artikull

Prill 2022


Mësime nga Spurgeon mbi polemikat

Në pamje të parë, ky mund të jetë një teks i çuditshëm për ta varur në dhomën e gjumit:

“Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë çdo lloj fjale të keqe kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllehuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.” (Mateu 5:11-12)

Ndërkohë që të tjerët do të zgjidhnin prej një mijë burimesh të tjera para këtij, Susannah Spurgeon vuri në kornizë këto fjalë të Jezusit, për t’i kujtuar bashkëshortit të saj, Charles, perspektivën me kokëposhtë të Jezusit. Kur dishepujt e Tij u përballën me kundërshtime të forta për hir të emrit të Tij, qëndrimi i duhur duhej të ishte gëzimi.

Kur mendojmë për këtë baptist të madh si Spurgeon, kur lexojmë predikimet e tij të fuqishme, kur kujtojmë se puna e jetës së tij ia kalonte asaj të njëqind burrave, kur lexojmë për rizgjimin dhe fitimin e shpirtrave të panumërt për Krishtin, mund të imagjinojmë se Princi i Predikuesve pati sukses të pakët, por të pathyeshëm. Në krahasim me shumë prej shërbesave tona, ai dukej se rrinte mbi re. Rrallëherë mendojmë për Spurgeon-in e harruar, siç thotë edhe Iain Murrey. Ai ishte një Spurgeon që kishte nevojë të shihte Mateun 5:11-12 të varur në mur.

Princi i harruar

Spurgeon-i i harruar qëndroi midis tornadove të disa polemikave të mëdha të kohës së tij. Protesta e tij kundër arminianizmit, përbuzja ndaj ripërtëritjes përmes pagëzimit dhe kundërshtimi i tij ndaj një bashkimi ungjillor të bazuar në fragmente të doktrinës së krishterë [e njohur si Downgrade Controversy (Polemika e degradimit)] e bënë atë shënjestrën e shumë shigjetave.

Ky Spurgeon, sidomos në fillim dhe në fund të shërbesës së tij, kishte arsye për ta llogaritur veten si “pisllëku i botës” (24-25). Emri Spurgeon, që ne e respektojmë thellësisht, “hidhej dhe gjuhej nëpër rrugë si një top futbolli” (28), thënë kjo nga vetë mbajtësi i këtij emri. Në një predikim, ai tha: “Nuk ka ditë në të cilën abuzimi më i keq dhe shpifja më e frikshme nuk është shqiptuar kundër meje, si në mënyrë private, ashtu edhe nga shtypi publik; çdo motor punon për të hedhur poshtë shërbestarin e Perëndisë–çdo gënjeshtër që njeriu mund të shpikë është hedhur kundër meje” (63).

Ky Spurgeon përgojohej nëpër gazeta, tallej nga kundërshtarët dhe censurohej nga shumë shërbestarë të krishterë, për të cilët paramendonte se do t’i kishte aleatë. Ky Spurgeon ishte shembulli i vërtetë i një njeriu të lumtur të Perëndisë, por shpesh të urryer,  të cilit Jezusi i foli me Predikimin në Mal.

T’ia mbathësh nga kompromisi

Çfarë mund të mësojmë nga ky Spurgeon i harruar?

Ky Spurgeon mund të na mësojë të përballemi me guxim me polemikat, pa bërë kompromis. Bindjet që mbajti deri në ditën e vdekjes, i kushtuan shumë. Ai nuk e praktikoi vesin kundër të cilit predikonte: “Nuk mendoj se ka ndonjë burrë apo grua të krishterë që ka mundur të shkojë në qiell e prapë të jetë fshehur në heshtje e të ketë vrapuar shkurre më shkurre, duke hyrë vjedhurazi në lavdi. Krishterimi dhe frikësimi? Çfarë kundërshtimi në terma!” (“Fol për vete–një sfidë”).

Nëse do të hidhnim tutje tundimin për të hyrë në lavdi në majë të gishtave, dhe do të ishim vërtet të dobishëm për emrin e Krishtit në këtë botë, Spurgeon na mëson se do të bënim mirë të kundërshtonim dashurinë për emrin tonë, të jemi rehat me pakicën dhe të dallojmë (dhe të refuzojmë) unitetin e rremë.

1. Mos u dashuro me emrin tënd.

“Le të venitet emri im, por le të mbetet gjithmonë emri i Krishtit! Jezus! Jezus! Jezus! E kurorëzoj Zotin mbi gjithçka!” (43)

Spurgeon na paralajmëron të mos dashurohemi me reputacionin dhe ndikimin tonë. Ai thotë se kjo dashuri për veten është përbërësi kryesor i prishjes së më të mirës sonë. Ai ekspozon hapat e kompromisit të personit që fillimisht u përdor nga Perëndia:

Tundimi vjen si kujdes për pozicionin që ka fituar duke mos bërë asgjë për ta vënë në rrezik. Ky njeri, në fundi besnik ndaj Perëndisë, bën kompromis me gjërat e botës, dhe për të qetësuar ndërgjegjen e vet shpik një teori përmes të cilës kompromise të tilla janë të justifikuara, madje për t’u përgëzuar. Ai merr lavdërimet e njeriut “të ditur”; në të vërtetë, ai është bërë palë me armikun. E gjithë forca e jetës së tij të mëparshme tani tregon për në anën e gabuar. (170)

Sa herë e kemi parë apo përjetuar këtë devijim?

Së pari, jemi disi të lartësuar për përdorim të veçantë. Pastaj, dalëngadalë, e vëmë re dhe na shijon vëmendja. Biem në dashuri me të qenët të njohur, ndaj shtrëngojmë fort pas vetes platformat tona nga frika se mos i humbasim. Pastaj llogarisim gjërat që themi, shmangim çdo gjë që mund të dobësojë ndikimin tonë, përfshirë këtu edhe disa të vërteta jo të favorshme të Shkrimit. Dhe së fundi, përballë gjërave që më parë i quanim kompromis, shpikim arsye që justifikojnë personin që jemi bërë, pse kemi farkëtuar shpatat duke i kthyer në plugje.

Dashuritë e zjarrta, të vendosura në objekte të padenja, i bëjnë të krishterët frikacakë. Nëse ka filluar të na pëlqejë tingulli i emrit tonë, nëse kemi nisur të kujdesemi për markën tonë apo të konsiderojmë famën tonë të nevojshme për përparimin e mbretërisë së Krishtit, atëherë kemi filluar të ndërtojmë mbretëritë tona. Le të themi me Spurgeon: “E konsideroj karakterin, famën dhe dobinë time si pluhuri në peshore para besnikërisë time ndaj Zotit Jezus” (219). Ne shpallim Krishtin, jo veten (2 e Korintasve 4:5).


2. Rehatohu me pakicën.

“Kam ndaluar së numëruari njerëzit kohë më parë. Në këtë botë të ligë, e vërteta zakonisht qëndron te pakica. Unë për vete kam besim në Zotin Jezus, një besim i shënuar brenda meje si me hekur të nxehtë. E falënderoj Perëndinë, atë që besoj do ta besoj, edhe në qofsha i vetmi.” (146)

A je tunduar ndonjëherë të numërosh njerëzit, ndjekësit, pëlqimet apo shpërndarjet, për të parë se çfarë duhet apo nuk duhet të thuash? Unë po. Kur fillojmë ta ndajmë të vërtetën në bazë të pritshmërisë së mirë që ajo e vërtetë do të ketë, atëherë jemi në gjysmë të rrugës drejt kompromisit. Spurgeon na këshillon ta marrim parasysh koston më përpara: e vërteta gjendet më së shumti te pakica; të qëndrosh në të mund të nënkuptojë të qëndrosh vetëm.

Megjithatë ata që qëndrojnë për të vërtetën e Krishtit, në të vërtetë nuk qëndrojnë kurrë vetëm. Mund të dalësh para mbretit si Esteri, pa asnjë farefis përkrah, i vendosur se, nëse do të humbasësh, je i gatshëm të humbasësh; mund të predikosh si Stefani, ndërsa turmat mblidhen rreth teje duke mbyllur veshët dhe duke hedhur gurët; mund të qortosh i vetëm tradhtinë e mbretit Herod ose mund të thuash me Palin: “Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk më qëndroi pranë” (2 e Timoteut 4:16), por Krishti do të jetë me ty, deri në mbarim të botës (Mateu 28:20). Dhe nëse kauza jote është e vërtetë, do të shohësh, si Elia, se nuk je i vetmi që nuk përulesh para Baalit (1 i Mbretërve 19:14, 18).


3. Dallo unitetin e rremë.

“Patjetër, është më e lehtë në mish dhe gjak të merresh në përgjithësi, të denoncosh sektarianizmin dhe të pretendosh se je katolik i flaktë; por edhe pse e vështirë dhe e mundimshme, një shërbëtor besnik i Mbretit Jezus duhet të ruajë të gjitha të drejtat e kurorës dhe të luftojë për çdo fjalë të ligjit të tij. Miqtë na shajnë dhe armiqtë na përçmojnë kur jemi shumë xhelozë për Zotin Perëndi të Izraelit, por çfarë rëndësie kanë këto gjëra, nëse Mjeshtri aprovon?” (18)

Gabimit i pëlqen turbullira.

Njësoj si në kohën e Spurgeon, edhe tani, tundimi për të lejuar të gjitha pozicionet dhe për të pranuar të gjitha këndvështrimet e së vërtetës është shumë i fortë. Na thuhet se është paragjykuese, mendjengushtë e madje jo e krishterë të vendosësh kufi. Por për Spurgeon është i papranueshëm promovimi i një lloj “uniteti të krishterë”, emëruesi i të cilit është më i ulët se krishterimi i vërtetë. Uniteti i judeut dhe paganit në një njeri të ri është blerë me gjakun e Krishtit; uniteti i të vërtetës së ungjillit dhe të pavërtetës së ungjillit është unitet i sjellë nga satani.

Ai argumenton se krishterimi ortodoks dallohet. Jo çdo pikëpamje mund të jetë e vërtetë. Kur i vetmi standard i tufës mbetet të pasurit katër këmbë, atëherë ujqërit dhe dhitë hyjnë lehtësisht mes nesh. Qasja e shpalljes së një ungjilli pa doktrinë, pa teologji dhe pa formë, që filloi në kohën e Spurgeon, dhe që me sa duket po piqet në ditët tona, është një nga mënyrat më të shpejta për të bërë kompromis me besnikërinë tonë ndaj Krishtit dhe me dëshminë në botë.

“E vërteta shpeshherë gjendet te pakica; të qëndrosh në të do të thotë se mund të qëndrosh vetëm.” 

Kur Spurgeon e tha këtë, nuk kishte për qëllim ndarjen e çdo ndryshimi të mundshëm teologjik, përndryshe çdo njeri do të ishte ishull më vete. Por Spurgeon irritohej nga përpjekjet për të minimizuar zellin dhe të vërtetën e krishterë, në mënyrë që të bashkoheshin teologjitë e kundërta dhe të përziheshin liberalizmi me krishterimin historik. Mund të quhemi të veçantë ose dogmatikë, por çfarë rëndësie ka, nëse ajo që promovojmë është e vërteta e Mjeshtrit?


Edhe nëse përmbyset bota

“Na takon ty dhe mua të bëjmë atë që është e drejtë, edhe nëse përmbyset bota, dhe të ndjekim urdhërimin e Krishtit, cilado qoftë pasoja. Do të thuash “Ky është mish i fortë”? Jini, pra, burra të fortë, dhe ushqehuni me të.” (171)

Bashkëshortja e tij e dashur, e cila vari në murin e dhomës Mateun 5:11-12, pas vdekjes së tij në moshën 57 vjeçare tha: “Lufta e tij për besimin… i kushtoi jetën.” Ai luftoi luftën e mirë të besimit, e ruajti besimin, e përfundoi vrapimin (2 e Timoteut 4:7), duke thënë para vdekjes: “Puna ime mbaroi” (173). Ai jetoi për Zotin e tij dhe tani jeton në praninë e Tij.

Për këdo prej nesh që mbetemi pas Spurgeon, duke përshkuar kohën tonë me të gjitha sfidat dhe mundësitë tona, me tundimet dhe mundimet, të marrim himnin e tij shpesh të cituar, ndërsa vazhdojmë garën tonë të besimit:

A duhet të më ngrenë në qiell
Në shtretër me lule të rehatisë,
Ndërsa të tjerët për të fituar çmimin luftuan 
Dhe nëpër dete të përgjakshme lundruan?
Meqë duhet të luftoj, nëse do të mbretëroj,
Guximin më rrit, Zot!
Barrën do të mbaj, dhimbjen do të duroj,
Me Fjalën Tënde që më forcon. 

Edhe pse qiejtë bien, edhe pse toka përmbyset, edhe pse polemikat dhe tundimet e kompromisit shpirtëror qëndrojnë para nesh, le t’i vëmë veshin këtij Spurgeon-i të harruar, të varim Mateun 5:11-12 në zemrat tona dhe të jetojmë para njerëzve dhe djajve me guximin dhe shpresën që vetëm Krishti siguron.

Greg Morse është pjesë e stafit tekstshkrues të desiringGod.org dhe është diplomuar në Kolegjin Bethlehem College & Seminary. Ai dhe gruaja e tij, Abigail jetojnë në St. Paul me vajzën e tyre.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Botuar me leje:  https://www.desiringgod.org/articles/if-god-approves-let-men-çondemn?utm_source=facebook&utm_medium=ee800b56-0afb-4bcd-b927-37638b64496b&utm_çontent=article&utm_campaign=new+teaching  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim