[Ata] do të këndojnë rrugët e ZOTIT.
Psalmi 138:5
Të krishterët zënë e u këndojnë udhëve të Zotit, me të humbur barrën e tyre në këmbët e kryqit. As këngët e engjëjve nuk tingëllojnë kaq ëmbël, sa kënga e parë marramendëse, e cila shpërthen nga thellësia e shpirtit të fëmijës së falur të Perëndisë. Ju e dini se si e përshkruan këtë moment John Bunyan-i. Ai na thotë se kur Udhëtari i ngratë u çlirua nga barra e vet te kryqi, kërceu tri herë dhe e vazhdoi rrugën e tij duke kënduar:
I lumi kryq! I lumi varr! Qoftë bekuar
Njeriu që për mua është turpëruar!
Besimtar, a e mban mend ditën kur zinxhirët e tu u këputën dhe ranë poshtë? A e mban mend vendin ku Jezusi të takoi dhe të tha: “Të kam dashur me një dashuri të përjetshme… I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; asnjë prej tyre nuk do të përmendet kundër teje”?
Oh, sa i bekuar është çasti kur Jezusi largon tutje dhimbjen e mëkatit! Kur Zoti më fali mëkatin për herë të parë, isha kaq i gëzuar, saqë me zor e mbaja veten që të mos kërceja. Rrugës për në shtëpi, nga vendi ku isha çliruar, po mendoja se duhet t’ia tregoja gurëve të kalldrëmit historinë e çlirimit tim. Kaq i mbushur me gëzim ishte shpirti im, saqë doja t’i tregoja çdo floku bore, që binte nga qielli, për dashurinë e mrekullueshme të Jezusit, i cili edhe mua kryerebelit m’i kishte fshirë mëkatet. Mirëpo, besimtarët kanë arsye për të kënduar jo vetëm në fillimet e jetës së tyre të krishterë, sepse me kalimin e viteve zbulojnë shkaqe të tjera për të kënduar rrugët e Zotit, ndërsa përjetimi i dashamirësisë së Tij të vazhdueshme i bën ata që të thonë: “Unë do ta bekoj ZOTIN në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time” (Psalmi 34:1). Kujdesu, i krishterë, që ta madhërosh Zotin pikërisht sot!
Derisa të shkelim këtë tokë të shkretë,
Për të rejat mëshira, këngë të reja do të ketë.
© dritez.al 2024