spurgeon dev 31 dhjetor am
Dhjetor 2023

Por ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u ngrit në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë”.

Gjoni 7:37

Aq e përsosur ishte vepra që kishte kryer durimi në Zotin Jezus, saqë, deri në ditën e fundit të festës, Ai iu përgjërua judenjve, ashtu siç na lutet edhe neve në këtë ditë të fundit të vitit dhe pret që të tregohet i hirshëm ndaj nesh. Është vërtet për t’u admiruar zemërgjerësia e madhe e Shpëtimtarit teksa i duron disa prej nesh vit pas viti, pavarësisht nga gjithë fyerjet, rebelimet dhe rezistenca jonë ndaj Frymës së Tij të Shenjtë. Është vërtet një mrekulli e mrekullive që gjendemi ende në tokën e mëshirës! 

Mëshira e shprehu veten shumë qartësisht, sepse Jezusi “thirri”, çka nënkupton jo vetëm volumin e lartë, por edhe ëmbëlsinë e tonit të zërit të Tij. Ai na përgjërohet që të pajtohemi. “Sikur Perëndia t’ju lutej nëpërmjet nesh”, thotë apostulli, “ju lutemi në vend të Krishtit.” Ç’fjalë nxitëse dhe prekëse janë këto! Sa e thellë duhet të jetë dashuria e Atit tonë, e cila e shtyn Atë të qajë për mëkatarët dhe, si një nënë, t’i thërrasë me butësi fëmijët e Tij pranë Vetes! Me siguri që zemrat tona do t’i përgjigjen plot dëshirë një thirrjeje të tillë. 

Furnizimi ofrohet me shumë bujari: gjithçka që i nevojitet njeriut për të shuar etjen e shpirtit të tij, është siguruar. Shlyerja e mëkateve i fal paqe ndërgjegjes së tij; Ungjilli i jep mësimet më të vyera mendjes së tij; personi i Jezusit është objekti i ndjenjave më fisnike të zemrës së tij; e vërteta, siç shprehet në Jezusin, e mëkon gjithë qenien njerëzore me ushqimin më të dëlirë. Etja është e tmerrshme, por Jezusi mund ta shuajë atë. Edhe sikur shpirti të ishte duke vdekur urie, prapëseprapë, Jezusi mund ta rimëkëmbte atë. 

Ftesa është bërë kaq publikisht, saqë çdo njeri i etur është i mirëpritur. Nuk vihet asnjë kusht tjetër, përveç të qenët i etur. Qoftë kjo etja e lakmisë, ambicies, kënaqësisë, dijes apo çlodhjes, ai që vuan prej saj, është i ftuar të vijë. Etja mund të jetë e keqe në vetvete, dhe të mos jetë shenjë hiri, por më tepër një simptomë e mëkatit të papërmbajtur, që mezi ç’pret të kënaqet me epshe më të thella; mirëpo, ftesa nuk bëhet për shkak të mirësisë së krijesës—Zoti Jezus e dërgon si dhuratë, pa i marrë parasysh njerëzit. 

Identiteti i atij që e bën ftesën, është bërë plotësisht i njohur. Mëkatari duhet të shkojë te Jezusi—jo të rendë pas veprave, riteve apo doktrinave, por duhet të shkojë te një Shpengimtar personal, i cili i barti Vetë mëkatet tona në trupin e Tij mbi drurin e kryqit. Mëkatari ka vetëm një rreze shprese, dhe ky është Shpëtimtari që u përgjak, vdiq dhe u ringjall për të. Oh, sa hir i madh do të ishte sikur të shkoje tani tek Ai e të pije përpara se të perëndonte dielli në këtë ditë të fundit të vitit! 

Vargu në fjalë nuk të jep idenë e një periudhe pritjeje ose përgatitjeje. Pirja përfaqëson një mënyrë marrjeje, për të cilën nuk nevojiten kërkesa të veçanta. Një hajdut, një budalla dhe një prostitutë mund të pinë; natyra jonë mëkatare nuk është pengesë për t’iu përgjigjur ftesës për të besuar në Jezusin. Nuk na nevojitet asnjë gotë prej floriri, asnjë kupë prej porcelani të shtrenjtë, me të cilën t’u japim ujë të eturve; skamnori është i mirëpritur të gjunjëzohet dhe të pijë prej burimit jetëdhënës. Buzët me fshika, të lebrosura e të ndyra mund ta prekin burimin e dashurisë hyjnore; ato nuk e ndotin dot, përkundrazi, pastrohen prej tij. Jezusi është burimi i shpresës. Lexues i dashur, dëgjoje zërin e dashur të Shpengimtarit të shtrenjtë tek i bën thirrje secilit prej nesh: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.”


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>