Korrik 2026


Jepu Perëndinë (jo moralizëm)

Të përgjërohem, mos iu drejto brezit të ardhshëm thjesht me moralizëm, as me bindjet e së djathtës (“mos bëj seks, shko në kishë, shpalle besimin tënd, largoju drogave”), as me bindjet e së majtës (“riciklo, gërmo një pus uji, ushqe të pastrehët, bli një byzylyk që paratë të shkojnë për bamirësi”). Ungjilli nuk është një mesazh që na tregon se ç’duhet të bëjmë ne për Perëndinë, por se çfarë ka bërë Perëndia për ne. Prandaj, kape brezin e ri me lajmin e mirë se kush është Perëndia dhe çfarë ka bërë Ai për ne.

Me sa duket, disa prej nesh janë thuajse të frikësuar t’u flasin njerëzve për Perëndinë. Ndoshta sepse nuk e njohim me të vërtetë. Ndoshta sepse preferojmë të merremi me vogëlsira. Ose ndoshta, njohja e Perëndisë nuk na duket si përfitim i madh në jetën e përditshme. Unë duhet ta luftoj këtë mosbesim në vetë jetën time. Ah, sikur të besoja se Perëndia mjafton për t’i fituar zemrat dhe mendjet e brezit të ardhshëm! Është vepra e Tij, shumë më tepër nga sa është imja apo jotja. Ndaj vëre Perëndinë të parin, vëre në qendër. Le të mos i ngatërrojmë shprehjet e përsëritura shumë herë me thellimin. Të mos shpallim një perëndi të panjohur, kur, në fakt, e dimë se kush është Perëndia (Veprat 17:23). Le të mos e zvogëlojmë Perëndinë sipas nivelit tonë. Nëse ka pasur ndonjë kohë kur njerëzit kanë dëshiruar një Perëndi të këtyre përmasave, është koha në të cilën jetojmë ne.

Jepu një Perëndi që është i shenjtë, i pavarur dhe ndryshe nga ne — një Perëndi që është i mirë, i drejtë, plot me zemërim, por edhe plot me mëshirë. Jepu një Perëndi që është sovran, i fuqishëm, i butë dhe i vërtetë. Jepu një Perëndi të palëmuar. Jepu një Perëndi të pandryshuar, ashtu siç është në të vërtetë, që i bën të ndihen të vlerësuar e të sigurt, por edhe të vegjël dhe jo rehat. Jepu një Perëndi që e bën gjithçka të bashkëveprojë sipas këshillës së vullnetit të tij dhe për lavdinë e emrit të vet. Jepu një Perëndi, dashuria e të cilit derdhet dhe jepet falas. Jepu një Perëndi nga i cili mahnitesh e para të cilit druhesh, një Perëndi aq të madh që meriton gjithë besimin, shpresën dhe dashurinë tonë.

Perëndia si qendër

A e dinë miqtë e tu, kisha jote, fëmijët e tu se Perëndia është qendra e universit? A e shohin ata që ai është në qendër të jetës sate?

Imagjino sikur të shihje në ëndërr dikë të ulur mbi një fron. Në këtë ëndërr, froni rrethohet nga një ylber. Njëzet e katër burra qëndrojnë rreth fronit. Vetëtima dhe bubullima dalin prej tij. Shtatë llamba ndrijnë në këmbët e fronit. Një det i qelqtë shtrihet para tij. Katër krijesa të çuditshme i qëndrojnë përreth, duke falënderuar atë që rri ulur mbi fron. Dhe të njëzet e katër tipat bien përpara atij që është ulur mbi fron. Nuk do të të duhej të nxirrje Jozefin nga burgu për ta kuptuar këtë ëndërr. Froni është qendra figurative dhe e drejtpërdrejtë e vegimit. Kuptimi i vegimit është Perëndia.

Jepu një Perëndi nga i cili mahnitesh e para të cilit druhesh, një Perëndi aq të madh që meriton gjithë besimin, shpresën dhe dashurinë tonë.

Pa dyshim që kjo nuk është një ëndërr e zakonshme. Është vegimi i Gjonit nga Zbulesa 4. Dhe tashmë është realitet. Perëndia është shumë më thelbësor, më ndikues dhe më i qëndrueshëm sesa dhimbja, frika, tundimi, kundërshtimet, makijazhi, veshjet, videolojërat, videot për të qeshur, gjuha e papërshtatshme, teknologjia më e fundit apo çfarëdo gjëje tjetër për të cilën kultura jonë thotë se duhet të jetë e rëndësishme për të rinjtë. Çfarë ka rëndësi tani dhe në përjetësi është adhurimi i pandërprerë i atij që rri ulur mbi fron.

Ndërsa përpiqesh ta arrish brezin e ardhshëm për Krishtin, ti mund t’i mahnitësh ata me zgjuarsinë tënde, me humorin tënd ose me pamjen tënde, ose mund t’i mahnitësh me Perëndinë. Unë kam nevojë për shumë gjëra në jetë. Kam orare të detajuara dhe shumë lista me gjëra për t’u bërë. Kam nevojë për ushqim, ujë dhe strehim. Kam nevojë për gjumë. Kam nevojë të ushtrohem e të ha më mirë. Megjithatë, nevoja ime dhe jotja më e madhe është kjo: të njohim Perëndinë, të duam Perëndinë, të kënaqemi në Perëndinë dhe të përnderojmë Perëndinë.

Kemi një mundësi të jashtëzakonshme para nesh. Shumica e njerëzve jetojnë një jetë dritëshkurtër, pa peshë. Ne mund t’u japim atyre thelb të brendshëm, jo thjesht një stil të jashtëm. Ne mund t’u tregojmë atyre një Perëndi të madh, për t’i ndihmuar që t’u japin kuptim jetëve të tyre që mpaken. Mund t’i drejtojmë te gjërat e larta, në vend që t’i drejtojmë te vogëlsirat. Ne mund t’i arrijmë ata me diçka që zgjat dhe që është shumë më e fuqishme se mjetet e lojërat. Ne mund t’i arrijmë me Perëndinë.

Imagjinojeni këtë. Të arrish brezin e ardhshëm për Perëndinë duke u treguar shumë se kush është Perëndia. Tingëllon si çmenduri, por funksionon!


Ky artikull është përshtatur nga The (Not-So-Secret) Secret to Reaching the Next Generation, shkruar nga Kevin DeYoung.


Botuar me lejehttps://clearlyreformed.org/amaze-the-next-generation-with-god/

Përktheu: Sara Jaupllari | Redaktoi: Lea Allkoja

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2026 


Etiketa

Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
18 korrik – Mbreti i Perëndisë
17 korrik – Ruhu nga mosbesimi