Janar 2023

Atëherë Ahimaatsi filloi të vrapojë nëpër rrugën e fushës dhe e kaloi etiopasin.

2 i Samuelit 18:23

Nuk është e rëndësishme që vetëm të vraposh, por më e rëndësishme është rruga që përzgjedhim: këmbë të shpejta, që rendin kodrave e luginave, nuk e ruajnë dot ritmin e një udhëtari më të ngadaltë, i cili ecën fushave. Si i kam punët me udhëtimin tim frymëror? A po i ngjitem me vështirësi kodrës së vetë veprave të mia dhe a po zbres përroskave të vetë poshtërimeve dhe vendimeve të mia, apo po vrapoj në shtegun e drejtë të “Beso dhe jeto!”? 

Sa gjë e bekuar është të presësh në Zotin me anë të besimit! Shpirti vrapon pa u lodhur dhe ecën pa u rraskapitur në rrugën e besimit. Krishti Jezus është udha e jetës dhe udha e Tij është një shteg i drejtë, një rrugë e këndshme dhe një xhade e përshtatshme për këmbët e lëshuara dhe gjunjët e dobët të mëkatarëve fërgëllues. A po eci në këtë rrugë apo jam duke gjurmuar një udhë të ngjashme me ato që mund të më premtojnë dredhitë e klerit ose metafizika? 

Kam lexuar për rrugën e shenjtërisë, se udhëtari, edhe në qoftë i pamend, nuk do ta humbë kurrë atë. A nuk jam çliruar nga arsyeja krenare, dhe a nuk më kanë çuar porsi një fëmijë të vogël, që të mbështetem në dashurinë dhe gjakun e Jezusit? Nëse është kështu, me anë të hirit të Perëndisë, do t’ia kaloj vrapuesit më të fortë, që zgjedh çfarëdo shtegu tjetër. 

Bëj mirë ta kujtoj këtë të vërtetë në mes të shqetësimeve dhe nevojave të mia të përditshme. Gjëja më e zgjuar, që mund të bëj në këtë rast, është t’i drejtohem pa vonesë Perëndisë sim, pa u endur më parë në ecejake nga një mik te tjetri. Perëndia i njeh nevojat e mia dhe mund t’i përmbushë ato. Kujt tjetër mund t’i drejtohem vallë, përveçse Atij, përmes thirrjes së drejtpërdrejtë të lutjes dhe argumentit të çiltër të premtimit? “Rruga e sheshtë i bën të gjithë vrapues.” Nuk kam pse të humbas kohë duke folur me shërbëtorët, kur mund të shkoj drejt e te zoti i tyre. 

Gjatë leximit të këtyre vargjeve më bëri përshtypje që, në qoftë se njerëzit hahen me njëri-tjetrin në punë të përditshme, dhe gjithmonë njëri ia kalon tjetrit, unë duhet të kem zellin solemn për të vrapuar, në mënyrë që të fitoj. Zot, më ndihmo që t’i ngjesh ijët e mendjes sime dhe që të mund të ndjek pas synimin, drejt çmimit të thirrjes sime të lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>