Nga Ray Ortlund

Në njëfarë mënyre, e gjithë Bibla është ungjilli. Kur e lexon nga Zanafilla deri te Zbulesa, sheh shtrirjen e pamasë të mesazhit të mrekullueshëm të Perëndisë për njerëzimin.

Por shumë njerëz e lexojnë të gjithë Biblën dhe kuptimet e tyre për ungjillin ndryshojnë gjerësisht, qëndrojnë të cekët ose janë thjesht gabim. Disa e konsiderojnë ungjillin si favorin e Perëndisë për mirëqenien financiare. Të tjerë paraqesin një utopi politike duke përdorur emrin e Krishtit. E përsëri ka nga ata që vazhdojnë të theksojnë të ndjekurit e Krishtit, sjelljen në mbretërinë e Tij, ose kërkimin e shenjtërisë. Disa nga këto tema janë biblike. Por asnjëra prej tyre nuk është ungjilli.

Fatmirësisht mund të shohim pasazhet që na tregojnë qartë dhe shkoqur se çfarë është ungjilli. Për shembull, apostulli Pal shpjegon çfarë është “me rëndësi kryesore” në mesazhin biblik:

Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni, dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot. Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve. (1 e Korintasve 15:1-4)

Pali u kujton besimtarëve në Korint mesazhin e ungjillit dhe rëndësinë e tij gjithëpërfshirëse për ta. Ata e kanë marrë atë, qëndrojnë në të, dhe po shpëtohen prej tij. Ndërsa mbahen fort në fjalën e ungjillit që Pali u dha, ata i përjetojnë vazhdimisht këto përfitime të shenjta dhe të fuqishme. Korintasit nuk e meritojnë një bekim të tillë, por ungjilli shpalos hirin e Perëndisë në Krishtin për ata që nuk e meritojnë. I vetmi dështim katastrofik i korintasve do të ishte mosbesimi i tyre. Me kaq shumë lavdërime për ungjillin, nuk është çudi që Pali e vendos atë te prioritetet e tij “me rëndësi kryesore”.

Çfarë është, pra, ungjilli? Së pari, ungjilli është lajmi i mirë nga Perëndia se “Krishti vdiq për mëkatet tona”. Bibla thotë se Perëndia e krijoi Adamin pa mëkat, të aftë për të sunduar mbi një krijim të mirë (Zanafilla 1). Pastaj Adami u largua nga Perëndia dhe bashkë me veten tërhoqi të gjithë racën tonë në shkelje, mjerim dhe shkatërrim të përjetshëm (kap. 3). Por Perëndia, në dashurinë e Tij të madhe për ne rebelët, që tani jemi plotësisht larg standardit të Tij, dërgoi një Adam më të mirë, i cili jetoi jetën e përsosur, që ne nuk mund ta jetojmë kurrë dhe vdiq me një vdekje plot faje, që ne nuk duam ta përjetojmë. “Krishti vdiq për mëkatet tona” do të thotë se në kryq Ai shleu fajin për të gjitha krimet që kemi kryer kundër Perëndisë, Mbretit tonë. Duke vdekur si zëvendësuesi ynë, Jezusi mori mbi Vete të gjithë zemërimin e Perëndisë kundër fajit të vërtetë moral të popullit të Tij. Ai nuk la asnjë borxh pa shlyer. Vetë Ai tha: “U krye” (Gjoni 19:30). Dhe ne do të themi në përjetësi: “I denjë është Qengji që u ther!” (Zbulesa 5:12).

Së dyti, ungjilli thotë: “Ai u varros,” për të theksuar se vuajtjet dhe vdekja e Jezusit ishin tërësisht të vërteta, ekstreme dhe përfundimtare. Bibla thotë: “Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin” (Mateu 27:66). Pasi e vranë Jezusin, armiqtë e Tij u siguruan që të gjithë ta dinin se Jezusi ishte plotësisht i vdekur. Vdekja e Zotit tonë jo vetëm që ishte e plotë deri në fund, por ishte dhe turpëruese: “Kishin caktuar ta varrosnin bashkë me të pabesët” (Isaia 53:9). Në dashurinë e Tij mahnitëse Jezusi u identifikua plotësisht me ne mëkatarët dhe të vuajturit, duke i përjetuar të gjitha.

Së treti, ungjilli thotë: “Ai u ringjall të tretën ditë.” Vite më parë dëgjova Samuel Lewis Johnson që e parashtronte kështu: ringjallja është “Amen-i” i Perëndisë për thirrjen “U krye” të Jezusit. Jezusi “u ringjall për justifikimin tonë” (Romakëve 4:25). Vepra e Tij në kryq shleu me sukses mëkatet tona dhe kjo është e dukshme. Për më tepër, përmes ringjalljes së Tij, Krishti qe “i deklaruari Bir i Perëndisë në fuqi”, që do të thotë se Mesia ynë triumfues do të mbretërojë përgjithmonë (Romakëve 1:4). Vetëm Krishti i ringjallur mund të na thojë dhe na thotë: “Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit, dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit” (Zbulesa 1:17-18). I Gjalli e mposhti vdekjen dhe tani po përgatit një vend për ne, qiej të rinj dhe një tokë të re, ku i gjithë populli i Tij do të jetojë përjetë i gëzuar me Të.

Ky është ungjilli i hirit të madh të Perëndisë për ne mëkatarët. Çfarëdo që të thuhet, thjesht do të na tregojë më shumë për veprën e fuqishme të Jezu Krishtit. Le të mbahemi fort në Fjalën që na është predikuar. Nëse besojmë këtë ungjill, nuk besojmë më kot.

Ray Ortlund (ThM, Dallas Theological Seminary; MA, The University of California, Berkeley; PhD, University of Aberdeen, Scotland) është president i Renewal Ministries. Ai themeloi kishën “Emanuel” në Neshvill të Tenesis dhe tani shërben si pastor për pastorët nga e njëjta kishë. Ray ka botuar disa libra ku përfshihen “Ungjilli: Si e portretizon kisha bukurinë e Krishtit”, të cilin e gjeni në shqip dhe “Marriage and the Mystery of the Gospel”. Ai dhe bashkëshortja e tij Jani, kanë katër fëmijë.

Botuar me leje:https://tabletalkmagazine.com/article/2015/01/what-gospel/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme

>