Shkurt 2023

“Dashuria jote për mua ishte … e mrekullueshme...”

2 i Samuelit 1:26

Ejani, të dashur lexues, secili prej nesh le të flasë vetë për dashurinë e mrekullueshme të Jezusit e jo atë të Jonathanit! Nuk kemi pse të rrëfejmë atë që kemi dëgjuar, por le të flasim për gjërat që kemi shijuar dhe provuar, e pikërisht, dashurinë e Krishtit. Dashuria jote për mua, o Jezus, ishte e mrekullueshme kur isha një i huaj që bridhte larg prej Teje, duke kënaqur dëshirat e mishit dhe të mendjes. Dashuria jote nuk më la që të bëja mëkatin që të çon në vdekje dhe më ruajti nga vetëshkatërrimi. Dashuria jote ia ndali hovin sëpatës kur Drejtësia tha: “Preje! Pse të zërë kot tokën?”. 

Dashuria jote më tërhoqi në shkretëtirë, ku më zhveshi dhe më bëri të ndieja fajin e mëkatit tim dhe peshën e paudhësisë sime. Dashuria jote më foli butësisht kur isha më i trazuar se kurrë—“Eja tek unë, dhe unë do të të jap çlodhje.” Oh, sa e pakrahasueshme ishte dashuria Jote kur i lave mëkatet e mia në një çast dhe bëre që shpirti im i fëlliqur, i cili ishte i kuq si gjaku, për shkak të natyrës sime të lindur mëkatare, dhe i zi sterrë për shkak të fëlliqësisë së shkeljeve të mia, të bëhet i bardhë si bora e pashkelur dhe i pastër si leshi më i mirë! 

Sa mrekullisht ma besove dashurinë Tënde kur më pëshpërite në vesh: “Jam Yti dhe ti je imi”! Sa të dashura tingëllonin fjalët kur shpalle: “Vetë Ati të do”! Dhe vërtet të ëmbla ishin ato çaste kur Ti më shpalle dashurinë e Frymës. 

Shpirti im nuk do t’i harrojë kurrë dhomat e përbashkësisë ku ma dëfteve Veten. Siç e pa Moisiu pjesën e prapme të Perëndisë nga e çara e shkëmbit, edhe ne e kemi soditur shkëlqimin e plotë të lavdisë së Hyjnisë në personin e Krishtit nga të çarat e shkëmbit tonë. A nuk i kujtonte Davidi shtigjet e dhive të egra, tokën e Jordanit dhe Hermonin? Edhe ne mund t’i sjellim ndër mend vendet që janë të shtrenjta në kujtesën tonë, po aq të bekuara sa edhe ato të Davidit. I çmuari Zoti Jezus, falna një gllënjkë të freskët nga dashuria jote e mrekullueshme, me të cilën ta nisim këtë muaj! Amen!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>