Rob të nxitimit

Tetor 2021


Ripërtëritja e hapit njerëzor të dashurisë

Kur ishte hera e fundit që ndjeve se shpirti yt po ecte? Në ditët e sotme mendjet dhe trupat tanë po shkojnë më larg dhe më shpejt se kurrë, por aspektet më domethënës të jetës njerëzore nuk mund të nxitohen. Zemrat mund të jenë kokëfortësisht të ngadalta. Meditimi është i ngadaltë. Dashuria është e ngadaltë, ndonjëherë deri në pikën që të dhemb. Qysh prej fillimit, shpirtrat tanë u krijuan që të ecnin me Perëndinë, në një hap me të.

Sidoqoftë, shumë prej nesh sot, kemi harruar të ecim. Jemi mësuar aq shumë me ngarjen e makinës, me shfletimin dhe leximin e shpejtë, saqë të ecurit ngadalë jo vetëm që duket jo i efektshëm dhe jopraktik, por pothuaj edhe si diçka imorale. Ne ndihemi fajtorë pse ecim. Edhe pse shkoj me makinë për në punë, dhe përshkruaj pothuaj njëzet kilometra në pak minuta, duke ngarë mrekullinë e mahnitshme dhe të rrezikshme, makinën time Honda Civic, ndonjëherë shqetësohem që s’po bëj më shumë—që s’po kontrolloj postën elektronike, që s’po rifreskoj kolonën e lajmeve, apo që s’po dëgjoj një podkast. Disa shkruajnë mesazhe dhe i japin makinës në të njëjtën kohë, pavarësisht sa e çmendur dhe pa dashuri është kjo, pjesërisht për shkak të mendësisë se ngarja e makinës s’mund të jetë një përdorim mjaft i dobishëm i kohës. Ne jemi zënë robër nga nxitimi.

Për të jetuar me të vërtetë—për ta njohur, për t'u kënaqur dhe për ta ndjekur Jezusin—kemi nevojë që të mësojmë dhe të ruajmë një hap, i cili është hap njerëzor.

Përmes modeleve dhe rrjedhës së kësaj bote na është mbushur mendja për të besuar se nxitimi është virtyt. Po sikur në fakt nxitimi të jetë duke na shtypur—duke na shpërqendruar, duke na shastisur dhe duke komplotuar kundër nesh? "Nxitimi është armiku i madh i jetës frymërore në kohën tonë" (The Ruthless Elimination of Hurry, 19). Për të jetuar me të vërtetë—për ta njohur, për t'u kënaqur dhe për ta ndjekur Jezusin—kemi nevojë që të mësojmë dhe të ruajmë një hap, i cili është hap njerëzor. Me fjalë të tjera, kemi nevojë të mësojmë si të ecim sërish.

A jemi më të shpejtë se Perëndia?

Pse flasim për të ecurit me Jezusin? Sepse kur Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne, ai eci kudo që shkoi. Mendo pak për këtë. Përfytyro sa shumë mund të kishte arritur Jezusi me një makinë, një telefon dhe një lidhje interneti.

Por kur Biri i Perëndisë erdhi, ai eci, vazhdoi të ecte dhe eci edhe më shumë. Jezusi e ngadalësoi hapin për të mbajtur fëmijët në krahë. E ngadalësoi hapin për të folur me të panjohurit. Rrugës për të shpëtuar një vajzë 12-vjeçare në prag të vdekjes, Jezusi e ngadalësoi hapin dhe ndaloi për të shëruar një grua të moshuar (Luka 8:40-48). Ai e ngadalësoi hapin për t'u lutur—ndonjëherë për orë të tëra. Edhe pse Jezusi shpesh s’kishte një vend të rehatshëm ku të mbështeste kokën, ai e ngadalësoi hapin për të fjetur gjumë. Ai jetoi jetën më madhështore, më të plotë dhe më të frytshme që është jetuar ndonjëherë, dhe nuk e pati kurrë ndjesinë e të lëvizurit as me dyzet kilometra në orë. Ditët e tij ishin të ngjeshura, shumë më tepër se ditët tona, e megjithatë ai kurrë s’dukej se ishte në nxitim.

Pra, pse e kemi me kaq nxitim?

Kur filloi pandemia, e ndjeva shumë fort këtë tension. Takimet u anuluan. Puna bëhej nga shtëpia. Takimet shoqërore shkurajoheshin. Papritur oraret e planifikuara u fshinë. E megjithatë unë vazhdoja të ndihesha i zënë, i shpërndarë dhe i shqetësuar—sikur zemra ime të mos kishte mundësi të ngadalësohej për t'u përshtatur me realitetin. Ndihesha se isha mbrapa me gjërat, kur në fakt nuk isha. Ndihesha në nxitim, kur nuk kisha pse. Ndihesha fajtor, kur s’kisha bërë gjë gabim. Jeta ishte ngadalësuar deri në pikën e zvarritjes, por unë isha ende në nxitim. Besoj se një nga shumë qëllimet e mira të Perëndisë në vështirësitë e dy viteve të fundit ishte që t'i shkëpuste disa prej nesh, përfshirë edhe mua, nga kthetrat e nxitimit. Ne u krijuam për të ecur.

Ec me anë të Frymës

A e keni vënë re se sa shpesh Perëndia vetë e quan një "ecje" jetën besnike të një të krishteri?

  • "Ne ecim me anë të besimit, jo me të parë" (2 e Korintasve 5:7).
  • "Sepse jemi krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to" (Efesianëve 2:10).
  • "Ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne" (Efesianëve 5:2).
  • "Që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin" (Kolosianëve 1:10).
  • "Ecni me urtësi ndaj të jashtmëve duke shfrytëzuar kohën" (Kolosianëve 4:5).

Me pak fjalë, ne "ecim në Frymë" (Galatasve 5:16). Ne përqafojmë hapin e ngadaltë e të parehatshëm e të qenët njeri, e të pasurit marrëdhënie, e të takuarit me Perëndinë.

Po, apostulli Pal e vrapoi garën që ishte para tij (1 e Korintasve 9:24, Filipianëve 2:16), por edhe atëherë, gara e tij ishte me hapin e duruar dhe të qëllimshëm të një maratone për gjithë jetën, dhe jo me forcën e një sprinti pesëdhjetë metërsh. Të kapesh pas vrapit të Palit, ndërkohë që shpërfill theksimin e tij të përsëritur për të ecur, do të thotë t'i veshësh fiksimin tonë modern vizionit të tij për jetën dhe shërbesën.

Bëhu mik i kufizimit

Njerëzit e shëndetshëm bëhen miq me kufizimin. John Mark Comer shkruan: 

"Ne nuk jemi Perëndi. Ne jemi të vdekshëm, jo të pavdekshëm. Të fundmë, jo të pafundmë. Jemi shëmbëllim dhe pluhur. Potencial dhe kufizime. Një nga detyrat tona kyç e të qenët çirakë të Jezusit është të jetuarit si në potencialin tonë, ashtu dhe në kufizimet tona. (Hurry, 63)

Disa prej nesh kemi nevojë të na kujtojnë që, si njerëz, ne jemi krijesa spektakolare, të krijuara në shëmbëllimin e Perëndisë dhe se na është dhënë aftësi dhe mundësi e pashoqe për të ndikuar përjetësinë e njerëzve. Potenciali i çdo jete njerëzore, potenciali i jetës tënde, s’mund të llogaritet apo përshkruhet. Të tjerë nga ne, gjithsesi, kemi nevojë të kuptojmë që, si njerëz, ne jemi pashmangshmërisht të kufizuar—që si njerëz të rënë në një botë të rënë, kufizimi ynë në fakt është pjesë e lavdisë tonë, duke qenë se fuqia e tij jo vetëm që bëhet e njohur përmes aftësive tona, por edhe përsoset në dobësitë tona (2 e Korintasve 12:9).

Kur mësojmë të ecim me Perëndinë, aftësitë tona për dashuri dhe adhurim do t'ia kalojnë gjithçkaje tjetër në krijim, por ecja jonë—e ngadaltë, e dobët, e fundme—do të tregojë gjithashtu "që epërsia e pashoqe e kësaj fuqie të jetë e Perëndisë dhe jo prej nesh" (2 e Korintasve 4:7).

Hapi i dashurisë

Duhet të themi se ecja në vetvete nuk është domosdoshmërisht e shëndetshme. Njerëzit e shpenguar jo vetëm ngadalësohen për të ecur, por ecin me anë të Frymës. Sërish, Pali thotë:

"Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni lirinë si një rast për mishin po, përmes dashurisë, t'i shërbeni njëri-tjetrit... Ecni në Frymë dhe nuk do të përmbushni dëshirat e mishit" (Galatasve 5:13, 16).

Me fjalë të tjera, ne nuk ngadalësohemi dhe ecim për t'i shërbyer vetes—dëshirave tona, hobive që kemi, ëndrrave dhe rehatisë tonë. Nuk e ngadalësojmë hapin thjesht si një formë strategjie për të ndihmuar veten. Ne ngadalësohemi që të mund ta duam së pari Perëndinë dhe pastaj të tjerët. Ne ngadalësohemi për të qenë më të disponueshëm për njerëzit që takojmë—me gjithë trupin, mendjen, zemrën dhe veshët tanë—ashtu siç ishte Jezusi.

Ne e ngadalësojmë hapin për të qenë një bashkëshort më i vëmendshëm, një mik dhe shok dhome më i vëmendshëm, një prind më i duruar, një fqinj edhe më i përfshirë, një dishepull edhe më besnik i Jezusit. Ne gjejmë hapin e matur të dashurisë. Dhe ndërsa e bëjmë këtë, e dimë se të ecurit në dashuri nuk do të jetë natyrshëm e lehtë apo e rehatshme, por shpesh do të jetë e vështirë dhe e mundimshme—një betejë e ngadaltë dhe e ashpër për të hedhur hapin e radhës.

Gjithsesi, nëse ne ecim mirë, hapi më i ngadaltë na ndihmon që t'u rezistojmë dëshirave të mishit dhe jo që t'i përmbushim ato. Ne lëmë hapësirë për ndërprerje, i bëjmë vend prehjes, duke e ditur se Perëndia e përdor prehjen e rregullt për të çliruar një dashuri më të lirë dhe më të qëndrueshme.

Kur të nxitosh

Nuk jemi krijuar që të nxitojmë, me përjashtim të rasteve kur çlirojmë ata të cilëve u kanoset rreziku, si dhe në një rast tjetër të madh.

Kur Jezusi takoi një burrë të rënduar nga shqetësimet e kësaj bote, nga mashtrimi i pasurisë dhe nga kënaqësitë e jetës, nuk e inkurajoi që ta merrte shtruar: "Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde" (Luka 19:5). Lëre pas jetën tënde gjithë nxitim, Zake. Mjaft kërkove si i tërbuar paqe dhe lumturi në vende të tjera. Eja tek unë, madje nxito. Mos ec, po vrapo. Vargu tjetër thotë: "Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim" (Luka 19:6).

Sa prej nesh ende nxitohemi për të hyrë në praninë e Jezusit, për të gjithë ato mënyra ku ne kemi prirjen për t'u nxituar? 

Në të njëjtën mënyrë, kur barinjtë dëgjuan se Krishti i premtuar kishte ardhur: "Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd" (Luka 2:16). Ata nuk e ngadalësuan hapin, apo të shkonin nga shtegu i bukur, por nxituan që ta gjenin Jezusin. Shtegu ku nxitimi është i shëndetshëm, është ai që na çon edhe më thellë në jetën e tij, në zemrën e tij, në kryqin e tij dhe në fronin e tij.

Sa prej nesh ende nxitohemi për të hyrë në praninë e Jezusit, për të gjithë ato mënyra ku ne kemi prirjen për t'u nxituar? Sado që të jemi robër të afateve, titujve dhe lajmërimeve tona, ne mund të jemi po aq hezitues, çuditërisht, për t'u ulur dhe për të folur me Mbretin e gjithësisë—që ta dëgjojmë atë në fjalën e tij, që t'i hedhim shqetësimet tona mbi të në lutje, të shijojmë mahnitjen dhe privilegjin e të qenët të tij.

Prandaj, teksa vjen tek Ai, Biri që eci mes nesh, nxito me çdo kusht. Lëre zërin e tij të të çlirojë ngadalë prej nxitimit, nga një ritëm jete që pengon dashurinë. Lëre shpirtin të mësojë si të ecë sërish.

Marshall Segal është shkrimtar dhe menaxher i ekipit të redaktimit në desiringGod.org. Ai është autori i librit Not Yet Married: The Pursuit of Joy in Singleness & Dating. U diplomua nga kolegji & seminari “Bethlehem”. Ai dhe bashkëshortja e tij, Gaye, kanë dy fëmijë dhe jetojnë në Minneapolis.

Botuar me leje:https://www.desiringgod.org/articles/hostage-to-hurry 
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim