16 Shtator 2026

“Nuk është se po kërkoj dhuratën, por kërkoj frytin që shumohet për llogarinë tuaj. Por i kam marrë të gjitha dhe kam tepri; jam mbushur kur mora nga Epafroditi ato që u dërguan nga ju, një aromë erëmirë, një flijim i pranueshëm, i pëlqyeshëm për Perëndinë.” FILIPIANËVE 4:17-18

Më e pakta që mund të themi është se mënyra e Palit për të thënë “Faleminderit për mbështetjen tuaj financiare”, teksa i shkruan kishës në Filipi, është diçka e re. Ai thotë se bujaria e tyre e gëzoi, jo për faktin se ç’domethënie kishin dhuratat e tyre për të, por për faktin se ç’domethënie do të kishin dhuratat e tyre për vetë ata. Pali u thotë se dhënia e tyre do të ketë më shumë dobi për ta, sesa për të si marrësi i saj!

Ngazëllimi i Palit për bujarinë e tyre rridhte nga siguria që ata do të kishin një dobi të përjetshme për shkak të saj. Plotbesimi i tij mbështetej mbi mësimin e Jezusit. Për shembull, tek Ungjilli sipas Lukës, Pjetri i kishte thënë Jezusit: “Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndo­qëm” (Luka 18:28). Nuk e dimë me saktësi se cili ishte motivi i Pjetrit për ta bërë këtë koment, por kemi reagimin e Jezusit që i tha: “Me të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që la shtëpi apo grua, apo vëllezër, apo prindër, apo fëmijë për shkak të Mbretërisë së Perëndisë, i cili të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në epokën që vjen jetë të për­jetshme” (Luka 18:29-30). Jezusi po thoshte se Pjetri dhe dishepujt e tjerë nuk kishin hequr dorë nga gjërat, përkundrazi, kishin bërë një investim për të ardhmen.

Në Bibël flitet me qartësi të plotë si për kohën e tanishme, ashtu dhe për faktin se sa afër është përjetësia. Ne e kemi të lehtë të jetojmë sikur përjetësia të mos kishte asnjë ndikim në mënyrën se si japim, mendojmë dhe jetojmë tani. Mirëpo realiteti është që përjetësia mund të jetë thjesht një frymëmarrje larg për secilin prej nesh dhe që ajo do të zgjatë shumë herë më tepër sesa kjo jetë kalimtare. Prandaj është me vend që të japim duke pritur shpërblimet e pasura që do të na jepen në jetën e përjetshme.

Aftësia jonë për të dhënë duarhapur dhe nën dritën e përjetësisë është e rrënjosur në bujarinë e Vetë Perëndisë, i cili është Dhuruesi i madh. Ndoshta gabimi më i madh që mund të bëjmë në lidhje me dhënien është të mos japim fare. Ne mund të tundohemi të mendojmë se nuk kemi mundësi të japim — por e vërteta është që nuk kemi mundësi të mos japim! Sikurse na premtoi edhe Jezusi me aq shumë dashuri: “Jepni e do t’ju jepet: një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur, që derdhet, do t’ju japin në prehrin tuaj. Sepse me atë masë që matni, do t’ju matet në këmbim edhe juve” (Luka 6:38).

Prandaj mendoni për investimet tuaja — jo në fondet e pensionit, në tregun e bursës ose në fondin e shkollimit, por mendoni për atë lloj investimi që “shumohet për llogarinë tuaj” në përjetësi. Ka një fitim të madh në dhënien për ungjillin. Lejoni që jeta që do të vijë, të përcaktojë shpenzimet që bëni sot në jetën tuaj, dhe do të zbuloni që do të jepni me bujari dhe me gëzim.

Pyetje për të menduar

icon devo head

Në ç’mënyrë po më bën thirrje Perëndia për të menduar ndryshe?

icon devo heart

Si po i përshtat Perëndia ndjenjat e zemrës sime — gjërat që dua?

icon devo hand

Çfarë po më thërret Perëndia që të bëj ndërsa e jetoj ditën e sotme?

Lexim i mëtejshëm

II KORINTASVE 8:1-15