foto artikulli 17

Tetor 2021                                                                       

Si e ka ushqyer Perëndia shpresën time

Disa fjalë të depërtojnë aq thellë në shpirt, saqë ta ndryshojnë mendimin që ke për gjërat. Ndryshimi është shpresëplotë. Këtë bëri për mua apostulli Pal, kur m’u hapën sytë ndaj logjikës gjithëpërfshirëse të qiellit te Romakëve 8:32. Në atë kohë isha 23 vjeç.

Ky ishte çasti kur e pashë këtë varg si kurrë më parë, dhe Perëndia e nguliti aq thellë në shpirtin tim, saqë u bë shkak i gjallë i një fuqie praktike, shpresëdhënëse dhe jetëndryshuese.

Ky ka qenë guri i themelit tim, më tepër se të gjitha pjesët në Bibël, që sigurojnë një themel të fortë për të qëndruar, kur gjithçka përreth teje po lëkundet.

Sepse Ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë,qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?

Logjika e qiellit

Romakëve 8:32 është një përmbledhje thelbësore e argumentit (argument  është fjala e duhur!) të tetë kapitujve të parë të letrës së Palit drejtuar Romakëve. Ka një logjikë në këtë letër, që konsiderohet më madhështorja nga të gjitha. Unë e quaj logjika e qiellit.

“Ky ka qenë guri i themelit tim, më tepër se të gjitha pjesët në Bibël, që sigurojnë një themel të fortë për të qëndruar, kur gjithçka përreth teje po lëkundet.”

Kjo logjikë ka një emër teknik. Pak rëndësi ka nëse e di apo jo emrin e logjikës, por me siguri di si ta përdorësh. Mund ta quash argument, ose logjikë, në një shkallë zbritëse. Emri teknik është a fortiori, që në latinisht do të thotë nga më e forta. Ideja është kjo: nëse e ke ushtruar fuqinë për të arritur diçka të vështirë, atëherë pa dyshim mund ta ushtrosh fuqinë për të arritur diçka më të lehtë. Ky është një argument a fortiori.

Ta zëmë se i thua fëmijës: “Të lutem shko te komshia dhe kërkoji z. Smith pincat hua.” Por fëmija thotë: “Po sikur z. Smith mos të dojë të na i japë hua pincat?” Si mund ta bindësh fëmijën tënd që z. Smith do t’jua huazojë pincat me siguri? Duke përdorur një argument a fortiori!

Argumenti mund të jetë kështu: i thua fëmijës: “Dje z. Smith na e dha me kënaqësi makinën e tij gjithë ditën. Duke qenë se ai na e la me kënaqësi makinën, ai do të jetë shumë i gatshëm që të na japë hua pincat.” Edhe fëmijët e kuptojnë një argument a fortiori. Dhënia hua e makinës ishte një sakrificë më e madhe se dhënia hua e pincave. Më e vështirë ishte t’ia merrnim hua makinën, sesa pincat. Nëse z. Smith ishte i prirur të bënte gjënë e vështirë, atëherë ai ka për të qenë i gatshëm të bëjë më të lehtën. Ja pse përdorim një argument a fortiori.

Argumenti i shkëlqyer a fortiori i Palit

Tani të shohim se si Pali e përdor këtë lloj argumenti për ndodhinë më të madhe në historinë e botës. Ai thotë: Perëndia nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë. Kjo është gjëja më e vështirë. Prandaj, ai me siguri do të na japë të gjitha gjërat bashkë me të. Kjo është gjëja më e lehtë. Kur ky argument depërton përtej kallove të familjaritetit, atëherë bëhet diçka e lavdishme dhe gjithëpërfshirëse.

E kisha lexuar gjithë kohën atë varg. Por aty, në moshën njëzet e tre vjeçare, dhe për herë të parë, kjo logjikë—kjo logjikë e frymëzuar prej Perëndisë, e shenjtë, qiellore, e lavdishme dhe e pashtershme—depërtoi në shpirtin tim dhe zuri rrënjë, duke u bërë një themel i palëkundshëm dhe një rrënjë e gjallë shprese dhe fuqie. Pas pak do ta shpjegoj arsyen. Fillimisht le të përqendrohemi pak në përmbajtjen e dy gjysmave të këtij vargu.

Pengesa më e madhe ndaj lumturisë së përjetshme

Së pari, të mendojmë rreth pjesës së parë të Romakëve 8:32: “Sepse Ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë…”

Cilat janë pengesat më të mëdha mes nesh dhe lumturisë së përjetshme? Njëra prej tyre është mëkati ynë. Ne të gjithë jemi mëkatarë (Romakëve 3:23), dhe paga e mëkatit është vdekja e përjetshme (Romakëve 6:23). Një tjetër pengesë është zemërimi i Perëndisë. Nëse Perëndia është me të drejtë i zemëruar ndaj nesh për fajin e mëkatit tonë, atëherë ne nuk kemi asnjë shpresë për lumturinë e përjetshme. Pali s’na lë pikë dyshimi që ne jemi nën zemërimin e Perëndisë. Në fakt jemi “bij të zemërimit, si edhe të tjerët” (Efesianëve 2:3).

“Kur ky argument depërton përtej kallove të familjaritetit, atëherë bëhet diçka e lavdishme dhe gjithëpërfshirëse.”

Duket se këto janë pengesat më të mëdha mes nesh dhe lumturisë së përjetshme. Por a janë vërtet? Mendoj se ka një pengesë edhe më të madhe, shumë më të vështirë për t’u mposhtur. Pali e vë në pah në gjysmën e parë të vargut te Romakëve 8:32. Kjo pengesë është dashuria dhe gëzimi i pafundmë i Perëndisë për bukurinë dhe nderin e Birit të tij.

Shiko me kujdes që ta dëgjosh këtë pengesë që përmendet në gjysmën e parë të Romakëve 8:32: “Sepse Ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë…” Pali pret që ne ta ndiejmë tensionin masiv mes frazës Birin e vet dhe frazës nuk e kurseu. Supozohet të tingëllojë si gjëja më e vështirë që u bë ndonjëherë—sakrifikimi i Birit të Perëndisë nga vetë Perëndia. “Birin e vet.

A mund ta dorëzojë Perëndia Birin e vet?

Kur Pali e quan Jezusin Biri i Perëndisë, do të thotë se s’ka të tjerë si ai, dhe që ai është pafundësisht i çmuar për Atin. Ndërsa Jezusi ishte mbi tokë, Perëndia tha dy herë: “Ky është Biri im i dashur” (Mateu 3:17, 17:5). Te Kolosianëve 1:13, Pali e quan Jezusin “Biri i dashurisë së tij” (përkthim i autorit).

Vetë Jezusi tregoi shëmbëlltyrën e kujdestarëve të vreshtit, ku shërbëtorët e zotërisë së vreshtit u rrahën dhe u vranë nga kujdestarët e ligj kur shkuan të merrnin prodhimin që i takonte zotërisë. Është mahnitës fakti që zotëria vendos të dërgojë birin e tij në përpjekje për të rimarrë atë që i takonte. Ja si e përshkruan Jezusi këtë tablo të Perëndisë: “Duke pasur pra, edhe një: birin e tij të dashur” (Marku 12:6). Vetëm një bir kishte Perëndia Atë dhe e donte me një dashuri të pafundme.

Romakëve 8:32 flet pikërisht që dashuria e Perëndisë për Birin e tij të vetëm ishte si një pengesë masive, njësoj si Everesti, dhe kjo pengesë qëndronte mes Perëndisë dhe shpëtimit tonë. Ja tek ishte një pengesë pothuaj e pakalueshme. A mundej Perëndia, a do ta tejkalonte Ai lidhjen e tij të dashur, çmuese, admiruese, të përflakur dhe të pafundme me Birin e tij dhe ta dorëzonte që ta gënjenin, ta tradhtonin, ta mohonin, ta braktisnin, ta tallnin, ta fshikullonin, ta rrihnin, ta pështynin, ta gozhdonin në kryq, ta tejshponin me një shpatë, sikur të ishte një kafshë për therje dhe për t’u varur?

Perëndia nuk e kurseu Birin

Vërtet s’do ta kursente? Nëse po, do ta dinim me siguri që çfarëdo synimi të kishte pas asaj pengese, ai synim nuk dështon dot kurrë. S’mund të ketë pengesë më të madhe se kjo, prandaj cilido qoftë qëllimi i tij, ai është plotësuar.

“Vetë Perëndia dorëzoi Birin e tij. Kurrë s’ka ndodhur diçka më madhështore dhe më e vështirë se kjo. As ka për të ndodhur më.”

Romakëve 8:32 afirmon realitetin e pabesueshëm: Perëndia e kreu vërtet. Ai e dorëzoi Birin e tij. Perëndia nuk e kurseu atë. Ndoshta po pyet: A nuk ishte Juda që e dorëzoi (Marku 3:19)? A nuk e dorëzoi Pilati (Marku 15:15)? A nuk e dorëzoi Herodi dhe turmat e njerëzve (Veprat 4:27-28)? Akoma më keq, a nuk e dorëzuam ne (1 e Korintasve 15:3, Galatasve 1:4, 1 e Pjetrit 2:24)? Dhe ndoshta më befasuesja, a nuk e dorëzoi Jezusi veten e tij (Gjoni 10:17, 19:30)? Përgjigjja për të gjitha ato pyetje është po.

Por te Romakëve 8:32, Pali po depërton përmes gjithë shkaqeve dhe instrumentave të vdekjes. Ai po thotë më të pabesueshmen: në dhe pas, poshtë dhe përmes të gjithë shkaqeve njerëzorë, Perëndia po dorëzonte Birin e tij për të vdekur. “Ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë” (Veprat 2:23). Te Juda, Pilati, Herodi, ushtarët johebrenj, te mëkati ynë dhe te nënshtrimi i Jezusit si një qengj, vetë Perëndia e dorëzoi Birin e tij. Kurrë s’ka ndodhur diçka më madhështore dhe më e vështirë se kjo. As ka për të ndodhur më.

Gjysma e lehtë e argumentit

Prandaj, në argumentin a fortiori të Palit, Perëndia ka bërë më të vështirën për të na dhënë neve lumturi të përjetshme. Ai nuk e kurseu Birin e tij, por e dha për ne të gjithë. Çfarë na garanton kjo? Pali e paraqet në formën e pyetjes retorike (një pyetje, të cilës ai pret që t’i përgjigjemi menjëherë saktë): Qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?”

Pali pret që ta kthejmë pyetjen në një deklaratë të fortë dhe të sigurt. Domethënë: “Është shumë e sigurt që ai do të na i dhurojë të gjitha gjërat.”

Duke qenë se Perëndia nuk e kurseu Birin e tij, por e dha për të gjithë ne,ai do të na japë me siguri të gjitha gjërat bashkë me të.

Të gjitha gjërat! Ky nuk është një premtim për një jetë pa vështirësi. Katër vargje më pas, Pali thotë: “Për shkakun tënd po vritemi gjithë ditën; u llogaritëm si dele për therje” (Romakëve 8:36).

“Ai do të na dhurojë të gjitha gjërat” do të thotë gjithçka që kemi nevojë për të bërë vullnetin e tij. Të gjitha gjërat që kemi nevojë për ta përlëvduar Atë. Të gjitha gjërat që kemi nevojë për të kaluar nga të paracaktuar në të thirrur, në të drejtësuar, në të përlëvduar—domethënë, në lumturinë e përjetshme (Romakëve 8:30).

Përderisa Perëndia nuk e kurseu Birin e tij, por e dha për të gjithë ne, atëherë:

  • Të gjitha gjërat do të bashkëveprojnë për të mirën tonë (v. 28).
  • Ne do të përshtatemi me shëmbëlltyrën e Birit të tij (v. 29).
  • Ne do të përlëvdohemi (v. 30).
  • Askush s’mund të jetë kundër nesh (v. 31).
  • Asnjë dënim kundër nesh s’mund të ketë efekt (v. 33).
  • Asnjë gjë s’mund të na ndajë dot nga dashuria e Krishtit (v. 35).
  • Në shtrëngime, shqetësim, përndjekje, zi buke, në të zhveshur, në rrezik, në shpatë, ne jemi më tepër se fitimtarë (vargjet 35–37).
  • As vdekja as jeta, as engjëjt as pushtetet, as gjërat e tashme dhe as gjërat e ardhshme, as pushtetet, as lartësitë as thellësitë, as ndonjë gjë tjetër në gjithë krijimin, nuk do të jetë në gjendje të na ndajë nga dashuria e Perëndisë në Krishtin Jezus Zotin tonë (vargjet 38–39).

Shpresa ime varet te Romakëve 8:32

Të kthehemi në fillim. Thashë që kur isha 23 vjeç, kjo logjikë e qiellit depërtoi aq thellë në shpirtin tim, saqë e ndryshoi mënyrën si mendoj për gjithçka—dhe se ky ndryshim ishte plot shpresë. Çfarë doja të thoja është që kjo logjikë e qiellit na mëson se arsyeja pse Ati nuk e kurseu Birin, siguron çdo premtim, në të cilin kam besuar apo do të besoj ndonjëherë.

“E jetoj jetën time çdo ditë me premtimet e Perëndisë. Për secilin prej tyre i detyrohem logjikës së Romakëve 8:32.”

E jetoj jetën time çdo ditë me premtimet e Perëndisë. Për secilin prej tyre i detyrohem logjikës së Romakëve 8:32. A shihni sa e gjerë dhe gjithëpërfshirëse është kjo për mua? E gjithë shpresa ime varet te premtimet e Perëndisë. Të gjitha premtimet (të gjitha gjërat) janë garantuar nga logjika e Romakëve 8:32.

Pali tha: “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në të [Jezusin] ‘po’ dhe në të ‘amen'” (2 e Korintasve 1:20). Arsyeja është se Ati nuk e kurseu Birin e tij, në mënyrë që të gjitha gjërat—të gjitha këto premtime—të ishin absolutisht të sigurta për ata që besojnë në të. Të gjitha betejat e jetës sime i kam luftuar me premtimet e Perëndisë—betejat kundër frikës, epshit, lakmisë, krenarisë dhe zemërimit. Betejat për kurajë dhe pastërti, për kënaqësi dhe përulësi, për paqe dhe dashuri. Të gjitha i kam luftuar me fjalën e Perëndisë—me premtimet e Perëndisë.

Pas secilës prej këtyre betejave qëndron logjika e qiellit: “Nuk e kurseva Birin tim; prandaj, premtimi im ndaj teje nuk mund të dështojë kurrë. Unë do të të ndihmoj. Shko. Bëj atë që të kam thirrur të bësh.”

Shfaq më shumë

John Piper (@JohnPiper) është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence.

Botuar me leje: 

 https://www.desiringgod.org/articles/the-most-important-promise-in-my-life

Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina

SHËNIM: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim