“Gëzohuni në Zotin, gjithmonë! Përsëri do ta them: gëzohuni!” FILIPIANËVE 4:4
Si duhet të gëzohemi gjithmonë? A është e mundur vallë që ta arrijmë këtë? A mos vallë duhet ta kuptojmë nxitjen e Palit për t’u gëzuar “në Zotin, gjithmonë” si një lloj deklarate hiperbolizuese, një deklaratë të cilën ai nuk kishte kurrë për qëllim që ne ta përjetonim realisht në jetën tonë të krishterë?
Jo, nuk duhet! Pali e kishte me gjithë mend atë që tha. Si besimtarë, ne duhet që me të vërtetë të gëzohemi gjithmonë.
Një prej arsyeve pse përjetojmë vështirësi në këtë thirrje është ngaqë për gëzimin priremi të mendojmë në të njëjtën mënyrë të gabuar siç mendojmë edhe për dashurinë — domethënë, si një produkt të emocioneve tona dhe jo si një shërbëtor të vullnetit tonë. Kur e shohim kështu, gëzimi kthehet në një produkt të rrethanave dhe të ndjenjave tona. Me një pikëpamje të tillë është e mundur të gëzohemi vetëm kur ndihemi mirë, kur dielli shkëlqen dhe kur gjithçka duket se po shkon ashtu siç duam ne.
Mirëpo Bibla e ka me gjithë mend kur na thotë të gëzohemi gjithmonë, duke përfshirë edhe rastet kur jeta nuk është ashtu siç do të dëshironim, kur retë janë mbledhur dhe ne ndihemi keq. Prandaj, ne duhet të përpiqemi ta kuptojmë gëzimin.
Te Habakuku 3, lexojmë që profeti u drodh për shkak të ditës së fatkeqësisë që do të vinte (3:16). Çdo gjë në sferën e ndjenjave e çonte Habakukun drejt panikut. Mirëpo, në vend që t’i dorëzohej shqetësimit, ai ia nënshtroi ndjenjat e tij së vërtetës që dinte për Siguruesin e tij. Mbi forcën e mendimit të drejtë, Habakuku arriti në këtë përfundim: “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem te ZOTI…” (vargjet 17-18, theksimi i shtuar). Ai demonstron që është e mundur të gëzohemi gjithmonë — madje edhe në mes të sprovave të mëdha dhe të dhimbjes së thellë — kur gëzimi ynë nuk varet nga faktorët e jashtëm, por vetëm nga Perëndia.
Perëndia ka vendosur që mendësia jonë duhet të udhëzohet dhe të marrë trajtë nga zbulesa e Tij — nga ajo që Ai na ka zbuluar për Veten përmes fjalës dhe krijimit të Tij. Nëse përdorim fjalët e Johannes Kepler-it, një shkencëtari të shekullit të 16-të, ne duhet t’i “përputhim mendimet tona me ato të Perëndisë”. Ndërsa mësojmë të mendojmë si duhet, ne do të jemi gjithnjë e më shumë në gjendje për t’i sjellë emocionet tona në përputhje me mendimin e drejtë.
Kur gëzimi juaj është rrënjosur në karakterin e pandryshueshëm të Perëndisë, i njëjti gëzim ju çliron nga të qenët rob i vetes dhe i rrethanave tuaja. Po, gëzimi juaj mund të sfidohet nga vështirësitë dhe zhgënjimet e përditshme, mirëpo ai nuk do të mund të mposhtet. Sot, në ato çaste kur gëzimi juaj sfidohet, shqiptoni këto fjalë:
Ajo që di për Ty, o Zot dhe Perëndi,
Më jep paqe në shpirt, më bën të këndoj:
Shëndet, gëzim, bastun dhe shkop të kam;
Mbështetem te Ti, në dobësi i fortë unë jam.
