“Prandaj, ashtu siç thotë Fryma e Shenjtë: ‘Sot, po të dëgjoni zërin e tij, të mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në rebelim, gjatë ditës së sprovimit në shkretëtirë, ku më sprovuan etërit tuaj me anë provimi dhe panë veprat e mi për dyzet vjet…’” HEBRENJVE 3:7-10
Përpara se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, Perëndia i urdhëroi të dërgonin dymbëdhjetë vëzhgues në Kanaan për një mision zbulimi. Dy prej tyre, Jozueu dhe Kalebi, janë të famshëm për “raportin e tyre si pakicë”, sipas të cilit arritën në përfundimin që toka ishte gati për t’u marrë në zotërim. Megjithatë, populli nuk i dëgjoi, duke treguar mosbesim ndaj Perëndisë. Pavarësisht nga të gjitha provat që kishin pasur për besueshmërinë e Perëndisë, izraelitët shpejt iu kthyen besimit në gjykimin e tyre.
Në një çast mosbesimi, njerëzit kishin frikë se do të vdisnin nëse do të zgjidhnin të mbështeteshin në fuqinë e Perëndisë, siç po i nxisnin Kalebi dhe Jozueu, për të mposhtur një armik të madh (Numrat 13:25 – 14:4). Perëndia reagoi me gjykim: në vend që të shijonin Tokën e Premtuar, një brez i tërë e kaloi pjesën e mbetur të jetës së tyre në shkretëtirë, duke mos e përjetuar kurrë gëzimin që u kishte ofruar Perëndia (14:21-23).
Ashtu si izraelitët, ju dhe unë priremi nga mosbesimi. Shkrimtari i Hebrenjve na paralajmëron: “Kini kujdes, vëllezër, se mos të gjendet në ndonjë nga ju një zemër e ligë mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë” (Hebrenjve 3:12). Një nxitje e tillë nuk do të ishte e nevojshme nëse nuk do të ishte e mundur që ne të kishim zemra mëkatare dhe mosbesuese! Ne duam të mëkatojmë. Ne duam të ndjekim rrugën tonë. Ne nuk duam të besojmë.
Mosbesimi na ngurtëson dhe kur Bibla predikohet, në vend që fjala e Perëndisë të vijë në zemrat dhe mendjet tona si fara të mbjella në tokën e gatshme, zemrat dhe mendjet tona bëhen si një çati prej llamarine të valëzuar. Sa më shumë që na jepet mësim nga Bibla, aq më tepër dobësohet efekti i saj në ne dhe bëhet i ngjashëm me shiun që bie vazhdimisht mbi llamarinën, në të cilën nuk mund të depërtojë dot.
Prandaj, tregohu vigjilent, në mënyrë që zemra jote të mos bëhet e papërshkueshme nga e vërteta e Shkrimit. Ki kujdes që të mos bëhesh dikush që e mbron Biblën, që u tregon të tjerëve për të dhe citon prej saj, por ndërkohë e ngurtëson zemrën ndaj asaj që Perëndia po të thotë në të.
Si të mbrohemi nga një mosbesim i tillë? Nxiti të tjerët të kujtojnë atë që Perëndia ka bërë në Krishtin dhe përmes Tij, dhe kërkoju atyre të bëjnë të njëjtën gjë për ty (Kolosianëve 3:16). Kërkoji të njëjtit Frymë që e ka shkruar Shkrimin, të veprojë në zemrën tënde ndërsa e dëgjon zërin e Tij. Teksa të kujtohet fuqia dhe kujdesi i Perëndisë dhe teksa Fryma vepron në ty, zemra jote do të zbutet për t’i pranuar farat e fjalës së Tij.
