gusht 19

Gusht 2022


Çfarë do të thotë të “besosh në zemrën tënde që Perëndia e ngjalli prej së vdekurish”? Satani beson se Perëndia e ringjalli Jezusin prej së vdekurish. Ai e pa që kjo ndodhi. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, kemi nevojë të mendojmë se çfarë kuptimi ka ringjallja për popullin e Perëndisë.

Ringjallja nënkupton se Perëndia është për ne. Ai synon të jetë përkrah nesh dhe ta mposhtë gjithë ndjesinë tonë të braktisjes dhe armiqësimit.

Ringjallja e Jezusit është deklarata e Perëndisë drejtuar Izraelit dhe botës, që tregon se s’mund ta arrijmë lavdinë duke punuar, por që Ai ka synim të bëjë të pamundurën për të na çuar atje.

Ringjallja është premtimi i Perëndisë që tregon se të gjithë ata që i besojnë Jezusit, do të jenë përfituesit e fuqisë së Perëndisë për të na udhëhequr në shtigjet e drejtësisë dhe përmes luginës së vdekjes.

Prandaj, të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ringjalli Jezusin prej së vdekurish është shumë më tepër se të pranosh një fakt. Do të thotë që je i sigurt se Perëndia është për ty, se Ai ka ardhur përkrah teje, se po e transformon jetën tënde dhe se do të të shpëtojë për përjetësinë.

Të besosh në ringjallje do të thotë të besosh në të gjitha premtimet e jetës, shpresës dhe drejtësisë, që ringjallja përfaqëson.

Do të thotë të jesh aq i sigurt për fuqinë dhe dashurinë e Perëndisë, saqë asnjë frikë nga humbjet e botës apo nga lakmia për fitimin e saj nuk do të të joshë larg bindjes ndaj vullnetit të Tij.

Ky është ndryshimi mes Satanit dhe shenjtorëve. Oh, bëftë Perëndia që t’i rrethpresë zemrat tona për ta dashur Atë (Ligji i Përtërirë 30:6) dhe për t’u prehur në ringjalljen e Birit të Tij!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>