lake

Tetor 2021                                                                       


A gjen Perëndia kënaqësi në ty?

A buzëqesh Ai kur të sheh ty?

E thënë shkurt, nëse je në Krishtin, përgjigjja është po. Gjithsesi, për t’iu përgjigjur pyetjeve të tjera si, pse dhe mbi çfarë baze, kërkohet pak shpjegim.

Kënaqësia e Perëndisë për të shpenguarit ndahet në tri kategori: (1) kënaqësi në zgjedhje, (2) kënaqësi në shpengim, (3) kënaqësi në shenjtëri.

1. Kënaqësi në zgjedhje

Së pari, Perëndia e ka shprehur kënaqësinë për fëmijët e Tij që në zgjedhje. Në mënyrë të pakushtëzuar dhe të lirë, pa asnjë pikë padrejtësie apo paanësie, Perëndia zgjodhi të vendoste kënaqësinë e Tij mbi disa shpirtra njerëzorë. Kjo shpreh kënaqësinë e Perëndisë triun (Luka 10:21).

Perëndia kënaqet lirshëm në zgjedhjen e fëmijëve për t’i shpenguar dhe birësuar në familjen e Tij (Romakëve 9:10-18, Efesianëve 1:3-6)

Kjo kënaqësi e paracaktuar mbi ne që në zgjedhje është e pakushtëzuar nga ne.

2. Kënaqësi në shpengim

Së dyti, Perëndia kënaqet në shpengimin e të zgjedhurve të Tij në Krishtin (Luka 15:7).

Kjo kënaqësi mbështetet në veprën e përsosur të Krishtit dhe në zbatimin e saj te të zgjedhurit, me anë të besimit, në një çast të caktuar në jetën e tyre. Madje edhe shfaqja e besimit tonë shpëtues i pëlqen Perëndisë (Hebrenjve 11:6). Sapo fëmijët e Tij çlirohen prej kërkesave ligjore të drejtësisë dhe qëndrojnë përjetësisht të drejtësuar për shkak të bashkimit të tyre me Krishtin, Perëndia këndon një këngë kënaqësie mbi ta (Sofonia 3:14-17).

Mendo për gëzimin e engjëjve në qiell kur shpengohet një mëkatar i vetëm. Gjithashtu mendo për festën bujare të kënaqësisë së Atit për djalin e Tij plëngprishës. Po ashtu, kur të zgjedhurit shpengohen, zemra e Perëndisë ka prirjen të kënaqet përjetësisht për ty, për ty (Luka 15:24).

3. Kënaqësi në bindjen e shenjtë

Së treti, Perëndia kënaqet në bindjen e sinqertë.

Në njërin prej realiteteve më të thella dhe më të mistershme të gjithësisë, kënaqësia e Atit në Jezusin u shtua pas mishërimit, teksa Jezusi rritej në urtësi (Luka 2:52). Mendoje pak! Përmes bindjes së Tij ndaj vullnetit të Atit, Biri qëndron në kënaqësinë e Atit (Gjoni 10:18; 12:49; 14:31; 15:10). Kjo është një e vërtetë biblike, që më mahnit.

Sidoqoftë, modeli i Jezusit, të cilin e ndjekim me bindje, nuk është një mister. Përmes bindjes ne qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë dhe Ai gjen kënaqësi në shenjtërinë tonë (Gjoni 14:21-24).

Në bindjen e vërtetë, ne përjetojmë dashurinë e qëndrueshme të Krishtit dhe gëzimin në rritje të Perëndisë (Gjoni 15:9-11).

Për shembull, përulësia është tërheqëse në mënyrë të bukur për Perëndinë. Zemra e thyer dhe e përulur e tërheq Perëndinë dhe ngjall kënaqësinë e Tij (Jakobi 4:8-10; Isaia 57:15, 66:2; Psalmi 34:18).

Mëkati vepron në drejtimin e kundërt. Kënaqësia është e kundërta e brengosjes dhe si çdo baba i dashur, Perëndia brengoset vërtet nga mëkati ynë (Efesianëve 4:30, Hebrenjve 12:3-11). Mosbindja në ne bie ndesh me qëllimet e Tij të përjetshme dhe shpenguese. Faktikisht, përmes mosbindjes tonë ne shpallim që mëkati është më i kënaqshëm se Perëndia. Si të mos lëndohet Ai nga një qëndrim i tillë?

Ati që i ka zgjedhur dhe shpenguar fëmijët e Tij, brengoset vërtet nga mëkati ynë dhe kënaqet vërtet nga shenjtëria jonë.

Një plan i vetëm

Pra, si lidhen bashkë këto tri kënaqësi?

Çelësi është të kuptojmë kënaqësinë që Perëndia ka për ne, jo si tri kënaqësi të dallueshme, por si tri shkallë të së njëjtës kënaqësi. Me fjalë të tjera, që të trija qëndrojnë së bashku në një plan. Kënaqësia e Perëndisë në kategorinë 1 (zgjedhje) të çon në kënaqësinë e Tij në kategorinë 2 (shpengim) dhe përfundon në kënaqësinë e Tij në kategorinë 3 (bindje).

Në secilën prej këtyre fazave, kënaqësia e Perëndisë në ne është si një zjarr, i cili bëhet gjithnjë e më i madh, më i fortë dhe më i nxehtë me kalimin e kohës. Ky zjarr kulmon në ditën kur do të shkëlqejmë moralisht dhe do të arrijmë një përsosje të përkryer në ngjashmëri me Krishtin (1 e Gjonit 3:2).

Me fjalë të tjera, “shenjtërimi, i parë si diçka që arrin kulmin në përlëvdimin tonë, është qëllimi i synuar dhe i plotë në paracaktimin tonë” (Richard Gaffin). Ne jemi zgjedhur dhe shpenguar për t’u bërë krijesa të shkëlqyera, që reflektojnë lavdinë e Perëndisë në plotësinë e qenies tonë. Përmbushja e zgjedhjes dhe shpengimit të Perëndisë në përlëvdim gjendet në përmbledhjen madhështore të historisë si tek Efesianëve 1:3-10 dhe Romakëve 8:28-29.

Kënaqësia e Perëndisë në fëmijët e Tij, e cila është e fortë dhe e patundur mbi bazën e zgjedhjes, e sigurt dhe e palëkundshme në zbatimin e shpengimit tonë, rritet në raport me shenjtërinë dhe përshtatjen tonë reale me vullnetin e Tij. Kjo kënaqësi në bijtë e Tij do të jetë edhe më e madhe ditën kur do të përsosemi!

Mahnitje!

Kushdo që është në Krishtin mund ta shohë këtë plan të Perëndisë dhe të mahnitet.

Në fillim, Perëndia krijoi njerëzit për të madhëruar lavdinë e Tij. Ai më krijoi mua, por unë e refuzova dhe zgjodha mëkatin, për shkatërrimin dhe dëshpërimin tim. Gjithsesi, pa e ditur unë, në përjetësinë e shkuar, Ai e vendosi dashurinë e Tij të veçantë mbi mua. Përmes bindjes së Tij të përsosur, Krishti hyri në botë për të jetuar, për të vdekur dhe për të më shpenguar në emër. Ai erdhi për të më drejtësuar, për të më dhënë Frymën dhe për të rikrijuar diçka të bukur nga kjo rrëmujë që jam unë, diçka plotësisht të bindur, plotësisht të shkëlqyer në shenjtëri, plotësisht të lumtur në përbashkësi të shenjtë me Perëndinë. Tani, të gjitha mëkatet dhe mosbindja ime e lëndojnë Atë. Sidoqoftë, Ai kënaqet në të gjitha mundimet e mia kundër mëkatit, në të gjitha mundimet e mia për t’u bindur. Ai më disiplinon me dashuri për ditën kur do të reflektoj lavdinë e Shpëtimtarit tim deri në thelb të motiveve, mendimeve dhe gjithë fjalëve dhe veprimeve të mia, për kënaqësinë e Tij të madhe. Ja çfarë Perëndia më krijoi të jem!

Për këtë gjë kemi nevojë sot. Sikurse e thotë edhe Kevin DeYoung: “Një nga motivet kryesore për bindje është kënaqësia e Perëndisë.”

Apo sikurse e thotë edhe John Piper: “Perëndia kënaqet me bindjen tonë kur ajo është fryt i kënaqësisë në Të. Bindja jonë është kënaqësia e Perëndisë, kur ajo vërteton se Perëndia është thesari ynë.”

Tony Reinke (@tonyreinke) është shkrimtar kryesor për Desiring God dhe autor i librave Competing Spectacles (2019), 12 Ways Your Phone Is Changing You (2017), John Newton on the Christian Life (2015), dhe Lit! A Christian Guide to Reading Books (2011). Ai prezanton podkastin  Ask Pastor John dhe jeton në zonën e Feniksit me bashkëshorten e tij dhe tre fëmijët e tyre.


Botuar me leje: 

https://www.desiringgod.org/articles/gods-pleasure-in-you

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon

SHËNIM: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Dita 6
Dita 4
Dita 3
Dita 2
>