“…Sepse ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh;
nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tanë janë drejtuar te ti.” II I KRONIKAVE 20:12
Nuk na duhet shumë kohë për të dalluar mangësitë tona — sidomos kur bëhet fjalë për të jetuar për Perëndinë dhe për t’i shërbyer Atij. Kur rrethanat e jetës na ndrydhin, ne bëhemi shumë të vetëdijshëm për sfidën që kemi përpara nesh dhe shumë shpejt mund të shohim se po i largohemi asaj. Ne lodhemi nga njerëzit që na thonë se çfarë mund të bëjmë, atëherë kur e dimë se nuk mundemi; mirëpo në të njëjtën kohë, ne nuk jemi të gatshëm që të përballemi me dobësinë tonë në një botë që na bën thirrje për të qenë të fortë dhe të sigurt.
Nëse gjendesh në një vështirësi të tillë, merr zemër. Nuk je vetëm.
Mbreti i Judës, Jozafati, ishte një rast i veçantë që solli ndryshime të cilat e ndihmuan popullin e Perëndisë të rizbulonte ligjin e Tij (II i Kronikave 19). Ai u kujtoi atyre rëndësinë e të kuptuarit dhe të zbatuarit të fjalës së Perëndisë, që të mund t’i shërbenin Atij me besnikëri, me gjithë zemër dhe me guxim.
Megjithatë, Jozafati nuk kishte imunitet nga frika. Kur armiqtë e Judës u bënë kërcënim për kombin e tij, ai ishte shumë i vetëdijshëm në lidhje me epërsinë e tyre dhe me fuqinë e pamjaftueshme të popullit të tij. Sidoqoftë, ai e dinte gjithashtu se reagimi i duhur ndaj dobësisë ishte të mbështeteshin tërësisht në Perëndinë. Teksa u ballafaqua me realitetin e dobësisë dhe të pasigurisë së tij, ai e mbajti vështrimin të ngulitur në qiell, duke u lutur: “…nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tanë janë drejtuar te ti.”
Kur armiku na pëshpërit dhe na thotë se jemi katastrofë ose krejtësisht të padobishëm, gënjeshtrat e tij mund t’i ballafaqojmë me të vërtetën e fjalës së Perëndisë dhe të themi: “…duke qenë i bindur për vetë këtë gjë: se ai që filloi në ju një punë të mirë, do ta përfundojë deri në ditën e Krishtit Jezus” (Filipianëve 1:6). Kur ndihemi të pafuqishëm në betejat tona kundër tundimit, ne mund të prehemi në të vërtetën e fjalës së Perëndisë dhe t’i themi vetes: “…besnik është Perëndia, i cili nuk do të lejojë që ju të tundoheni përtej asaj që mundeni, por bashkë me tundimin do të bëjë edhe rrugëdaljen, që ju të mund ta duroni” (I Korintasve 10:13). Kur pyesim veten nëse na kanë braktisur, mund të jemi të sigurt që “vetë Perëndia ka thënë: ‘Kurrë nuk do të të lë dhe as nuk do të të braktis kurrë’” (Hebrenjve 13:5).
Kur e pranojmë dobësinë tonë, Shpëtimtari ynë i pushtetshëm do ta përdorë atë për të mirën tonë dhe për lavdinë e Tij. Kur të mos dimë çfarë të bëjmë, ne mund t’i drejtojmë sytë tek Ai dhe t’i kërkojmë të na drejtojë dhe të na çlirojë, ashtu siç bëri Jozafati dhe e gjithë Juda (II i Kronikave 20:14-17, 22-25).
Ashtu siç ndodhi me burrat dhe gratë që i shërbyen Zotit gjatë gjithë historisë së Biblës, Perëndia ende vazhdon të zgjedhë njerëz të pazakontë, të ndrojtur dhe hezitues. Ajo që i dalloi ata njerëz nuk ishte forca, aftësia ose vetëbesimi i tyre, por fakti që nuk ishin paralizuar nga dobësitë e tyre; përkundrazi, ata i përqafuan dobësitë dhe u mbështetën në fuqinë e Perëndisë për t’i tejkaluar ato.
A do të bësh edhe ti të njëjtën gjë?
