tragjedia e gëzimit që ofron bota

Tetor 2021                                                                       


Në librin e tij klasik, Mere Christianity, C. S. Lewis jep një mendim thellësisht të mprehtë për makinerinë psikologjike, e cila vë në lëvizje dramën e historisë: “Çka ne quajmë histori njerëzore–paraja, varfëria, ambicia, lufta, prostitucioni, klasat, perandoritë, skllavëria–është historia e gjatë dhe e tmerrshme e njeriut në përpjekje për të gjetur diçka tjetër përveç Perëndisë, që ta bëjë atë të lumtur.”

Jam shumë dakord! E përmbledhur, kjo është: Motivi shtytës në histori është dëshira për lumturi. Mendo pak, gjithçka nga skllavëria te prostitucioni, te racizmi, te terrorizmi, te shfrytëzimi, tek aborti, te shpërthimi i luftërave botërore–gjithçka motivohet prej dëshirës për lumturi, por pa iu referuar Perëndisë.

Në këtë pikë, Lewis ka guximin të shpojë ateizmin atje ku i dhemb më tepër. Problemi serioz me ateizmin nuk është ateizmi intelektual, pra, mohimi i ekzistencës së Perëndisë, por problemi real është ateizmi afeksional, pra, konsiderimi i Perëndisë si një pengesë në shtegun e gëzimit personal. Ateizmi praktik është problemi rrënjësor i njerëzimit, i cili i pllakos zemrat e ateistëve, agnostikëve dhe madje edhe të atyre që thonë se janë deistë.

Ateistë në thelb

Një kancer i tillë në zemër mund të sjellë vetëm pasoja masive sociale. Me largimin nga Perëndia, kërkimi ynë i gëzimit të paperëndishëm bie në kurrizin e të tjerëve (Psalmi 14:1-4). Problemi nuk është që ka ateistë në botë; problemi është që ne të gjithë, në mënyrë universale, identifikohemi me këtë ateizëm në thelb të motiveve tona. Secili prej nesh ka lindur me një dëshirë të shtrembëruar për lumturi dhe ajo dëshirë vjen me një kosto te të tjerët.

Pra, çfarë ndodh kur kërkojmë gëzim dhe duhet të përdorim dikë tjetër për ta arritur atë? Atëherë do të të duhet t’i shtypësh dhe t’i lëndosh të tjerët. Do të të duhet t’i plagosësh dhe t’i ofendosh. Vihesh ballë për ballë apo sy për sy me ateistë të tjerë si ty, të cilët kërkojnë lumturinë personale në kurrizin tënd, por mësohesh me këtë. Në mënyrë paradoksale, këto dëshira na tërheqin te njëri-tjetri, duke e bërë edhe më të vështirë përplasjen, si një përplasje e pashmangshme mes dy trenave me mallra.

Beqari që e bën idhull seksin, është i motivuar të dalë me vajza të ndryshme për këtë qëllim. Vajza beqare që e bën idhull vëmendjen e meshkujve që të gjejë ndjesinë e vlerës së vetes, është gjithashtu e motivuar që të dalë në takime. Kur ata takohen, do ta përdorin njëri-tjetrin për synimet e tyre egoiste. Ajo çfarë i kushton djaloshit, janë lajkat, ndërsa vajzës, trupi i saj. Në atë çast, këto duken si një çmim i vogël për t’u paguar, që idhujt e tyre personalë të ushqehen. Deri këtu, gjithçka duket paqësore.

Sidoqoftë, nuk mund ta ushqesh përgjithmonë idhullin. Në fund të fundit, sytë e djaloshit tërhiqen pas paraqitjes së vajzave të tjera dhe largohen nga vajza e ulur përballë. Në fund, lajkat do të dalin se ishin thjesht shtirje dhe do të duket qartë se trupi i vajzës ka qenë thjesht një objekt epshi për djaloshin. Nëse vështron më thellë se në sipërfaqe, do të gjesh dy mëkatarë të izoluar në këtë marrëdhënie, dy ateistë, ndjenjat e të cilëve janë shkëputur nga Perëndia dhe që po e përdorin njëri-tjetrin për të mbushur boshllëkun e brendshëm. Përfundimi i kësaj është me luftë.

Ringu i përleshjeve

“Në thelb, mëkati nuk është të bësh të gabuarën, por të adhurosh të gabuarën.”

Shfrytëzimi i njëri-tjetrit për lumturi personale, sado i i maskuar të jetë, në fund të çon në konflikt të ashpër personal në jetën e secilit prej nesh. Jakobi 4:1-12 na ndihmon të kuptojmë pse ndodh kjo, duke na pyetur drejtpërdrejt: Nga vijnë luftërat dhe përleshjet te ju? Çfarë ushqen flakët e inatit, hidhërimit dhe zemërimit që ndien në zemër?

Përgjigjja nuk është e ndërlikuar. Ne luftojmë kundër njëri-tjetrit, për shkak se pasionet tona këlthasin dhe çirren për të pasur gëzim pa Perëndinë. Ne lakmojmë ato kënaqësi që mendojmë se do të na sjellin lumturi, por në fund ato nuk na plotësohen. Ja pse, ne vrasim. Kemi smirë dhe e bëjmë idhull atë kënaqësi që mendojmë se do të na e kënaqë shpirtin—seksin, pushtetin, pasurinë, famën, dhe shumë të tjera—por në fakt nuk i marrim dot. Ato mbeten të pakapshme dhe nuk i shtiem dot në dorë, prandaj vrasim njëri-tjetrin. I përdorim të tjerët, sikundër të tjerët na përdorin ne. Lakmojmë, bëhemi armiq të njëri-tjetrit dhe armiq të Perëndisë. I refuzojmë furnizimet e bollshme që Perëndia na i ofron për kënaqësinë personale. Mirë se erdhe në ringun e përleshjeve!

Puritani Richard Sibbes shpjegon arsyen pse kjo është e vërtetë: “Përpara se të ndryshohet zemra, gjykimi ynë është i shthurur për sa i përket synimit tonë përfundimtar; ne e kërkojmë lumturinë tonë atje ku s’mund të gjendet.” Kjo është rrënja tragjike e konflikteve në jetën tonë. Ne jemi të verbër ndaj asaj që do t’i sjellë zemrës tonë kënaqësinë, të cilën e dëshiron aq ethshëm. Ne s’mund ta shohim dot bukurinë e Perëndisë apo t’i shijojmë kënaqësitë e Tij dhe për pasojë përpiqemi t’i zëvendësojmë ato me kënaqësitë e mishit. Zemrat tona janë aq të shthurura, sa janë të vdekura, ndaj dhe përfundojmë duke i rënë pas një synimi të gabuar.

Gjithsesi, ne të gjithë po ndjekim diçka. Kjo është ideja e Lewis. 

Pra, cili është “synimi përfundimtar”? Cili është “synimi im përfundimtar”? Richard Baxter na shpjegon se synimi ynë përfundimtar është kënaqësia jonë, thesari ynë, e mira jonë më e madhe, ajo për të cilën përdorim gjithçka tjetër në jetë, në mënyrë që ta arrijmë. “Synimi ynë përfundimtar” është çdo gjë që e perceptojmë si më të mirën në botë, ajo që kryesisht e kërkojmë në jetë, ajo që mendojmë se do të na bëjë të lumtur, nëse e kemi, dhe që do të na bëjë njerëzit më të mjerë, nëse nuk e arrijmë. Mund të jetë seksi ose vëmendja, pushteti, fama ose pasuria–secili prej këtyre synimeve përfundimtare nxjerr hapur ateizmin praktik të zemrave tona. Për këtë arsye, Baxter shpjegon: “Pjesa kryesore e korruptimit të njeriut në gjendjen e tij të shthurur natyrore, konsiston në të mirën kryesore të gabuar, në thesarin e gabuar, në sigurinë e gabuar.”

Asnjë pyetje diagnostikuese nuk depërton më thellë brenda nesh sesa: Cila është gjëja pa të cilën s’mund të jetoj dot?

Në thelb, mëkati nuk është të bësh të gabuarën, por të adhurosh të gabuarën. Mëkati gozhdon zemrën tonë në cilindo thesar apo siguri, që zëvendëson thesarin dhe sigurinë që mund t’i gjejmë vetëm në Perëndinë.

Idhujt

Duke qenë se në thelb jemi të gjithë ateistë (të verbër ndaj kënaqësive të bollshme të Perëndisë), sytë tanë kalojnë lehtë nga njëri idhull te tjetri, ndërsa rendim pas kurorëshkeljes frymërore. John Calvin na shpjegon: “Përmes shikimeve të tyre ndjellëse, idhujtarët ngjallin flakët e epshit dhe kështu zemra e tyre merr zjarr” (Ezekieli 6:9). Kështu funksionon zemra! Duke shpërfillur Perëndinë e padukshëm, ne i ngulitim sytë te çdo gjë që shohim në botën e dukshme. Atë që e shohim përreth, atë gjurmojmë, dhe ajo që gjurmojmë, ndez edhe më fort epshin në zemrat tona për atë që shohim.

Kjo shpjegon pse idhujt marrin forma të ndryshme në çdo shekull apo kulturë. Ndonjëherë një idhull është një pemë e gdhendur si hardhucë, ose ari i modeluar si viç, ose një idhull shtëpie prej fildishi, apo një kapak reviste me fotografinë e një modeleje. Ashtu si një alpinist, edhe sytë tanë shohin përreth që të gjejnë një vend tjetër për t’u kapur. Kudo ku kapemi, e ndezim edhe më tepër epshin në zemrën tonë. Kjo na shtyn edhe më afër majës së kënaqësisë së paperëndishme, të cilën po përpiqemi ta arrijmë, por që në fakt s’do ta gjejmë dot kurrë. Ngjitja është e kotë, për shkak se nuk arrijmë kurrë në fund. Synimi ishte i gabuar që nga fillimi—po i ngjiteshim malit të gabuar. Ndërkohë, në çdo hap që hedhim, jemi thjesht duke e shtuar lartësinë, nga e cila në fund do të biem poshtë.

Këtu do të gjejmë ciklin e pafund të mëkatit. Në fund të fundit, ka vetëm vdekje dhe verbëri. Kërkimi për gëzimet e botës del që është i kotë, dhe thjesht na çon më thellë në dëshpërim, teksa ne kërkojmë premtime të reja përmbushjeje në shprehjet e reja seksuale, apo në më tepër para ose pajisje elektronike më të reja. 

Tërësisht të shthurur

“Nëse dua t’i shpëtoj humbjes time, Perëndia duhet të bëhet thesari im më i madh.”

Mbërthimi i një shpirti të vdekur për të gjetur përmbushje në kënaqësitë e mishit, atje ku kënaqësitë që zgjatin, nuk mund të gjenden, është ajo që kalvinistët e quajnë shthurja totale, e cila përfaqësohet nga shkronja T në shkurtesën TULIP. Ky përkufizim u mor në Shkrim nga vetë Kalvini dhe shumë të tjerë para tij, dhe që nga ajo kohë nga puritanët, princtonianët dhe kalvinistët e sotëm. Sikurse thotë edhe John Piper: “Shthurja totale nuk është thjesht ligësi, por është verbëri ndaj bukurisë dhe pandjeshmëri ndaj gëzimit.”

Jo të gjithë jemi të destinuar për të qenë Adolf Hitlerë, të cilët hedhin tej shtypjen, që të merr frymën. Shumica prej nesh ka fuqi të pakta për të ngopur kënaqësitë egoiste, që marrim nga shtrydhja e një kombi. Shkalla në të cilin shprehet shthurja, është e ndryshme për të gjithë ne. Në shumë raste, kjo shthurje ndjenjash na çon edhe më tepër drejt mendimeve dhe ëndrrave të prishura sesa drejt një sjelljeje të caktuar. Shkalla e shkatërrimit ndryshon, por zemrat tona mbeten të njëjtat.

Është një gjë të jesh i keq; është krejt gjë tjetër të jesh i verbër ndaj së mirës. Të gjithë ne e përjetojmë këtë. Thelbi i shthurjes totale është ky, ajo çfarë e bën shthurjen të jetë aq e gjithanshme është që ne as nuk mundemi të fillojmë ta përfytyrojmë se si mund të gjendet ndonjë ndjesi reale kënaqësie dhe gëzimi në Perëndinë!

Le t’u kthehemi sërish puritanëve të vjetër, të cilët e kuptuan se si funksionon shthurja. Ata thanë se ajo ka të bëjë me ndjenjat “e prishura” të zemrës–një mënyrë e mistershme për të thënë se ndjenjat janë prishur keq fare. Shthurja e prish zemrën që ajo të mos jetë dhe të mos bëjë atë për të cilën u krijua. Është si puna e një njeriu të etur, i cili pi ujë të kripur. Zemra natyrore dëshiron vetëm atë që e çnderon Perëndinë dhe në fund shkatërron veten.

Trishtimi më i madh i mëkatarit është që “ai nuk mund ta përmbushë dot vullnetin e tij të lig dhe as t’i kënaqë dëshirat e tij të mishit.” Kur bota natyrore nuk mund të ofrojë dot më asnjë kënaqësi tjetër, atëherë njeriu iu bie pas gjërave të panatyrshme (Romakëve 1:18-32). Epshet e tij janë të pangopura dhe dëshirat e tij mëkatare nuk kënaqen kurrë. 

Kështu pra, realiteti i shthurjes tonë totale na sjell në këtë pikë. Ne duam atë që na shkatërron dhe jemi të verbër ndaj asaj që na kënaq. Shthurja totale do të thotë ngatërrim i plotë i dëshirave të shpirtit, do të thotë verbëri absolute ndaj bukurisë së Perëndisë dhe rezistencë e plotë ndaj gëzimit në Perëndinë. Shthurja totale është thelbi i gjithë mëkatit!

Kënaqësitë fajtore

Tragjedia e vërtetë është se kjo është krejtësisht punë parapëlqimi. “Njerëzit parapëlqejnë sheqerkat mishore kundrejt përbashkësisë me Perëndinë,” shkruan William Bates mbi shthurjen. Të flasësh për çikërrima nuk është e parëndësishme. Të jesh krejtësisht i shthurur nuk do të thotë të jesh një viktimë e pafajshme e mëkatit. Nuk do të thotë thjesht të harrosh Perëndinë, një problem ky që zgjidhet nga alarmi i telefonit apo nga pjesëmarrja javore në kishë. Shthurja është injorim i vullnetshëm, i qëllimshëm dhe rebel ndaj Perëndisë, dhe si e tillë meriton me të drejtë gjykimin e Perëndisë. Të shijosh kënaqësitë e mishit më tepër se kënaqësitë e Perëndisë është “një mëkat me faj të jashtëzakonshëm, dhe jo më pak i urryeshëm për Perëndinë, dhe i mallkuar në natyrën e vet”.

Të kapësh një dorë kënaqësish të mishit “është mëkat” (Romakëve 8:6). Ka vetëm një kurë për këtë shthurje të pashpresë. Në vend që t’u biem pas ndjelljeve të natyrshme të mishit tonë, ne duhet t’i biem pas premtimit të gëzimit dhe bashkësisë së përjetshme me Perëndinë (Hebrenjve 11:24-26). 

Mëkati është gëzim i helmuar. Shenjtëria është gëzimi që e shtyjmë për më vonë dhe që njëkohësisht e kërkojmë. Nëse dua t’i shpëtoj humbjes time, Perëndia duhet të bëhet thesari im më i madh.

Po tani?

“Përgjatë shekujve, kalvinistët e dinin se për të gjetur gëzimin, dikush duhet të na lëndojë zemrën dhe të na rrëmbejë ndjenjat.”

Këtu merr fund historia! Tani për tani, thjesht duhet të dallojmë se ky ateizëm praktik është një rërë thithëse. Të gjithë ne duhet ta kemi lumturinë. Duke qenë mëkatarë, ne zgjedhim mëkatin kundrejt Perëndisë. Shthurja totale është një vobektësi e dëshpëruar.

Veçse, “Zoti nuk flet për mëkatin tënd që ti të mendosh se je një plehrë,” shkruan një kalvinist i kohëve moderne, “Ai flet për mëkatin, sepse ti nuk po flet për të. Ai flet për mëkatin, për shkak se ti je krijuar në shëmbëllimin e Tij dhe ka një plan pafundësisht më të lartë dhe më të shkëlqyer për ty se plani që ti zgjedh për veten tënde.”

Këtu ka një ndryshim skenari. Perëndia e zbulon shthurjen për t’i thyer ata, të cilët Ai i udhëheq te gëzimi i vërtetë. Gjithsesi, në dritën e tragjedisë njerëzore të quajtur shthurje totale, një plan kaq i ndritshëm duket mjaft i pamundur, përveç shkeljes së guximshme hyjnore në ndjekjet e mia. Nëse dua të jetoj, diçka apo dikush duhet të shkelë mbi mua. Dikush duhet të më thyejë. 

Përgjatë shekujve, kalvinistët e dinin se për të gjetur gëzimin, dikush duhet të na lëndojë zemrën dhe të na rrëmbejë ndjenjat. Dikush duhet të më kthejë soditjen larg nga idhujt dhe të më pushtojë me një bukuri më të madhe.


Tony Reinke (@tonyreinke) është shkrimtar kryesor për Desiring God dhe autor i Competing Spectacles (2019), 12 Ways Your Phone Is Changing You (2017), John Newton on the Christian Life (2015), dhe Lit! A Christian Guide to Reading Books (2011). Ai është prezantues i podkastit Ask Pastor John dhe jeton në zonën e Phoenix me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre. 


Botuar me leje: 

https://www.desiringgod.org/articles/the-worlds-joy-tragedy

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon

SHËNIM: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim