gjithçka që nuk bëhet me besim, është mëkat vërtet

Maj 2021


Që nga koha e John Chrysostom (Gjon Gojartit 347-407) njerëzit janë përpjekur ta kufizojnë kuptimin e fjalëve të Palit te Romakëve 14:23: "Gjithçka që nuk bëhet me besim, është mëkat." Gojarti na këshillon të kemi kujdes: "Të gjitha këto janë gjërat për të cilat Pali ka folur në temën që ai po trajton, jo për gjithçka."

Leon Morris e ndjek këtë kufizim dhe thotë:

Cilado qoftë e vërteta e veprimeve të bëra para se dikush të bëhet besimtar, kjo nuk është ajo që Pali po diskuton këtu. Shqetësimi i tij është me besimtarin që ndonjëherë bën gjëra që nuk janë të motivuara nga besimi. (The Epistle to the Romans, 493)

Por Richard Lenski thotë: Jo!

A duhet të kufizohet kjo gjë vetëm tek i krishteri dhe vetëm në çështjen adiaphora, domethënë për besimin në këtë sferë? Jo; kjo fjalë e mbulon këtë sferë vetëm për shkak se është pjesë e një sfere edhe më të madhe. (The Interpretation of St. Paul’s Epistle to the Romans, 854)

Çfarë mendoni ju?

Ja cili është konteksti për t'ju ndihmuar të orientoheni (Romakëve 14:21-23):

Është mirë që njeriu të mos hajë mish, as të mos pijë verë, as të mos bëjë gjë që mund ta çojë vëllanë tënd të pengohet, ose të skandalizohet ose të dobësohet. Ti a ke besim? Kije për veten tënde përpara Perëndisë; lum ai që nuk dënon veten e tij në atë që miraton. Por ai që dyshon, kur ha është i dënuar, sepse nuk ha me besim, dhe gjithçka që nuk bëhet me besim, është mëkat.

Augustini, në librin e tij Lectures on the Gospel According to St. John [Leksione mbi Ungjillin sipas Shën Gjonit], e citon Romakëve 14:23 si një deklaratë universale që mbulon të gjitha rrethanat njerëzore:

Tani ju mund të thoni: "Para se të besoja unë tashmë po bëja vepra të mira, prandaj isha i zgjedhur." Çfarë vepre të mirë mund të ketë para besimit, kur apostulli thotë: "Gjithçka që nuk bëhet me besim, është mëkat"? (Nicene and Post-Nicene Fathers, Vol. 7)

Thomas Schreiner mban anën e Augustinit dhe vë në dukje se Pali mund të kishte bërë lehtësisht një deklaratë më të kufizuar duke ndaluar me pjesën e parë të vargut 23 ("Por ai që dyshon, kur ha është i dënuar, sepse nuk ha me besim"). E qartë. Debati mori fund. Por jo. Tani ai shton një thënie të pakualifikuar: "dhe gjithçka që nuk bëhet me besim, është mëkat" (Romans, 739).

Mbështetje universale për një ide specifike

Sigurisht që është e vërtetë, sikurse thotë edhe Morris, se Pali tani nuk po diskuton veprimet e jobesimtarëve te Romakëve 14. Por ky nuk është një argument bindës. Ne rregullisht i mbështesim pikat specifike me pika të përgjithshme.

Për shembull, ne mund të themi: "Akrepat e gjatë të orëve të murit në këtë dyqan rrotullohen 360 gradë në orë. Arsyeja është se akrepat e gjatë të të gjitha orave që kanë fushë rrethore rrotullohen 360 gradë në orë." Askush nuk do të na konsideronte njerëz me mend nëse do të thonim: "Gjithë sa mund të mësojmë nga këto dy fjali është se orët e vetme akrepat e gjatë të të cilave rrotullohen 360 gradë në orë janë orët e murit në këtë dyqan, sepse për këto jemi duke folur." Jo. Ne sollëm një pikë universale për të mbështetur një pikë specifike.

Këtë ka bërë Pali. "Gjithçka që nuk bëhet me besim, është mëkat" është një pikë universale. Ka shumë mbështetje për këtë gjë përveç Romakëve 14:23. Për shembull:

Ideja e Palit te Romakëve 4:20 është që besimi përlëvdon Perëndinë: "Abrahami u forcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë." Arsyeja pse veprimet pa besim janë mëkat, është se ato nuk e përlëvdojnë Perëndinë si të besueshëm.

Te 1 e Korintasve 10:31, Pali tha: "Të gjitha t'i bëni për lavdinë e Perëndisë." Por ju nuk mund ta përlëvdoni Perëndinë nëse po e çnderoni atë duke mos i besuar atij. Prandaj, atje ku nuk ka besim, nuk po i bindemi 1 e Korintasve 10:31 në çdo veprim (nuk ka rëndësi sa neutral që mund të jetë në vetvete).

Hebrenjve 11:6 thotë: “Edhe pa besim është e pamundur t'i pëlqesh Atij." Prandaj, atje ku nuk ka besim, të gjitha veprimet janë të papëlqyeshme për Perëndinë.

Kur virtyti është mëkat

Kjo është arsyeja pse Augustini tha që edhe virtytet e jobesimtarëve janë mëkat. Një shembull mund ta bëjë më të qartë këtë akuzë radikale kundër "mirësisë" njerëzore pa besim.

Supozoni se ju jeni babai i një djali adoleshent. Ju i kujtoni atij që ta lajë makinën para se ta përdorë për t'i çuar shokët e tij të shohin ndeshjen e basketbollit në mbrëmje. Më herët ai kishte rënë dakord që do ta bënte.

Ai zemërohet dhe thotë që nuk dëshiron ta bëjë. Kështu me butësi dhe në mënyrë të prerë ju i kujtoni premtimin e tij, dhe i thoni që këtë gjë prisni prej tij. Ai reziston. Ju i thoni: "Epo, nëse do që ta përdorësh makinën sonte, re dakord që do ta pastroje." Ai del nga dhoma i zemëruar. Më vonë e shihni që po e lan makinën.

Por ai nuk po e bën këtë gjë nga dashuria për ju apo nga një dëshirë për të nderuar Krishtin dhe për t'iu bindur Shkrimit. Ai dëshiron të shkojë dhe të ndjekë ndeshjen me shokët e tij. Kjo është gjëja që e shtrëngon të "bindet." E vendosa fjalën "bindje" në thonjëza sepse ajo është vetëm diçka e jashtme. Zemra e tij ka qëndrimin e gabuar. Për këtë gjë e kam fjalën kur them që i gjithë "virtyti" njerëzor është i shthurur, nëse nuk buron prej një zemre dashurie për Atin qiellor—edhe nëse sjellja vetë përputhet me normat biblike.

Më së pari për Perëndinë

Gjendja e tmerrshme e zemrës së njeriut nuk do të dallohet kurrë nga njerëzit të cilët e vlerësojnë atë vetëm në lidhje me të tjerët. Djali juaj do t'i çojë shokët të ndjekin ndeshjen. Kjo është një "mirësi". Ata do ta marrin si një "përfitim." Prandaj, ligësia e veprimeve tona nuk mund të matet kurrë thjesht përmes të mirës apo lëndimit që u shkaktojmë njerëzve të tjerë.

Romakëve 14:23 e bën shumë të qartë që shthurja jonë është më së pari një gjendje në lidhje me Perëndinë, dhe vetëm në një nivel të dytë në lidhje me njeriun. Ky është rizgjimi i madh që duhet të ndodhë në mënyrë që njerëzit të dallojnë shtrirjen e mëkatit të tyre dhe madhështinë e Shpëtimtarit.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/whatever-is-not-from-faith-is-sin-really  
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme

>