë vlerën e Perëndisë duke u kënaqur me gjithë sa ai është për ne. Ky është thelbi i dashurisë për Perëndinë (Mateu 22:37), i të besuarit tek ai (1 e Gjonit 5:3-4) dhe të qenët mirënjohës ndaj tij (Psalmi 100:2-4). Kjo është rrënja e gjithë bindjes së vërtetë, në mënyrë të veçantë e dashurisë për të tjerët (Kolosianëve 1:4-5).

3) Të gjithë ne kemi dështuar për ta lavdëruar Perëndinë si duhet

“Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë.” (Romakëve 3:23)

Çfarë do të thotë “të mos e arrish lavdinë e Perëndisë”? Do të thotë që asnjëri prej nesh nuk i ka besuar dhe nuk e ka çmuar Perëndinë ashtu si duhet. Ne nuk jemi kënaqur me madhështinë e tij dhe nuk kemi ecur në udhët e tij. Kemi kërkuar kënaqësinë tonë në gjëra të tjera dhe i kemi trajtuar ato si më të vlefshme se Perëndinë, gjë e cila është thelbi i idhujtarisë (Romakëve 1:21-23). Që nga momenti kur mëkati hyri në botë, ne të gjithë kemi qenë shumë këmbëngulës për të mos e pasur Perëndinë si thesarin tonë që na kënaq plotësisht (Efesianëve 2:3). Ky është një ofendim i tmerrshëm ndaj madhështisë së Perëndisë (Jeremia 2:12-13).

4) Të gjithë ne jemi nën dënimin e drejtë të Perëndisë

Paga e mëkatit është vdekja…” (Romakëve 6:23)

Ne të gjithë e kemi nënçmuar lavdinë e Perëndisë. Si? Duke preferuar gjëra të tjera më shumë se atë, përmes mosmirënjohjes tonë, mosbesimit dhe mosbindjes. Prandaj Perëndia tregohet i drejtë kur na privon nga kënaqësia me lavdinë e tij përgjithmonë. “Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e forcës së tij.” (2 e Thesalonikasve 1:9).

Fjala “ferr” përdoret katërmbëdhjetë herë në Dhiatën e Re, dymbëdhjetë herë nga vetë Jezusi. Ky nuk është një mit i krijuar nga predikuesit e zymtë dhe të inatosur. Ky është një paralajmërim solemn nga Biri i Perëndisë, i cili vdiq për t’i çliruar mëkatarët nga mallkimi i ferrit. Ne rrezikojmë shumë duke e injoruar ferrin.

Nëse Bibla do të ndalonte këtu në analizën e saj të gjendjes njerëzore, ne do ishim të mallkuar me një të ardhme pa shpresë. Sidoqoftë, Bibla nuk ndalon këtu…

5) Perëndia dërgoi birin e tij të vetëm, Jezusin, për të siguruar jetë dhe gëzim të përjetshëm

Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët...” (1 e Timoteut 1:15)

Lajmi i mirë është se Krishti vdiq për mëkatarë si ne. Ai u ringjall fizikisht prej së vdekurish për të vërtetuar fuqinë shpëtuese të vdekjes së tij, dhe për të hapur portat e jetës dhe gëzimit të përjetshëm. (1 e Korintasve 15:20). Kjo do të thotë se Perëndia mund të drejtësojë fajtorin dhe ende të tregohet i drejtë (Romakëve 3:25-26). “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia.” (1 e Pjetrit 3:18). Kthimi në shtëpi pranë Perëndisë është vendi ku gjendet gjithë kënaqësia e thellë dhe e përjetshme.

6) Përfitimet e blera përmes vdekjes së Krishtit u përkasin atyre që pendohen dhe i besojnë atij

Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja” (Veprat 3:19). '”Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh” (Veprat 16:31).

“Pendim” do të thotë të largohesh nga të gjitha premtimet mashtruese të mëkatit. “Besim” do të thotë të kënaqesh me gjithë sa Perëndia premton të jetë për ne në Jezusin. Jezusi tha: “Kush beson në mua, tha Jezusi, “nuk do të ketë më kurrë etje.” (Gjoni 6:35). Ne nuk e fitojmë shpëtimin tonë. Nuk mund ta meritojmë atë (Romakëve 4:4-5). Shpëtimi është me anë të hirit nëpërmjet besimit (Efesianëve 2:8-9) dhe është dhuratë falas (Romakëve 3:24). Do ta kemi nëse e çmojmë më tepër se gjithçka tjetër (Mateu 13:44). Kur e bëjmë këtë, synimi i Perëndisë në krijim plotësohet, Ai përlëvdohet në ne kur ne kënaqemi në të–përgjithmonë.

A ka kuptim kjo për ty?

A e dëshiron atë lloj gëzimi që vjen prej kënaqësisë me gjithë sa Perëndia është për ty në Jezu Krishtin? Nëse po, atëherë Perëndia po punon në jetën tënde.

Çfarë duhet të bësh?

Largohu nga premtimet mashtruese të mëkatit! Lutu Jezusit të të shpëtojë nga faji, ndëshkimi dhe zgjedha. “Kushdo, që do ta thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet” (Romakëve 10:13). Fillo ta mbështesësh shpresën tënde në gjithë sa Perëndia është për ty në Jezusin. Thyeje fuqinë e premtimeve të mëkatit me anë të besimit në kënaqësinë superiore të premtimeve të Perëndisë. Fillo ta lexosh Biblën për të zbuluar premtimet e tij të çmuara dhe shumë të mëdha, të cilat mund të të çlirojnë (2 e Pjetrit 1:3-4). Gjej një kishë që e beson Biblën dhe fillo të adhurosh e të rritesh së bashku me njerëz të tjerë që e çmojnë Krishtin mbi gjithçka tjetër (Filipianëve 3:7).

Lajmi më i mirë në botë është që nuk ekziston asnjë konflikt mes lumturisë tonë dhe shenjtërisë së Perëndisë. Të qenët i kënaqur me gjithë sa Perëndia është për ne në Jezusin e lartëson atë si një Thesar të madh.

Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka plot gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.” (Psalmi 16:11)

PËRDORIME TË FJALËS “FERR” NË DHIATËN E RE

Por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të vet, do të jetë fajtor për në gjyq; dhe kush i thotë vëllait të vet: ‘Rraka’, do të jetë fajtor për në sinedër; dhe kush do t’i thotë: ‘Budalla’, do të jetë fajtor për në zjarrin e ferrit.” (Mateu 5:22, e thënë nga Jezusi)

Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua, sesa të hidhet në ferr gjithë trupi yt. (Mateu 5:29, e thënë nga Jezusi)

Dhe, në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua, sesa të hidhet në ferr gjithë trupi yt. (Mateu 5:30, e thënë nga Jezusi)

Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; por kini frikë më tepër nga ai që mund t’jua humbë edhe shpirtin, edhe trupin në ferr. (Mateu 10:28, e thënë nga Jezusi)

Po ashtu, në qoftë se syri yt të shtyn për mëkat, nxirre dhe hidhe prej teje; është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy sesa t'i kesh të dy dhe të të hedhin në ferr të zjarrit. (Mateu 18:9, e thënë nga Jezusi)

Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë proselit, dhe kur bëhet, e bëni atë bir të ferrit dhe dy herë më shumë se ju! (Mateu 23:15, e thënë nga Jezusi)

O gjarpërinj, o pjellë nepërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të ferrit? (Mateu 23:33, e thënë nga Jezusi)

Dhe nëse dora jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh dorëcung në jetë, sesa të kesh të dyja duart dhe të shkosh në ferr, në zjarrin e pashueshëm. (Marku 9:43, e thënë nga Jezusi)

Dhe nëse këmba jote të skandalizon për mëkat, preje; është më mirë për ty të hysh i çalë në jetë, sesa të kesh dy këmbë dhe të të hedhin në ferr, në zjarrin e pashueshëm. (Marku 9:45, e thënë nga Jezusi)

Dhe nëse syri yt të skandalizon për mëkat, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë sesa të kesh dy sy dhe të të hedhin në ferr të zjarrit. (Marku 9:47, e thënë nga Jezusi)

Por unë do t’ju tregoj prej kujt duhet të keni frikë: druani nga ai që, pasi ka vrarë, ka pushtet të të hedhë në ferr; po, po ju them, nga ai të keni frikë. (Luka 12:5, e thënë nga Jezusi)

Dhe në ferr, duke qenë në mundime, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij. (Luka 16:23, e thënë nga Jezusi)

Edhe gjuha është zjarr, botë padrejtësie; kështu është vendosur gjuha midis gjymtyrëve tona, ajo e fëlliq gjithë trupin dhe ndez rrotën e jetës dhe ndizet nga ferri. (Jakobi 3:6, e thënë nga Jakobi)

Sepse, në qoftë se Perëndia nuk i kurseu engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në skëterrë të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq. (2 e Pjetrit 2:4, e thënë nga Pjetri)

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, Virusi Korona dhe Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh, Soditja dhe Shijimi i Jezu Krishtit.


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/quest-for-joy       
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

>