foto artikulli 31

Tetor 2021                                                                       


Fjalia që më zbuloi Atin

Është më e perëndishme dhe më e saktë ta kuptojmë Perëndinë në lidhje me Birin dhe ta quajmë Atë, sesa ta emërtojmë duke u nisur vetëm nga veprat e tij dhe duke e quajtur të Paprejardhur.

Kur isha fëmijë, kisha një reagim gati fizik ndaj fjalës Perëndi. Për mua ishte një fjalë e mprehtë që i depërtonte të gjitha të tjerat. Kur dëgjoja fjalën Perëndi, ndihesha i trazuar dhe i hetuar. Kisha aq njohuri sa të kuptoja arsyen pse shqiptimi i kësaj fjale duhet të më bënte të ndihesha i hetuar. Kuptova që Perëndia ishte i lartësuar dhe i shenjtë; ndërsa unë jo.

Por pse ndihesha i trazuar? Ajo pyetje më bezdisi për shumë vite. Nuk ishte thjesht se Perëndia ishte shumë më i lartë se unë. Nuk ishte vetëm për shkak të përsosmërisë së tij vezulluese. Kisha një vlerësim krejt të zbehtë të atyre realiteteve. Në atë kohë ishte e vështirë ta shprehja që Perëndia në lavdinë e tij nuk ishte i bukur për mua. Shenjtëria e tij më shqetësonte, jo vetëm sepse ekspozonte, por sepse nuk e shihja Perëndinë si të mirë.

Për pasojë, isha i interesuar për qiellin, isha i interesuar për shpëtimin, madje dhe për Jezusin, por Perëndia nuk më tërhiqte. Kisha shumë dëshirë t'i shpëtoja ferrit, por jo se më shtynte prania e Perëndisë. Krejt e kundërta: do të kisha qenë shumë herë më rehat me një parajsë pa Perëndinë. Në të njëjtën kohë, më pëlqente ideja e drejtësimit vetëm me anë të besimit, por nuk mund ta besoja—vetëm sepse Perëndia nuk më linte përshtypjen si dikush i mirë.

Shpëtimi nga Perëndia fytyrëvrenjtur

Gjithmonë kam qenë një dashamirës i zellshëm i librit dhe, kur isha adoleshent, më tërhiqnin veçanërisht shkrimet e Reformatorëve dhe Puritanëve. Shumë shpejt një prej tyre më spikati më fort: Richard Sibbes.

Mënyra se si Sibbes e përshkruan butësinë, dashamirësinë dhe bukurinë e pastër të Jezusit ishte krejtësisht magjepsëse. E dija që ai kishte të drejtë. Prapëseprapë nuk arrija ta kuptoja. Si ishte e mundur që Biri i Perëndisë të ishte kaq i bukur, kur Perëndia nuk ishte i tillë? Me arsyetimin tim të dobët mendoja se kjo mund të ishte vetëm për shkak se mirësia e Birit ishte thjesht një reklamë. Jezusi ishte fasada e bukur pas së cilës fshihej një qenie më e ngrysur: një Perëndi i vrenjtur, me më pak dhembshuri dhe mirësi.

Ndoshta në atë kohë nuk ishte e habitshme që shumë shpejt u rrethova nga libra për Arianët, grupi i shekulli të katërt që besonte se Biri ishte një qenie e ndryshme nga Ati. Pastaj u njoha me Athanasin. Kur shkrimtarët e tjerë më dukeshin të mërzitshëm, ai kishte një vezullim në sytë e tij dhe një mendje, që shihte me një qartësi të pashoqe nga shkrimtarët e tjerë. Dukej sikur ai jetonte në një malësi plot diell, pa mjegullën që turbullon intelektet më të zakonshme. Një nga fjalitë e tij më tërhoqi:

Është më e perëndishme dhe më e saktë ta kuptojmë Perëndinë në lidhje me Birin dhe ta quajmë Atë, sesa ta emërtojmë duke u nisur vetëm nga veprat e tij dhe duke e quajtur të Paprejardhur. (Against the Arians, 1.34)

Kjo fjali nuk më bie menjëherë në sy. Në fillim m’u bë gur në opingë. Më bezdiste. Por sa më tepër që më bezdiste, aq më tepër nisa ta shoh si një xhevahir në kurorën e mendimit të Athanasit, dhe si fjalia më marramendëse e shkruar ndonjëherë jashtë Shkrimit.

Perëndia, i cili është Atë

Athanasi po theksonte se mënyra e duhur për të menduar për Perëndinë ishte që të filloje me Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë. "Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij" (Hebrenjve 1:3). Ai është Fjala dhe zbulesa e Perëndisë. Të menduarit tonë për Perëndinë nuk mund të fillojë me përkufizime abstrakte të krijuara prej nesh. Madje nuk mund të fillojë as duke menduar për Perëndinë më së pari dhe kryesisht si Krijues (duke e emërtuar “vetëm nga veprat e tij”). Nëse identiteti thelbësor i Perëndisë është të jetë Krijues, atëherë ai ka nevojë për një krijim për të qenë kush ai është.

“Athanasi i tregoi një mëkatari të lodhur me Perëndinë dhe që po përleshej se në qiell nuk ka ndonjë Perëndi ndryshe nga Jezusi.”  

Nuk arrijmë dot në njohjen e vërtetë se kush është Perëndia në vetvete, thjesht duke e parë atë si Krijues. Duhet të dëgjojmë si e ka zbuluar veten e tij—dhe ai e ka zbuluar veten në Birin e tij. Përmes Birit, ne shohim identitetin e përjetshëm dhe thelbësor të Perëndisë pas krijimit. Përmes Birit ne shohim një Perëndi, të cilin s'mund ta kishim përfytyruar dot kurrë: një Perëndi, i cili është një Atë.

Nëse përpiqemi ta njohim Perëndinë "vetëm nga veprat e Tij," nuk do ta ndiejmë Atësinë e Perëndisë. Mirësia e Perëndisë e parë në Krishtin do të na duket si diçka pa lidhje dhe jo si një karakteristikë e vërtetë e tij. Nëse mendimet tona për Perëndinë bazohen në diçka tjetër përveç Birit, do të na duhet të hamendësojmë se Perëndia s’ka asgjë nga bukuria që shohim në Krishtin. Kur mendojmë për lavdinë e tij, do ta përfytyrojmë atë si diçka të ngjashme me lavdinë tonë. Nuk do të guxojmë të ëndërrojmë për lavdinë e zbuluar në "orën" e përlëvdimit të tij në kryq (Gjoni 12:23, 27-28). Për pasojë do të kemi një rezervim për Perëndinë "real" pas atij vetëzbulimi të lavdishëm.

Nuk ka një Perëndi ndryshe nga Jezusi

Athanasi i tregoi këtij mëkatari, që ishte lodhur me Perëndinë, se në qiell nuk ka ndonjë Perëndi të ndryshëm nga Jezusi. Në Birin e Perëndisë, shohim që shkëlqejnë të gjitha përsosmëritë e Perëndisë—dashuria, fuqia, urtësia, drejtësia dhe madhështia e Perëndisë—që të gjitha të përkufizuara shumë ndryshe nga pritjet tona të mëkatshme.

“Perëndia vetë, i cili u bë i njohur përmes Krishtit, u bë objekti i vërtetë i admirimit tim.

Nuk shohim një Perëndi kryelartë te Biri i Perëndisë, apo dikë që heziton të tregojë mirësi. Shohim atë që vjen me hir shpëtues, ndërkohë që ne ishim ende mëkatarë. Me egoizëm ne kërkojmë duartrokitje, por lavdia që shohim në Jezusin, është krejt ndryshe. Ne shohim një Perëndi jashtëzakonisht bujar, duke dhënë veten e tij. Shohim një Perëndi të panjollë në çdo aspekt: në të dallojmë një burim gufues mirësie. Në të—dhe vetëm në të—shohim një Perëndi, i cili është i bukur, i cili na i rrëmben zemrat.

Kjo ndryshoi gjithçka për mua. Në vend që të përpiqesha të rrëmbeja shpërblime të tjera nga Perëndia dhe t'i çmoja "qiellin" dhe "jetën e përjetshme" si gjëra në vetvete, nisa të çmoja atë. Perëndia vetë, i cili u bë i njohur përmes Krishtit, u bë objekti i vërtetë i admirimit tim. Në këtë mënyrë, prirja e ndritur e Athanasit mori kuptim, sepse njësoj si ai, edhe unë gjeta në Krishtin një Perëndi në të cilin mund të kënaqesha me të vërtetë dhe në mënyrë të mrekullueshme.

Michael Reeves (@mike_reeves) është president dhe profesor i teologjisë në Union School of Theology.



Botuar me leje: 

https://www.desiringgod.org/articles/a-god-i-could-love

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina

SHËNIM: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Robër të nxitimit
Si mund të gjejmë prehje kur gjendemi përballë fatkeqësish të tmerrshme?
Konvertimi dhe historia e Izraelit
>