Gusht 2026
Askush nuk dëshiron të besojë një gënjeshtër. Askush nuk dëshiron ta investojë jetën e tij në diçka, vetëm për të kuptuar më pas se ajo gjë ishte e rreme.
Megjithatë, të dyja këto ndodhin shpesh në kishë.
Kjo botë është e mbushur me shpërqendrime që mund ta zhvendosin fokusin e një të krishteri nga ungjilli i vërtetë te diçka tjetër. Shpesh këto janë gjëra të mira që hyjnë fshehurazi dhe me mashtrim, duke anashkaluar qëllimet tona të mira dhe duke u maskuar si krishterim i vërtetë, kur në realitet janë ungjij të rremë.
Këto shtrembërime të ungjillit janë të rrezikshme, sepse i shtojnë ose i heqin diçka ungjillit të përsosur dhe të lavdishëm të Zotit tonë Jezu Krisht.
Në librin Si ndryshojnë njerëzit: Si na ndryshon Krishti me anë të hirit të Tij (How People Change: How Christ Changes Us By His Grace), Paul David Tripp-i dhe Timothy Lane-i paraqesin disa nga shtrembërimet e rrezikshme të ungjillit, të cilat shpesh pranohen si pjesë e krishterimit.
7 shtrembërime të ungjillit që zakonisht pranohen si krishterim
1. Formalizmi
Ky shtrembërim i ungjillit ka shumë shenja të dukshme të një krishterimi kulturor. Një i krishterë tipik që ka rënë në formalizëm mendon se veprimet e tij të jashtme, si frekuentimi i kishës dhe shërbesa, janë të mjaftueshme, dhe shpesh nënvlerëson një ndryshim të vërtetë të zemrës që vjen nga marrëdhënia personale me Perëndinë e gjallë.
Këta njerëz mund ta kenë të vështirë ta shohin nevojën e tyre për hirin e Perëndisë për shkak të performancës së tyre të jashtme. Kjo pikëpamje e zvogëlon ungjillin në “pjesëmarrje gjatë të mbledhurit së bashku dhe në shërbesat e kishës”.
2. Legalizmi
Legalizmi kërkon të arrijë drejtësinë duke i ndjekur urdhërimet e Perëndisë përmes një liste të ngurtë të gjërave që “duhen” dhe “nuk duhen” bërë.
Tripp-i dhe Lane-i e shpjegojnë këtë shumë qartë, duke theksuar se “Legalizmi e shpërfill paaftësinë tonë të thellë për të fituar favorin e Perëndisë. Ai harron nevojën që kanë zemrat tona për t’u transformuar nga hiri i Perëndisë. Legalizmi nuk është thjesht një zvogëlim i ungjillit, ai është një ungjill krejtësisht tjetër (shih Galatasve), ku shpëtimi fitohet duke zbatuar rregullat…”
3. Misticizmi
Ky shtrembërim i ungjillit i kushton më shumë rëndësi një përvoje apo ndjenje të veçantë shpirtërore (subjektives) sesa besimit të vërtetë biblik që bazohet te Krishti (objektives). Krishterimi është një besim që prek të gjithë jetën dhe përvojën njerëzore, përfshirë emocionet dhe ato që përjetojmë.
Gabimi i misticizmit qëndron në theksimin e tepërt të dimensionit emocional dhe përjetues të krishterimit, duke harruar se Perëndia vepron në jetën tonë përmes ungjillit edhe atëherë kur nuk e ndiejmë drejtpërdrejt. Në radhë të parë, ne duhet të kërkojmë Krishtin, dhe pastaj përvojat personale do të pasojnë. Kjo pikëpamje “e zvogëlon ungjillin në përvoja personale që janë emocionale dhe shpirtërore”.
4. Aktivizmi
Ky lloj shtrembërimi i ungjillit e kthen një çështje zakonisht të rëndësishme (shpesh një çështje shoqërore si aborti) në një çështje absolute, e cila shërben si një provë për të parë nëse dikush është një “i krishterë i vërtetë”. Tripp-i dhe Lane-i shpjegojnë se aktivistët mbivlerësojnë të keqen jashtë tyre, duke mos u marrë me të keqen që është brenda tyre. Ky shtrembërim e përkufizon pjekurinë e krishterë si “një vullnet për të mbrojtur të drejtën nga e gabuara” dhe shpesh e zvogëlon ungjillin në pjesëmarrje në ngjarje të rëndësishme sociale.
5. Biblicizmi
Biblicizmi merr diçka të mirë që Perëndia e ka dhënë dhe e kthen në një gjë potencialisht të dëmshme. Njerëzit që bien në biblicizëm shpesh e njohin mirë Shkrimin e Shenjtë dhe teologjinë (në shumicën e rasteve në një nivel të përparuar), por dështojnë ta jetojnë besimin e krishterë në praktikë. Besimi zvogëlohet në një njohje të thjeshtë të së vërtetës ose në të pasurit e një “teologjie të mirë”, duke harruar elemente jetike të besimit si të jetuarit me hir dhe në nënshtrim ndaj Krishtit.
Tripp-i komenton: “[Biblicisti] ka investuar shumë kohë dhe energji për ta zotëruar Fjalën, por ai nuk lejon që Fjala ta zotërojë atë. Si përmbledhje, biblicizmi e zvogëlon ungjillin në një zotërim të përmbajtjes biblike dhe teologjisë”.
6. Psikologjizmi
Kjo pikëpamje shpesh e konsideron krishterimin kryesisht si një filozofi vetëndihmuese për t’u përballur me lëndimet emocionale si shpërfillja dhe refuzimi, në vend që të shohë se si Perëndia e trajton me hir problemin e mëkatit te njerëzit, duke na lejuar ta adhurojmë atë përmes një marrëdhënieje personale me Krishtin.
Mëkati më i keq në këtë pikëpamje është mëkati i të tjerëve, dhe shpesh vetvetja është thjesht një viktimë e mëkatit. Tripp-i shpjegon: “Sa herë që e shihni mëkatin e një tjetri ndaj jush si një problem më të madh se mëkati juaj, ju do ta kërkoni Krishtin më shumë si terapistin tuaj sesa si Shpëtimtarin tuaj. Krishterimi bëhet më shumë një kërkim i shërimit sesa një kërkim i perëndishmërisë. Ungjilli zvogëlohet në shërimin e nevojave emocionale.”
7. Socializmi
Kjo pikëpamje thekson marrëdhëniet shoqërore brenda një kishe dhe shpesh u shërben njerëzve që gjejnë një pranim shoqëror të ri dhe të veçantë në një grup kishe. Një komunitet i fortë ndjekësish të Krishtit është një gjë e veçantë, por ai mund të kthehet lehtësisht në një klub shoqëror që thekson marrëdhëniet përpara rritjes në Krishtin.
Kur komuniteti fillon të ndryshojë ose kur programet kryesore dhe kohët e përbashkëta shoqërore [retreats] anulohen, i krishteri që bie në “socializëm”, mund të zhgënjehet në besimin e tij dhe madje ta ndalojë krejtësisht frekuentimin e kishës. Për këtë person, “hiri i miqësisë zëvendësoi Krishtin si gjënë që i jepte atij identitet, qëllim dhe shpresë. Ungjilli ishte zvogëluar, duke u fokusuar në një rrjet marrëdhëniesh të krishtera plotësuese”.
Shpesh, këto shtrembërime fillojnë me qëllime të mira, por rrëmbehen nga mishi ynë dhe shndërrohen në idhuj shkatërrues. Ne duhet të luftojmë kundër këtyre shtrembërimeve të ungjillit që mund të hyjnë aq lehtë në jetën tonë.
Ungjilli nuk ka të bëjë thjesht me njohjen e të gjitha fakteve, me të pasurit e shumë miqve të krishterë apo thjesht me bërjen e gjërave të duhura nga jashtë; ungjilli ka të bëjë me veprën shpëtuese të Jezu Krishtit përmes vdekjes dhe ringjalljes së tij, që na pajton me Perëndinë përmes besimit te Krishti.
Si mund t’i shmangim këto shtrembërime?
Gjasat janë që secili prej nesh të luftojë me një ose shumë nga shtrembërimet e sipërme gjatë jetës sonë. Zgjidhja për këto probleme është që të mos e humbim nga sytë ungjillin e hirit të Perëndisë siç është zbuluar në Shkrime, dhe të lutemi që të formohemi dhe të bëhemi dishepuj nga ungjilli i vërtetë.
Pasi të pimë thellë nga pasuritë e hirit të Perëndisë, ne mund t’i vendosim të gjitha gjërat e mira që kishim shtrembëruar, në këndvështrimin e duhur të ungjillit.
Titit 2:11-14 e shpjegon në këtë mënyrë:
Se u shfaq hiri i Perëndisë, që u sjell shpëtim të gjithë njerëzve, duke na edukuar që, duke mohuar papërshpirtërinë dhe dëshirimet e kësaj bote, të jetojmë maturisht dhe drejtësisht, dhe përshpirtërisht në epokën e tanishme, duke pritur shpresën e lume dhe dukjen e lavdisë së të madhit Perëndi dhe Shpëtimtar tonit, Jezu Krishtit, i cili e dha vetveten për ne, me qëllim që të na shpengonte nga çdo paligjshmëri dhe të pastronte për veten e vet një popull të veçantë, të zellshëm për vepra të mira.
Lutem që të kujtojmë ungjillin e vërtetë të hirit në Krishtin dhe të mësojmë të varemi më shumë prej Tij dhe prej atij hiri çdo ditë.
Ky artikull u përshtat nga përmbajtja e kapitullit të parë të librit Si ndryshojnë njerëzit (How People Change), nga Timothy S. Lane dhe Paul David Tripp.
Botuar me leje: https://www.kevinhalloran.net/gospel-distortions/
Përktheu: Nazmi Berisha | Redaktoi: Lea Allkoja
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2026

