eberhard grossgasteiger bvgfeqt7bao unsplash

Gusht 2022


Perëndia na ka thënë gjëra të mrekullueshme për të ardhmen tonë, sepse Ai dëshiron të na mahnitë.

Ai na ka thënë gjëra shpresëdhënëse, sepse dëshiron që ne të ndiejmë shpresë–dhe ta ndiejmë atë me të vërtetë. Shpresa pa një gëzim të përzemërt për atë që po vjen, nuk është shpresë. Kjo është arsyeja pse Perëndia na thotë gjëra të tilla, që sjellin gëzim. Ai dëshiron që ne të shijojmë tani dhe me siguri të thellë ndjenjën e gëzueshme të shpresës. “Të gëzuar në shpresë!” (Romakëve 12:12).

Kur lexoj Fjalën e Perëndisë për të ardhmen time, kam vënë re që mund të lexoj dhe ta kaloj aq shpejt sa mos të më japë asnjë ndikim emocional. Një lexim i tillë as nuk zgjon e as nuk e rrit shpresën. Nuk na bën pemë të gjelbërta të papërkulura, me zemër të gëzuar në mes të thatësirës.

Me siguri kjo është arsyeja pse i krishteri si pema e gjelbërt, gjethet e të cilës nuk thahen dhe që jep fryte kur pemët e tjera po thahen, është i krishteri që “gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit” (Psalmi 1:2). Ai kapet pas premtimeve shpresëdhënëse të Perëndisë derisa të ndiejë shpresë.

Këpusni frytin e premtimeve të Perëndisë

Kur gjejmë një premtim të kënaqshëm në Shkrim, si një fryt të lëngshëm të varur në degën e Shkrimeve, ne nuk themi: “Kjo është një pjeshkë” dhe vazhdojmë më tutje nëpër kopsht, por ndalemi. Zgjatemi lart dhe e këpusim frytin. E kafshojmë, e shijojmë dhe nëse vërejmë që shqisa jonë e shijes nuk është më, i lutemi Perëndisë të na japë jetë. “Gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate!” (Psalmi 119:107).

Eja në kopshtin e shpresës! Kam dëshirë që të bashkohesh me mua për të shijuar frytin, që zgjodha disa ditë më parë. Gjatë leximit tim, arrita te 1 e Korintasve 2:7, ku Pali thotë:

Flasim urtësinë e Perëndisë në mister, urtësinë e fshehur të cilën Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë.

U ndala! Zgjodha këtë fryt të shpresës dhe po më freskon prej disa ditësh. E dija që ishte aty, por këtë herë, ishte i ëmbëlsuar me shpresë. Ishte pjekur gati për t’u vjelë. Edhe unë isha gati për ta ngrënë. Sa shumë që më shijoi! Sa ma ushqeu shpirtin, ma ëmbëlsoi gjumin dhe më dha forcë për disa gjëra të vështira që po vijnë. Eja, shijoje me mua!

PËRPARA KOHËRASH

“Përpara kohërash”–para epokave dhe si rrjedhim, përpara krijimit, atëherë kur ekzistonte vetëm Perëndia–Ai po ushtronte diturinë e tij. Kjo është dituri e pafund dhe në diturinë e tij të përjetshme, të pafundme, Ai po planifikonte që një ditë, ne të përjetonim në mënyrë të plotë “lavdinë tonë”. “Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash (diturinë) për lavdinë tonë.”

PËR ATA QË E DUAN ATË

Për cilët po e planifikonte Ai këtë lavdi? “Për ata që e duan atë”. Vargu 9: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe që nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”. Perëndia dekretoi përpara krijimit të botës, që ne që e duam të jemi të lavdishëm.

NGA TË THELLAT E PERËNDISË

Ky nuk ishte një dekret dytësor në urtësinë e Perëndisë. Pali tha se erdhi nga “të thellat e Perëndisë.” Vargu 10: “Po Perëndia na i zbuloi me anë të Frymës së tij, sepse heton gjithçka, edhe të thellat e Perëndisë.” Lëngu shpresëdhënës i këtij fryti e ka zanafillën që përpara kohërash, në mençurinë, dekretet dhe në “thellësitë e Perëndisë”.

TË DEKRETUARA PËR LAVDINË TONË

Çfarë përfshin kjo? Për çfarë duhet të ndiejmë shpresë kur mendojmë gjatë natës se mund të vdesim para se të zgjohemi në mëngjes?

Pali thotë se ne duhet të kemi shpresë për “lavdinë tonë”. Në çfarë mënyrë është e jona kjo lavdi? Jo e jona e veçuar nga ajo e Perëndisë. Jo e jona e ndarë nga e Krishtit. Kjo nuk është shpresa jonë–të jemi të lavdishëm me një lavdi që nuk është e Perëndisë dhe e Krishtit. Por “mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë” (Romakëve 5:2) dhe në lavdinë e Krishtit të Tij! “Tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë, Jezu Krisht.” (2 e Thesalonikasve 2:14).

BOTA ËSHTË E JOTJA

Si ta “marrësh” lavdinë tënde? Fillimisht në formën e botës, mbretërisë, banesës. “Ndaj Perëndisë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij” (1 e Thesalonikasve 2:12). “Sepse të gjitha janë tuajat; …qoftë bota, qoftë jeta, qoftë vdekja, qoftë gjërat e tanishme dhe qoftë gjërat e ardhshme, të gjitha janë tuajat” (1 e Korintasve 3:21-22). Ne do të marrim “lavdinë tonë” ashtu si një i burgosur, i cili ka jetuar në një birucë të ftohtë e të errët për dekada të tëra dhe më në fund ecën në një parajsë drite, ngjyrash, ngrohtësie dhe freskie të gjallë. Me sa arrin të shikojë, nga çdo anë ka bukuri. Ai e nuhat atë (lavdinë). E dëgjon. E shijon. I vjen rreth e rrotull dhe e ndien në çdo pore të lëkurës. Lavdia do të jetë vendbanimi ynë. Bota e re e lavdishme do të jetë lavdia jonë.

Drita dhe hijeshia e çdo gjëje të bukur–dhe në të vërtetë gjithçka do të jetë e bukur–do të jetë drita dhe hijeshia e Perëndisë. “Lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji” (Zbulesa 21:23). Çdo i burgosur, i shpenguar e i çliruar nga biruca e kësaj epoke, do të bërtasë: “Me anë të dritës sate ne shohim dritën” (Psalmi 36:9). Lavdia jonë do të jetë lavdia e Perëndisë mbi çdo gjë dhe në çdo gjë.

PASURITË E LAVDISË SË PERËNDISË

Ajo do të jetë më e vlefshme dhe më e çmuar për shpirtrat tanë, sesa i gjithë realiteti i krijuar së bashku. Pali e përshkruan kështu “pasurinë e lavdisë së [Perëndisë] tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi” (Romakëve 9:23). Pasuritë. Sa herë që pasuritë duket se po vijnë drejt nesh në tokë, ne ndiejmë emocion dhe shpresë. Pasuritë hapin kaq shumë mundësi lirie dhe jete.

Gjithsesi, edhe sikur të kishe të gjitha pasuritë e kësaj bote, ato nuk mund të krahasoheshin me “pasuritë e lavdisë së Perëndisë” që u dekretuan për ne në përjetësi. Ne ishim të përgatitur–të krijuar–për to. Nëse pasuritë tokësore na mbushin me entuziazëm dhe shpresë për liri dhe jetë, sa më tepër ky premtim i pasurisë duhet të na bëjë më të gëzuarit dhe më të lirët nga të gjithë njerëzit. Kjo është lavdia jonë!

DO TË JEMI SI AI

Kjo lavdi do të jetë “lavdia jonë” jo vetëm në atë që shohim, por edhe në atë që bëhemi. “Dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim atë sesi është” (1 e Gjonit 3:2). Perëndia dekretoi diturinë përpara kohërash për lavdinë tonë. Do të jetë e jona, sepse ne vetë do të shkëlqejmë me atë që shohim.

Gjoni pa Jezusin e ringjallur, “fytyra e tij ishte si dielli që ndrin me forcën e tij” dhe Gjoni ra si i vdekur (Zbulesa 1:16-17). Kjo është pikërisht lavdia me të cilën do të shkëlqejmë: “Atëherë të drejtët do të ndriçojnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre” (Mateu 13:43).

Lavdia e Krishtit do të jetë lavdia jonë, sepse është bota jonë e re dhe sepse është identiteti ynë i ri.

SI TRUPI I TIJ I LAVDISHËM

Imagjino një shenjtor në një shtëpi të moshuarish, i cili është në gjendjen më të dobët dhe duke vdekur. Këto ditë të vdekjes nuk janë të lavdishme. Shumë rënkojnë për të hequr “çadrën e tyre tokësore” dhe “të përpihen nga jeta” (2 e Korintasve 5:4). Por kundër këtij fundi të palavdishëm qëndron Fjala e fuqishme e Perëndisë. Ky trup i fishkur, i rrudhosur dhe i rraskapitur “mbillet në çnderim, ringjallet në fuqi; mbillet trup natyror, ringjallet trup frymëror” (1 e Korintasve 15:43). Çdo shenjtor, pavarësisht sa i regjur apo i gjymtuar, do të ngrihet në lavdi. Lavdinë tonë e dekretoi Perëndia.

Lavdia e trupave tanë të ringjalljes do të jetë lavdia e Krishtit. “I cili do ta transformojë trupin tonë të përuljes, që të bëhet i një forme me trupin e tij të lavdisë” (Filipianëve 3:21). Ata të cilët mbahen fort pas Krishtit gjatë gjithë vuajtjeve të tyre, do të “përlëvdohen me të” (Romakëve 8:17). Kjo është ajo që Perëndia ka vendosur për ne përpara kohërave. “Ai i [na] ka paracaktuar që të jenë njësoj me shëmbëllimin e Birit të tij... por ata që ai i paracaktoi... edhe i përlëvdoi” (Romakëve 8:29-30). Kjo ishte dituria e dekretuar për lavdinë tonë.

LAVDIA E UNIVERSIT

Pra, lavdia jonë do të jetë lavdia e botës sonë të re dhe lavdia e natyrës sonë të re. Sidoqoftë, për t’u siguruar që ta ndiejmë mrekullinë edhe më shumë, Pali na thotë se nuk jemi ne ata të cilët janë përshtatur me botën e re, por është bota e re që na është përshtatur ne. Lavdia që do të marrim, përcakton lavdinë e universit. Vetë krijimi do të çlirohet nga skllavëria e korrupsionit dhe do të fitojë lirinë e lavdisë së fëmijëve të Perëndisë (Romakëve 8:18-21). Ne nuk e fitojmë lirinë e lavdisë së saj. Ajo e fiton lirinë e lavdisë sonë.

TË RËNDA DHE TË PËRJETËSHME

Nëse vuajtjet e tua duken të gjata, nëse zhgënjimet dhe mërzitjet janë të shumta dhe zgjasin një jetë, nëse barrët duken shumë të rënda dhe dhimbja shumë e gjatë, Perëndia thotë që jo, ato nuk janë shumë të rënda; dhimbja nuk zgjat shumë. “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie” (2 e Korintasve 4:17).

Dëshiron të dish se çfarë është e rëndë? Pesha e lavdisë është e rëndë. A dëshiron të dish se sa shumë zgjat? Lavdia e përjetshme zgjat shumë. Kjo është lavdia jonë.


SECILI I PËRLËVDUR NGA PERËNDIA

Kjo nuk është e gjitha! Lavdia jonë nuk është vetëm lavdia e natyrës sonë të re, që shkëlqen si dielli me forcë të plotë dhe që bën thirrje për të ardhur në një botë të re lavdie, por do të ketë gjithashtu një dimension intensivisht personal të saj.

Shkëlqimi galaktik i asaj bote të re dhe shkëlqimi verbues i secilës fytyrë nuk do ta pengojnë prekjen personale të Jezusit. Jezusi nuk u drejtohet turmave, por individëve: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:21). Jo “shërbëtorë”, por “shërbëtor”.

Çdo shërbëtori të përkushtuar, një nga një, Jezusi i thotë: “Do t’i jap një guriçkë të bardhë, dhe mbi guriçkë është shkruar një emër i ri, të cilin s’e di askush, përveç atij që e merr” (Zbulesa 2:17). Nuk ka se si të bëhet më personale se kaq. Lavdia jonë do të përfshijë lavdinë personale të secilit. “Secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia” (1 e Korintasve 4:5; shih edhe Romakëve 2:29).

Gëzohu në shpresë

Ky ka qenë një fryt i shijshëm, ushqyes dhe forcues: “Perëndia dekretoi diturinë përpara kohërash për lavdinë tonë.” Këtë fryt e kam shijuar prej ditësh. Faleminderit që e shijove edhe ti me mua.

Perëndia të gëzoftë me lavdinë që ka caktuar për të ardhmen tënde!


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen ‘Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist’ dhe libri i tij më i ri ‘Providence’. Katër prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqipe, “Mos e Shko Dëm Jetën”, “Pesë Pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë”, “Virusi Korona” dhe “Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh”.


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/god-has-planned-your-glory       
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim