“Le të lëvdojnë emrin e ZOTIT, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet.
Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejt.” PSALMI 148:13
Perëndia na e ka bërë Veten të njohur duke na treguar emrin e Tij. Kur mendojmë për emrin e Perëndisë, duhet të mendojmë për natyrën e Tij — thelbin e Tij, karakterin e Tij dhe atributet e Tij. Emri i Tij e veçon Atë nga kushdo dhe gjithçka tjetër, për shkak se përfaqëson gjithë qenien e Tij.
Takimi i Perëndisë me Moisiun te ferrishtja që digjej nga zjarri, që është regjistruar për ne tek Eksodi 3, thekson marrëdhënien mes emrit të Perëndisë dhe karakterit të Tij. Ndërsa Moisiu iu afrua ferrishtes, Perëndia e udhëzoi atë që të hiqte sandalet nga këmbët, pasi po qëndronte mbi tokë të shenjtë. Në dialogun që vijoi, pasi u urdhërua për të shkuar te Faraoni dhe për t’i kërkuar çlirimin e izraelitëve, Moisiu me të drejtë pyeti: “…Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: ‘Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju’, po të jetë se ata më thonë: ‘Cili është emri i tij’?, ç’përgjigje duhet t’u jap?”. Përgjigjja e Perëndisë? “UNË JAM AI QË JAM” (Eksodi 3:13-14).
Perëndia përdori foljen jam — “UNË JAM” për të përcjellë emrin e Tij. Duke përdorur këtë folje, Ai bëri dallimin mes Vetes dhe gjithë perëndive të rremë, të cilët duhet ta quajnë veten e tyre “Nuk jam”. Idhujt janë bërë nga duart e njerëzve — ose, në kohën tonë, shpesh ata krijohen brenda zemrave tona. Mjeshtrit i bëjnë idhujt prej druri, guri ose fildishi dhe i vendosin mbi mbështetëse të larta. Megjithatë, në mënyrë të pashmangshme, ata rrëzohen dhe kanë nevojë që t’i ngresh sërish. Një idhull kërkon shërbimin tonë, mirëpo nuk mund të na shpëtojë. Ai kurrë nuk ta jep atë që të ka premtuar.
Mirëpo për Krijuesin e skajeve të dheut, është e justifikuar dhe e drejtë që Ai të njihet si UNË JAM-i, sepse askush tjetër nuk i ngjan Atij. Ai nuk u krijua. Ai është tërësisht vetekzistues. Ai është tërësisht i vetëmjaftueshëm. Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe askënd. Ato atribute që Ai i ka zotëruar gjithmonë, vazhdon t’i zotërojë edhe tani. Ai nuk ka as fillim dhe as fund. Ai i përmbush të gjitha premtimet e Tij. Ai është Perëndia i jetës dhe i fuqisë së pafundme.
Ne duhet ta lartësojmë emrin e Tij dhe vetëm emrin e Tij, sepse për këtë u krijuam. Të gjithë ne e kemi të vështirë që të mos biem përmbys para idhujve — gjërave të krijuara që i adhurojmë dhe për të cilat bëjmë sakrifica, ngaqë mendojmë se ato do të na sjellin jetë. Mirëpo, nëse duam që ta adhurojmë Atë siç duhet, idhujt tanë duhet të rrëzohen para Tij. Ai është Krijuesi i vetëm, është i vetmi UNË JAM — i vetmi që sundon tokën dhe qiellin.
