“Pastaj Perëndia i tha [Jakobit]: ‘Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm; ti bëhu i frytshëm dhe shumëzohu; një komb, madje një tërësi kombesh do të rrjedhin prej teje, dhe disa mbretër kanë për të dalë nga ijët e tua.’” ZANAFILLA 35:11
Libri i Gjyqtarëve tregon historinë e izraelitëve në Tokën e Premtuar pas vdekjes së udhëheqësit të tyre, Jozueut. Kjo është një histori dëshpëruese, sepse njerëzit shumë shpejt u rebeluan, duke filluar kështu një cikël që përsëritet në të gjithë librin. Së pari, njerëzit mëkatuan; së dyti, Perëndia lejoi që ata të mposhteshin dhe të shtypeshin; së treti, ata thirrën për ndihmë; dhe, së katërti, Perëndia ndërhyri duke ngritur një gjykatës ose udhëheqës, për t’i mundur armiqtë e Izraelit dhe për të rivendosur paqen në vend. Mirëpo paqja nuk zgjati kurrë aq shumë, përpara se sekuenca të përsëritej.
Gjatë gjithë periudhës së gjyqtarëve, Izraeli ishte në kolaps — fetar, shoqëror, moral dhe ekonomik. Si reagim, njerëzit filluan të mendonin se jeta do të ishte shumë më e mirë nëse do të caktohej një mbret, ashtu siç Perëndia i kishte thënë Jakobit se do të ndodhte. Megjithatë, duke kërkuar që të ishin si kombet përreth tyre, ata e hodhën poshtë mbretërimin e Perëndisë — pikërisht atë që i bënte unikë. Ata donin një monarki në vend të një teokracie. Dhe, në vend që të kërkonin një mbret që do të qeveriste nën autoritetin e Perëndisë dhe do t’i udhëhiqte në bindje ndaj sundimit të Tij, ata po kërkonin një mbret që do të sundonte në vend të Tij.
Çuditërisht, pavarësisht nga mëkatshmëria e motiveve të izraelitëve, Perëndia e përmbushi kërkesën e tyre. Më pas, shumë mbretër erdhën në Izrael, por mbreti për të cilin kishin vërtet nevojë, nuk erdhi asnjëherë. Ende pritej që të vinte dikush më i madh.
Në një mënyrë që vetëm Ai mund ta orkestronte, Perëndia e përdori kërkesën dritëshkurtër të popullit për të pasur një mbret si ata të kombeve të tjera, për të përmbushur qëllimin e Tij përfundimtar për një Mbret që një ditë do t’i sundonte ato kombe. Përfundimisht, linja mbretërore e Izraelit do të kulmonte në Jezusin, Mbretin që do të vinte, të cilin Perëndia e kishte premtuar — një mbret për të cilin thuhet: “Skeptri nuk do t’i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu; dhe atij do t’i binden popujt” (Zanafilla 49:10). Mbretëria e vërtetë do të themelohej nga Mesia, i cili do të sundonte nën autoritetin e Perëndisë dhe do të ishte dhurata e Tij supreme për një popull të padenjë.
Shihni sa e pamasë është madhështia e Perëndisë, aq e pamasë saqë Ai është në gjendje për të përfshirë në qëllimet e Tij edhe kërkesa të pamenda dhe motive të këqija! Perëndia është më i madh se zgjedhjet tona, madje edhe se gabimet tona. Ai është sovran mbi çdo hap të gabuar. Edhe pse ne, ashtu si Izraeli, mund të dështojmë ndonjëherë, mund t’i besojmë me siguri Perëndisë që t’i kapërcejë dështimet tona, ndërsa përmbush qëllimet e Tij. Sot, ne mund t’i bindemi me kënaqësi Mbretit të Tij në jetën tonë dhe jo të kërkojmë t’i shërbejmë dikujt ose diçkaje në vend të Tij.
