18 Shtator 2026

“Dhe pashë një qiell të ri dhe një tokë të re; se qielli i parë dhe toka e parë shkuan, dhe deti nuk është më.” ZBULESA 21:1

Çfarë dimë në lidhje me kthimin e Jezu Krishtit? Bibla na tregon fakte të caktuara, të cilat janë shumë të qarta. E dimë se Jezusi do të kthehet personalisht, fizikisht, hapur dhe lavdishëm. E dimë gjithashtu se koha e shfaqjes së Tij është e fshehtë, do të jetë e papritur dhe do të sjellë ndarje mes atyre që po e presin Atë dhe atyre që tani po e refuzojnë Atë.

Për më tepër, ajo që iu shpall shenjtorëve vuajtës në shekullin e parë te Libri i Zbulesës, vazhdon të na shpallet edhe neve sot: askush nuk duhet të alarmohet nga problemet e botës sonë për shkak se Jezusi ka gjithçka nën kontroll. Fuqia mbretëruese e Krishtit do të vendoset kur mbretëria e Tij të vijë në tërë plotësinë e saj të të përhershme dhe kthimi i Tij do të sjellë një qiell të ri dhe një tokë të re.

Ideja që qielli mund të vijë mbi tokë — që një ditë “Jerusalemi i ri” do të vijë “duke zbritur prej qiellit nga Perëndia” (Zbulesa 21:2) — është një ide që jehon shumë dobët në shumë nga pikëpamjet moderne të botës, sidomos në Perëndim. Kultura jonë karakterizohet natyrshëm nga vetëbesimi, prandaj përpiqet ta ripërtërijë botën tonë me pak më shumë arsimim, pak më shumë mirëqenie sociale dhe pak më shumë interesim për gjithsecilin. Megjithatë, asnjë agjendë e krijuar nga njeriu nuk mund ta arrijë dot ndonjëherë ripërtëritjen për të cilën ka nevojë bota jonë. Përpjekjet njerëzore mund t’i përmirësojnë gjërat, mirëpo nuk mund t’i përsosin dot ato. Pa ardhur Krishti, qielli nuk do të vijë mbi tokë. Aktualisht, krijimi është i mbërthyer në kthetrat e mëkatit dhe vetëm Perëndia mundet ta rregullojë dhe do ta bëjë këtë në fund të historisë, ndërkohë që populli i Tij do të gjunjëzohet përpara Qengjit dhe do të shpallë lavdërimet e Tij.

Tani për tani, ju dhe unë jetojmë në një tokë të huaj. Jetojmë në një botë armiqësore ndaj Krishtit, armiqësore ndaj fjalës së Tij dhe armiqësore ndaj një jete që jetohet me bindje ndaj Tij. Tundimi për ne si besimtarë është që t’ia mbathim dhe të fshihemi, të mblidhemi në një grupim të vogël dhe të shenjtë, dhe të mos shqetësohemi për botën. Mirëpo, ashtu siç u tha edhe Jeremia të mërguarve në Babiloni, që të kërkonin të mirën e qytetit ku ishin (Jeremia 29:7), po kështu edhe ne duhet të kërkojmë të mirën e botës në të cilën jemi. Kjo gjë kërkon që ne të jemi në këtë botë, por të mos jemi prej saj, të jetojmë jetën dhe të shqiptojmë fjalë që tregojnë drejt një vendi tjetër.

Ngazëllimi në historinë triumfuese të Krishtit të kryqëzuar, të ringjallur, që mbretëron dhe që një ditë do të kthehet, na jep sigurinë për t’i drejtuar njerëzit përtej kësaj bote. Shpresa për kthimin e Tij dhe jeta e përjetshme në praninë e Tij janë motivimi i përsosur për një jetë me shenjtëri të vazhdueshme dhe ungjillëzim të zellshëm në emrin e Tij. Tani, me sytë e besimit, hidhe vështrimin drejt kthimit të Tij — dhe pastaj shko dhe jeto për të mirën e atyre që janë rreth teje sot.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

I KORINTASVE 15:50-58