“Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.” ISAIA 45:22
Çdo ditë, teksa agimi afron, turma të mëdha dalin në brigjet e lumit Gang në Indi për ta adhuruar atë dhe diellin që lind. Shumë prej tyre e hedhin hirin e të afërmve të tyre në ujë, me shpresën se do t’u sigurojnë atyre lumturinë e përjetshme. Si përfaqësues të miliona hinduve në Indi, këta burra dhe gra besojnë se “perëndia” është në gjithçka.
Edhe pse pamjet dhe tingujt e një adhurimi të tillë mund të duken si shumë larg nesh, në njëfarë kuptimi tjetër, ne jemi më afër një përjetimi të tillë nga sa duam ta pranojmë.
Hidheni vështrimin përreth në kulturën tonë dhe do të dalloni që idhujtaria dhe format e saj të maskuara janë po aq mbizotëruese sa në çdo kohë tjetër. Këtë e shohim në idenë se nuk ka rëndësi se çfarë beson, përderisa fetë e madha të botës “bien dakord për gjërat thelbësore”. Forma të prishura dhe të holluara të krishterimit i gjen me bollëk, pasi ne jemi shumë të zotë për të adhuruar një “Perëndi” që e kemi krijuar vetë, i cili përputhet mirë me dëshirat tona dhe i miraton zgjedhjet tona. Forma sipërfaqësore të panteizmit mund të zbulohen në qendrat luksoze të shëndetit dhe në klasat e jogës, pasi ne, gjithashtu, jemi shumë të zotë për ta trajtuar veten dhe trupat tanë sikur të ishin perëndi.
Në fakt, ne kemi me qindra perëndi zëvendësues — idhuj që na premtojnë liri, por që në realitet na ulin dhe na skllavërojnë. Adhuro seksin, dhe kjo do ta shkatërrojë aftësinë tënde për të dhënë ose për të marrë dashuri. Adhuro alkoolin, dhe ai do të të skllavërojë. Adhuro paranë, dhe ajo do të të konsumojë. Adhuro familjen tënde, dhe ti (ose ata) do të shtypeni poshtë barrës së pritshmërive të papërmbushura. Adhuro çdo perëndi tjetër zëvendësues, dhe do të zbulosh që nuk mund të të kënaqë.
Nëse ngatërrohemi gjithnjë e më shumë me idhujt, kjo gjë shpesh shoqërohet me një humbje gjithnjë e më të madhe të sigurisë sonë te Bibla si fjala e pagabueshme e Perëndisë. Kur kjo gjë ndodh, nuk ka më vend për një shpallje të drejtpërdrejtë të deklaratave eksluzive të Jezusit të Nazaretit si Personi i dytë i Trinisë, si Krijuesi i gjithësisë, si Zoti i ringjallur, si Mbreti i lartësuar dhe — një ditë — si Krishti që do të kthehet. Prandaj, është një akt i hirit — edhe pse e pranojmë se është i parehatshëm — që, në fjalën e Tij, Perëndia thotë: Po ju urdhëroj të gjithëve ju njerëz kudo që të jeni, që të pendoheni, t’i braktisni idhujt tuaj të vegjël dhe të më adhuroni Mua, Krijuesin, Mbajtësin, Sundimtarin, Atin dhe Gjykatësin (shih Veprat e Apostujve 17:30).
Cili është kundërhelmi për dëshirën e vazhdueshme të zemrës sate për të adhuruar idhuj, të cilët e ofendojnë Zotin dhe nuk mund të të shpëtojnë dot? Thjesht kjo: “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër.” Identifikoji ata idhuj që ke prirjen për t’i adhuruar dhe krahasoji ata me Krijuesin dhe Mbajtësin e gjithçkaje. Ai është Perëndi, ndërsa ata nuk janë. Ai mund të të shpëtojë, ndërsa ata nuk munden. Braktisi ata sërish dhe kthehu tek Ai.
