don t mistake dating for marriage vpzqtjyf 4400dec76a8a57c226e7400084898c6c

Qershor 2026


Dashuria është e kushtueshme dhe romanca ka risqe. Kur ecim sipas Frymës dhe në bindje ndaj këshillës së Krishtit, risku është i drejtë dhe kostoja ia vlen të paguhet. Mirëpo kur ndjekim mashtrimet e pasioneve tona dhe shpërfillim rrugën e urtësisë, ne përqafojmë marrëzinë dhe rrezikojmë shpirtrat tanë.

Duke shërbyer me të rinjtë dhe studentët për thuajse një dekadë, kam parë shumë çifte të reja që kanë luajtur me zjarrin. Unë nuk bëj përjashtim; pavarësisht nga mësimet shumë të mira që kam marrë nga prindërit, pavarësisht nga kultura përreth meje që preferon një “afrimitet” serioz përkundrejt “njohjeve” të shkujdesura dhe pavarësisht nga dëshira për të ruajtur pastërtinë, kam hasur vështirësi. Në kohën kur isha beqar, i jam afruar shumë flakëve të papastërtisë dhe e kam përcëlluar shpirtin tim — kur e kuptoja se kjo apo ajo vajzë e re nuk do të ishte bashkëshortja ime dhe se duhet t’i shuaja flakët e ndjenjave, përpjekjet e mia të ngathëta për të kontrolluar dëmet, shpeshherë shpërfillnin zemrat e motrave të mia në Krishtin.

Njohja mund të kthehet në një lojë të rrezikshme. Të kërkosh një bashkëshort/e të mirë është si të kërkosh një thesar. Mirëpo nuk mund të rendim pas diçkaje “të mirë” (Fjalët e Urta 18:22), duke humbur kështu gjënë më të mirë (Luka 10:42). Ndaj, më lejoni t’ju jap tri paralajmërime, të cilat do t’ju ndihmojnë të njiheni me dikë, duke menduar për të mirën e shpirtit tuaj.

1. Kini kujdes nga zgjimi i dashurisë

Baresha te Kënga e Këngëve nga Salomoni bën një paralajmërim solemn për vajzat e reja të Jerusalemit. Deklarata e kornizon Këngën, duke theksuar funksionin e vet didaktik në libër:

“O bija të Jerusalemit, ju përgjërohem, mos e shqetësoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, derisa kështu t’i pëlqejë.” (Kënga e Këngëve 8:4; shih 2:7)

Shpresoj ta ndieni vështrimin e thellë të bareshës që ju depërton përmes këtyre vargjeve. Nëse je beqar (pra, nëse nuk je martuar ende), këto fjalë janë për ty. Ki kujdes që të mos e zgjosh dashurinë para se të jetë e përshtatshme. Disiplinohu që ta ruash veten emocionalisht, fizikisht dhe frymërisht. “...dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është e ashpër si Sheoli” (Kënga e Këngëve 8:6).

Mendoni për flakët që përpinë Kaliforninë në fillim të vitit 2025. Publiku u paralajmërua që, në kushtet e përshtatshme, edhe hedhja e bishtit të cigares mund të ishte shkatërruese. Po ashtu, veprime “dashurie” të pafajshme në dukje, mund të shkatërrojnë zemrën dhe shpirtin — tënd ose të dikujt tjetër — nëse shprehen në çastin e papërshtatshëm ose në formë të papërshtatshme.

Ji veçanërisht i kujdesshëm që të mos e zgjosh dashurinë me prekje fizike. Kur fillova të njihesha me zonjushën, që tanimë është bashkëshortja ime, i thashë se nuk do të putheshim derisa të fejoheshim. Më vonë, këtij vendimi i shtova “derisa të martohemi”. Jam shumë i lumtur që veprova kështu. Do të doja që të njëjtin zotim ta kisha bërë edhe në marrëdhëniet e mëparshme. Puthja romantike është shkëndijë afeksioni. Në martesë, ajo trazon qymyrin dhe ngroh shtëpinë. Jashtë martese, ajo është si puhiza që fryn bishtin e cigares në thatësirën e Kalifornisë.

Ji gjithashtu i kujdesshëm që të mos e zgjosh dashurinë me premtimet e tua. Mati fjalët. Këtë e them veçanërisht për djemtë e rinj, duke qenë se zakonisht djemtë dhe vajzat nuk i dëgjojnë njësoj gjërat. Nëse një djalë i ri dëgjon një vajzë t’i thotë: “Të dua”, me shumë mundësi do ta marrë si shprehje emocioni. Nëse një vajzë e re dëgjon të njëjtat fjalë, me shumë mundësi do të tundohet për t’i marrë si një deklaratë që shpreh qëllim, si një premtim për të ardhmen. Kur isha i ri, u zotova se do t’i thosha “Të dua” vetëm vajzës me të cilën do të martohesha. Jam i lumtur që e mbajta këtë zotim. Kur i thashë gruas sime, Brooke-ut, se e doja, ajo e dinte se do t’i propozoja për martesë (dhe ashtu bëra).

Djem të rinj, për hir të zemrës së saj, kontrollojeni vërshimin e emocioneve. Thjesht sepse e ndieni, nuk do të thotë që duhet ta shprehni. Nëse keni patjetër nevojë që ta shprehni, shkruajeni diku dhe mbajeni. Nëse do të jetë personi me të cilin do të martoheni, shumë mirë — do të keni një dhuratë për ta dhënë në ditën e fejesës. Nëse jo, shumë mirë — do të keni diçka për ta djegur në festën e beqarisë.

Dhe në fund, kini kujdes që të mos e zgjoni dashurinë me anë të praktikave frymërore. Ndërkallja e zakoneve individuale të hirit, ndërkohë që njihesh me dikë, mund të çojë në varësi frymërore. Mos lejoni që ritmet tuaja bazë të dishepullimit të krishterë të varen apo të identifikohen me personin tjetër. Ju duhet të keni zakone lutjeje, të studimit të Shkrimit të Shenjtë dhe të adhurimit që qëndrojnë të pavarura nga personi për të cilin keni interes romantik. Djem të rinj, kujtoni që, derisa të martoheni, ju nuk jeni udhëheqësi i saj frymëror. Mënyra më e mirë për ta mbështetur shëndetin e saj frymëror nuk është duke u bërë dishepulluesi i saj dhe as partneri i llogaridhënies, por duke e inkurajuar të varet te Krishti dhe të zhvillojë një marrëdhënie llogaridhënieje me një grua të pjekur frymërisht në kishën e saj.

2. Kini kujdes kur hamendësoni një besëlidhje

Çfarë erdhi më përpara: statusi i lidhjes në Facebook apo hamendësimet për një besëlidhje që fshihen pas tij? Me shumë mundësi, përgjigjja nuk ka rëndësi, duke qenë se brezi i tanishëm nuk e përdor Facebook-un; megjithatë, ka shumë gjasa që edhe ti hamendëson njësoj. Unë buzëqesh sa herë pyes një grup studentësh universiteti se sa prej tyre janë beqarë, dhe ata që janë në një njohje nuk e ngrenë dorën. Shpeshherë i pyes: “Oh, jeni të martuar?”.

Kur flasim për të qenët në një lidhje ose jo, jemi duke huazuar një kornizë besëlidhjeje, qoftë edhe pa vetëdije. E nënkuptojmë njohjen si besëlidhje, për shkak të disa pikave për të cilat kemi rënë dakord. Ka disa zotime, pritshmëri, përgjegjësi – po, edhe të drejta. Për këtë arsye disa prej jush mund të jenë irrituar kur lexuan sugjerimin tim për të mos e puthur të dashurën. Ju mund të mendoni se keni njëfarë të drejte mbi trupin e saj, qoftë edhe në një pjesë të vogël.

Mirëpo ja ku vjen pyetja: Çfarë lloj marrëdhënieje është marrëdhënia gjatë njohjes? A është një nënkategori e martesës apo e beqarisë? Mendoj se do të bini dakord se i përket më shumë beqarisë. Derisa të jeni të martuar, nuk keni të drejta, përgjegjësi apo privilegje të ndryshme, thjesht sepse jeni në një njohje. Nuk keni të drejtën e prekjes, afeksionit e as të planeve për të ardhmen. Personi mund të jetë shumë i rëndësishëm, mirëpo trupi i saj është i saji – pra, nuk është yti.

Ajo që e keni të përbashkët është përgjegjësia e besëlidhjes për të dashur e për të shërbyer, një përgjegjësi e përbashkët me të gjithë ata që janë bashkuar në Krishtin. Gjithashtu, keni të përbashkët një pyetje kërkimore: A do të ishte martesa një zgjedhje e mençur për ne? Së shpejti kjo pyetje duhet të shndërrohet në një hipotezë (që mund të shoqërohet me një ndryshim “statusi”), gjë që me kalimin e kohës duhet të bëhet teori dhe pastaj të shndërrohet në besëlidhje. (Nuk i inkurajoj njohjet apo fejesat e tejzgjatura; në të dyja rastet hamendësohet një besëlidhje që nuk është ende aty.)

3. Kini kujdes nga izolimi

Fjalët e Urta 18:1: “Kush veçohet, kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.” Prandaj, mos e zhvilloni një njohje pas dyerve të mbyllura. Ndërsa lexoni Këngën e Salomonit, do të vini re se në atë këngë marrin pjesë edhe “të tjerë”. Këta e mbështesin çiftin, e inkurajojnë dhe e ndihmojnë që të rikthehet në rrugën e drejtë gjatë shtigjeve me pengesa të martesës. Këta të tjerë shërbejnë për ta nxitur çiftin e perëndishëm që të mbajë përgjegjësi për zotimet që ka marrë. O i krishterë, më dëgjo: Të duhen të tjerët në procesin e njohjes.

Në ditët e sotme kemi një të kuptuar të cekët të detyrave familjare. Mendoj se prindërit, sidomos babai i një vajze, duhet të përfshihet urtësisht në njohjen e çiftit të ri. Kur djali kërkon bekimin për martesë, babai nuk duhet të tregohet i rrëmbyer në dhënien e përgjigjes. Një baba i mirë kërkon alternativën e perëndishme dhe i teston ata që vijnë duke kërkuar. Dhe çifti i ri i perëndishëm nuk i mban mëri për këtë.

Megjithatë, jo çdo vajzë e re ka një baba që e kupton, që përqafon detyrimet e tij atërore dhe që është kompetent për t’i përmbushur ato. Në këtë rast, çifti i ri duhet të përpiqet të nderojë prindërit, por, për sa i përket mbrojtjes, ndihmës dhe këshillimit, mund të mbështetet më shumë te kisha. Jo shumë kohë më parë, një nga studentet në kishën tonë na tha mua dhe bashkëshortes sime, se kur ndonjë djalë do të dojë të njihet me të, ajo do ta sjellë fillimisht tek unë për një “intervistë”. Nuk mendoj se ka nder më të madh (dhe kam filluar që tani të përpiloj pyetjet).

Pra, përfshini të krishterë të tjerë të urtë në procesin e njohjes. Ftoni etër dhe nëna frymërore dhe kërkojini miqve të besuar t’ju bëhen “rrodhe”. E falënderoj Perëndinë për mikun tim, Michael-in, i cili më deshi me dhuratën e pranisë dhe kërkesës së llogarisë (edhe pse jo gjithmonë më pëlqente!).

Jini të vetëdijshëm për pjesën më të mirë

Nxitjet që ju kam bërë në këtë artikull janë ftesë për të vdekur ndaj vetes, për të mirën tuaj dhe për të mirën e personit me të cilin po njiheni. Kjo nuk është një kërkesë vetëm për procesin e njohjes; është përgjegjësia juaj e përditshme pasi martoheni. Mënyra se si njiheni sot, ju trajnon për llojin e bashkëshortit që do të jeni nesër.

Kur isha beqar gënjeja veten. Mendoja se, po të rrija i virgjër dhe, sidomos, po të martohesha i virgjër, dhe të dy të ishim të krishterë të përkushtuar, atëherë pas martesës nuk do të kisha më nevojë për vetëkontroll. Bashkëshortja ime do të plotësonte të gjitha dëshirat e mia seksuale dhe do më kënaqte plotësisht. Me fjalë të tjera, frenojini pasionet deri në martesë pastaj (me fjalët e Treebeard-it te beteja e Isengard-it), “Çlirojeni lumin!”.

E po, ja një lajm i papritur: Askush nuk i plotëson të gjitha dëshirat tuaja. Dhe ka të paktën pesë arsye për këtë.

  1. Jeni mëkatar.
  2. Jeni i thyer.
  3. Ai/ajo është mëkatar/e.
  4. Ai/ajo është i/e thyer.
  5. Ka dhe gjëra të tjera për t’u bërë. (Kjo shtohet në përpjesëtim me numrin e fëmijëve që keni.)

Ideja është kjo: Edhe në një martesë të shëndetshme që e nderon Krishtin, do të përballeni me acarime dhe pakënaqësi. Prandaj, filloni që tani të mësoni se si të vdisni ndaj vetes dhe se si të kënaqeni me Zotin. Pavarësisht nëse vdesim ose rrojmë, njihemi ose martohemi, Krishti mbetet pjesa më e mirë. Shijojeni Atë më shumë se gjithçka, edhe ndërsa kërkoni dhuratat e tij të mira. Nëse veproni kështu, nuk ju premtoj se nuk do të ketë risqe apo kosto në njohje dhe martesë — por risku do të jetë i drejtë dhe kostoja do t’ia vlejë.


Andrew Ballard (MDiv, Bethlehem College and Seminary, 2025) shërben si ndihmëspastor në kishën Bull Street Baptist Church në Savannah, Georgia. Ai është bashkëshorti i Brooke-ut dhe babai i Oliver-it dhe Eden-it, si dhe shkruan e redakton.

https://www.desiringgod.org/articles/dont-mistake-dating-for-marriage?utm_campaign=Daily+Digest&utm_content=Daily+digest&utm_medium=cio&utm_source=email


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim