28 Gusht 2026

“…këto po jua shkruaj që të mos mëkatoni. E po të mëkatojë dikush,
kemi një mbrojtës pranë Atit, Jezu Krishtin, të drejtin.”
I E GJONIT 2:1

Krishterimi varet nga mesazhi i faljes. Fetë e tjera mund të ofrojnë moralizëm. Ato mund të ofrojnë metoda që do të na ndihmojnë ta sistemojmë jetën tonë ose të na bëjnë të ndihemi si njerëz të mirë. Megjithatë, krishterimi është për të padenjët, për të hum­burit, për të munduarit dhe për mëkatarët. Ai është për njerëz që kanë nevojë që të dëgjojnë se mund të falen. Me fjalë të tjera, krishterimi është për të gjithë.

Nga fillimi e deri në fund, ungjilli ka të bëjë me atë që bën Perëndia dhe jo me atë që duhet të bëjmë ne. Është Vetë Perëndia që, me mëshirën e Tij, na jep madje edhe dëshirën që të duam të falemi — dhe vetëm atëherë kur e vendosim besimin tonë në Jezusin, ne falemi plotësisht. Kur kthehemi tek Ai me pendim dhe besim, jemi në gjendje që të shohim pas dhe të themi se jemi shpëtuar nga dënimi i mëkatit. Gjithçka që ishte kundër nesh, gjithçka që na pengonte ta njihnim Perëndinë, gjithçka që na pengonte të zbulonim dashurinë dhe mirësinë e Tij — i gjithë dënimi që meritojmë — është hequr qafe, është fshirë përmes veprës shpëtuese të Birit të Perëndisë në kryq.

Prandaj, si besimtarë, ne mundemi — ne duhet — të gëzohemi në faktin që mëkati nuk sundon më mbi ne. Megjithatë, realiteti është që, në jetën tonë tokësore, ne ende mëkatojmë. Ne ende nuk qëllojmë në shenjë; ende nuk e arrijmë standardin e Perëndisë. Kur e bëjmë këtë, të Ligut i pëlqen të na pëshpëritë: “A je me të vërtetë i shpëtuar? A do të të falë me të vërtetë Perëndia kësaj here?”. Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjemi duke thënë: “Po, jam i shpëtuar; dhe po, Ai do të më falë, sepse Ai që vdiq për mua, në këtë çast po ndërhyn për mua.”

Përjetimi i faljes nuk është leje për të mëkatuar; përkundrazi, Gjoni shkroi me qëllim “që të mos mëkatoni”. Kur ne mëkatojmë, gëzimi që kemi gjetur në Perëndinë, nis të zbehet. Edhe pse Ai vazhdon të jetë Ati ynë qiellor, nuk duhet të habitemi që, nëse i lëmë vend mëkatit, ne nuk do t’i shijojmë dot të gjitha bekimet që Ai ka për qëllim që ne t’i shijojmë.

Prandaj, ne përpiqemi të jetojmë me bindje ndaj Zotit tonë, megjithatë, përderisa nuk do të jemi në gjendje për ta bërë këtë përsosurisht, edhe ne duhet të jetojmë me pendim para Zotit tonë. Jezusi e theksoi nevojën dhe rëndësinë e pendimit të përditshëm te Gjoni 13 kur, teksa Ai po u lante këmbët dishepujve, Pjetri protestoi duke thënë: “Kurrë nuk do t’i lash këmbët e mia, sa të jetë jeta!”. Jezusi iu përgjigj: “Po mos të të laj, nuk ke pjesë me mua” (Gjoni 13:8). Ne nuk e kemi marrë faljen derisa të jemi larë nga Jezusi, dhe pastaj Ai vazhdon të na lajë përmes pendimit dhe besimit tonë të përditshëm.

Një ditë do të shkosh në qiell dhe do të shpëtohesh edhe nga prania e mëkatit. Mirëpo, derisa të vijë ajo ditë madhështore, jeta jote e krishterë duhet të jetë një udhëtim pendimi. Ti je shpëtuar. Ti do të shpëtohesh. Mirëpo tani për tani, ditë pas dite, prej mëshirës së Perëndisë, je duke u shpëtuar ndërkohë që pendohesh dhe kthehesh te Jezusi.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

GJONI 15:12-17