fuqia e çmuar e gjakut

Maj 2021


Pesë përfitime, të cilat Krishti i bleu për ju 

Ka fuqi, fuqi, fuqi për mrekulli
Në të çmuarin gjak të Qengjit.

Mendja ime mbushet me kujtime të lumtura kur i dëgjoj këto fjalë. I kënduam shpesh në kishë kur isha i ri—duke u hedhur lart e poshtë në majë të gishtave. Këngët më të mira të kishës në jug të SHBA-ve ishin këngë të tilla. Dukej që babait tim i pëlqente më shumë "Ka fuqi"se gjithë këngët e tjera. E dalloja që në këtë këngë ai këndonte më fort se zakonisht, dhe unë e imitoja. Mendoj se e gjithë bashkësia këndonte me më tepër shije se zakonisht, por nuk mund t'i dëgjoja mirë kur të dy ne i ngrinim zërat.

Të krishterët e të gjitha llojeve dhe prirjeve afirmojnë faktin që vërtet ka fuqi në gjakun e Jezusit. Shpirtrat e formuar prej Fjalës dhe Frymës e ndiejnë këtë gjë në mënyrë intuitive, por a ke ndaluar ndonjëherë të pyesësh si? A është gjak magjik? Nëse ka fuqi në gjakun e tij, si e shpjegojmë realitetin? Përmbledhtazi, cilat janë ato të vërteta që veprojnë nën sipërfaqe kur ne kremtojmë këtë fuqi mrekullibërëse?

Çfarë bën Gjaku?

Letra e Dhiatës së Re drejtuar Hebrenjve ndërton urën nga sistemi i flijimeve (dhe gjaku i tij) në Dhiatën e Vjetër te besëlidhja e re dhe flijimi i Jezusit një herë e përgjithmonë (Hebrenjve 9:7, 12). Përgjatë Biblës, gjaku përfaqëson jetën (për shembull, Zanafilla 9:4), dhe derdhja e gjakut nga ana tjetër përshkruan vdekjen (Levitiku 17:11, 14; Ligji i Përtërirë 12:23). Për shkak se dënimi i drejtë për mëkatin njerëzor kundër Perëndisë është vdekja (Romakëve 6:23), vdekja e flijimeve të kafshëve të caktuara, përmes paraqitjes së gjakut, përfaqësonte përkohësisht domosdoshmërinë e vdekjes për mëkatarët. Megjithatë, kryeprifti duhej të kthehej vit pas viti, "në mënyrë të përvitshme" (Hebrenjve 9:7, 25), për shkak se "është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatet" (Hebrenjve 10:4). Flijimet e përsëritura të kafshëve po vononin të pashmangshmen, pritjen për plotësimin e kohës së Perëndisë. Një ditë duhej të vinte një llogaridhënie finale për mëkatin.

Sigurisht që të krishterët e besojnë dhe e kremtojnë tani këtë gjë në Krishtin, dhe nën kushtet e besëlidhjes së re, kjo llogaritje ka ardhur. Jezusi në mënyrë të vullnetshme "ofroi veten" (Hebrenjve 9:14) duke "derdhur gjakun e tij një herë e përgjithmonë" (Hebrenjve 9:12), duke e sjellë në përmbushjen e vet të synuar besëlidhjen e përkohshme që erdhi më parë (besëlidhjen e vjetër) dhe në vend të saj inauguroi një "besëlidhje të përjetshme" (Hebrenjve 13:30), të cilën e quajmë besëlidhja e re.

Letra e Hebrenjve kremton disa prej përfitimeve specifike, të cilat i gëzojnë të krishterët për shkak të gjakut të Jezusit (Hebrenjve 10:19, 13:12), por është apostulli Pal ai i cili në mënyrë të veçantë kremton hirin e shumëfishtë që vjen te ne për shkak të gjakut të tij. Në njëfarë kuptimi, çdo hir hyjnor që vjen te ne, mund ta lidhim me gjakun e Jezusit, por plot pesë herë Pali e bën këtë lidhje shumë qartë, duke përmendur gjakun dhe një aspekt specifik të asaj që Krishti ka siguruar për ne me vdekjen e tij.

Pajtim: për të hequr zemërimin e drejtë të Perëndisë

Romakëve 3:25 thotë se Jezusi është ai "të cilin e paraqiti Perëndia si pajtimore, nëpërmjet besimit në gjakun e tij". Për shkak se Perëndia është i drejtë, mëkatet e popullit të tij nuk janë një pengesë e vogël. Në mirësinë dhe hirin e tij, ai ka zgjedhur të na dojë, megjithatë në drejtësinë e tij ai nuk mund t'i fusë nën rrogozin e gjithësisë mëkatet tona, të cilat janë akte tradhtie kozmike. Prandaj, në dashurinë e tij, ai ideoi një mënyrë për të përmbushur drejtësinë e tij dhe ende të triumfonte me mëshirë.

Vetë Perëndia, në personin e Birit të tij, mori mish dhe gjak njerëzor dhe ofroi veten në vend të popullit të tij mëkatar, për të duruar zemërimin e drejtë të Perëndisë dhe për të paguar dënimin tonë në vdekjen e tij, dhe e gjithë kjo me qëllim që ne të mund të jetojmë. Prandaj, gjaku i tij, i cili paraqet dhënien flijuese të jetës së tij në vend të atyre që meritonin vdekjen (dhe "e pranuar me anë të besimit") pajton zemërimin e tij të drejtë, lartëson drejtësinë hyjnore, dhe hap portat e mëshirës së tij.

Drejtësim: për të ofruar pranimin e plotë të Perëndisë

Romakëve 5:9 thotë "duke qenë tani të drejtësuar nëpërmjet gjakut të tij". Drejtësuar është gjuhë e përdorur nga gjykata. Që të dyja, akuza dhe mbrojtja, paraqesin çështjen dhe gjykatësi apo juria bëjnë shpalljen: ose i drejtë ose i dënuar. I akuzuari është ose fajtor sipas akuzës ose shpallet i drejtë përpara ligjit—i drejtësuar.

Arsyeja pse ata që janë të bashkuar me Jezusin me anë të besimit janë drejtësuar, i detyrohet pjesërisht vdekjes së tij flijuese dhe zëvendësuese. Ai e derdhi gjakun e tij vullnetarisht jo për mëkatet e tij (ai nuk kishte asnjë mëkat), por për mëkatet tona. Derdhja e gjakut të tij për të mbuluar mëkatet tona bëri të mundur pjesëmarrjen tonë në drejtësinë e tij duke na bashkuar me të përmes besimit. Pa gjakun e tij, padrejtësia jonë do të mbetej e pazgjidhur. Nuk mund të qëndronim dot me të në gjykimin e fundit dhe të merrnim bashkë me të deklaratën nga Ati i tij: "I drejtë."

Shpengim: për të blerë lirinë tonë

Efesianëve 1:7 thotë: “në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve." Të shpengosh do të thotë të blesh apo të sigurosh lirinë e dikujt që është në skllavëri. Për shkak të mëkateve tona, ne të gjithë jemi (apo vazhdojmë të jemi) në robëri frymërore. Shkeljet tona ndaj ligjit të Perëndisë do të thonë se e meritojmë zemërimin e tij të drejtë dhe të gjithëpushtetshëm. Por në Krishtin, me derdhjen e gjakut të tij, që na fal mëkatet para Perëndisë, Ai blen lirinë tonë nga drejtësia dhe nga fuqia e Satanit. "Duke jua falur të gjitha mëkatet; duke fshirë dorëshkrimin e porosive, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar" (Kolosianëve 2:13-14), përmes ofrimit të vetes së tij në kryq, Jezusi "i zhveshi principatat dhe pushtetet, i turpëroi botërisht" (Kolosianëve 2:15).

Arma vendimtare që demonët kishin kundër nesh ishte mëkati i pafalur, por kur Jezusi derdhi gjakun e tij në vendin tonë, për të falur mëkatet tona, ai na çliroi nga robëria. Ai na shpengoi nga Satani dhe regjistrimi i borxhit dhe nga kërkesat ligjore kundër nesh.

Falje: për të ripërtërirë marrëdhënien tonë më të mirë

Sigursisht që këto tema të çmuara mbivendosen. Kemi parë tashmë rëndësinë e faljes, por Efesianëve 2:13 e thotë thekson qartë: "Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit." Në thelb të kësaj "u afruat" është ripërtëritja e njerëzimit me hyjnoren. Në nivelin individual, është krijimi në Krishtin i hyrjes personale në një marrëdhënie me Perëndinë, të cilën, ne që kemi lindur në mëkat, nuk mund ta siguronim dot kurrë. Në nivelin e përbashkët, është ripërtëritja në Krishtin e marrëdhënies me Perëndisë për të cilën u krijuam.

Mëkati dhe rebelimi ynë kundër Perëndisë ka krijuar një largësi mes nesh dhe tij. Në hirin që Perëndia tregoi në besëlidhjen e vjetër, ai iu afrua popullit të tij të besëlidhjes, Izraelit. Por tani, në besëlidhjen e re, ai nuk i afrohet një populli të caktuar etnik, por të gjithë atyre që e pranojnë Birin e tij me besim, pa marrë parasysh kush janë apo sa shumë ishin larguar. Në fakt, fraza: "u afruat me anë të gjakut të Krishtit" shkon në thelb të asaj që bën për ne secila prej këtyre dhuratave hyjnore në gjakun e Jezusit, pra: na sjell te Perëndia. Nuk mund të ketë një përmbledhje më të mirë për atë që kemi parë deri tani rreth fuqisë së gjakut të Jezusit se sa 1 e Pjetrit 3:18: "Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia."

Paqe: për të bërë paqe me vetë Perëndinë

Përfundimisht, synimi i përqendruar te Perëndia i efekteve të gjakut të Jezusit konfirmohet në bërjen e paqes mes Perëndisë dhe popullit të tij. Në Krishtin, Perëndia e pajton popullin e tij "me veten e tij, pasi bëri paqe, përmes gjakut të tij në kryq" (Kolosianëve 1:19-20). Fakti që ai e derdhi gjakun e tij në kryq ka qenë i nënkuptuar në çdo rast, por këtu Pali e bën të qartë. Është "gjaku i tij në kryq" ai që bën paqe mes Perëndisë dhe njeriut. Ai bëri paqe me një instrument të torturës dhe ekzekutimit të qëllimshëm dhe të tmerrshëm.

Jezusi nuk e derdhi gjakun e tij aksidentalisht. Kjo nuk ishte një vdekje rastësore. Edhe pse ishte vërtet tragjike, vdekja e tij ishte e qëllimshme dhe e vullnetshme. Ai u ekzekutua në mënyrë të padrejtë, dhe gjaku i tij u derdh qëllimisht në kryq, si nga njerëzit mëkatarë ashtu dhe nga Perëndia-njeri i shenjtë. Ata i morën jetën dhe ai e dha jetën. Duke e bërë këtë gjë, ai duroi zemërimin e drejtë të Perëndisë, na dha neve pranimin e tij të plotë ligjor, bleu lirinë tonë, ripërtëriu marrëdhënien tonë më të rëndësishme, dhe bëri paqe për ne me vetë Perëndinë. Sikurse Pali thotë në një vend tjetër, kjo është mënyra se si ai siguroi "kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij" (Veprat 20:28).

Gjaku i çmuar

Nëse ndjekim vazhdën e gjakut në letrat e Palit, nisim të shohim një oqean hiri në atë rresht të fundit të refrenit të njohur të këngës: Ka fuqi, fuqi, fuqi për mrekulli, Në të çmuarin gjak të Qengjit. Gjak vërtet i çmuar.

Kombinimi i fjalës i çmuar me gjakun e Jezusit vjen nga apostulli Pjetër:

Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi dhe ari, jeni shpenguar nga sjellja e kotë e dorëzuar nga etërit, por me anë të gjakut të çmuar të Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë. (1 e Pjetrit 1:18-19)

Është me vend që të këndojmë për gjakun e tij dhe duke e bërë këtë gjë të kremtojmë të gjitha pasuritë e paraqitura prej tij. Kur shtojmë fjalën i çmuar në rreshtin e fundit, nuk jemi thjesht duke shtuar dy rrokje që ta bëjmë ritmin të përputhet me melodinë. Gjaku i tij është vërtet i çmuar për ne. Ai është pafundësisht i vlefshëm. Për shkak se Krishti vetë, dhe Perëndia vetë në të, është i çmuar për ne. Dhe për shkak se gjaku i Krishtit, i cili është më i çmuar se çdo gjë tjetër, përmbush sëmbimet dhe dëshirat tona më të thella në Perëndinë, jo thjesht përkohësisht, por përfundimisht dhe përjetësisht.

David Mathis është redaktori ekzekutiv për desiringGod.org dhe pastor në "Cities Church" në Mineapolis/St. Paul. Ai është bashkëshort, baba i katër fëmijëve dhe autor i librit Habits of Grace: Enjoying Jesus Through the Spiritual Disciplines.

Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/the-precious-power-of-the-blood  
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Postime të ngjashme

>