“…‘Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni bashkëpjesëmarrës në mëkatet e saj dhe që të mos merrni prej plagëve të saj, sepse mëkatet e saj u bënë pirg deri në qiell dhe Perëndia i kujtoi krimet e saj.’”
ZBULESA 18:4-5
Nuk duhet të habitemi apo të alarmohemi kur të krishterët përballen me kundërshti- me të vazhdueshme. Prirja e natyrshme e njerëzimit është ajo e rebelimit krenar ndaj Perëndisë dhe, si rrjedhim, kundër popullit të Tij. Mbi themelin e paqëndrueshëm të krenarisë së tij, njeriu “ndërton një qytet” (nëse përdorim gjuhën figurative të Zbulesës) dhe ngre një stil jete që është kundër udhëve të Perëndisë.
Njerëzimi ka qenë duke e bërë këtë që nga rënia në mëkat. Projekti i parë i paudhë i ndër- timit ishte në fushën e Shinarit, në një vend të quajtur Babel (Zanafilla 11:1-9) — vendi që më vonë mori emrin Babiloni dhe në të cilin u çua në mërgim populli i Perëndisë. Prandaj, Zbulesa 18 i referohet qytetit të njeriut, i cili është ndërtuar për të kundërshtuar Perëndinë, si Babilonia; dhe më pas, Babilonia personifikohet si një prostitutë që i josh njerëzit për të kryer kurorëshkelje frymërore. Duke qenë tërheqës dhe joshës, qyteti i njeriut ka sukses në largimin e shumë njerëzve nga Perëndia. Ai është “qyteti i madh, ai që ka mbretërim mbi mbretërit e tokës” (17:18), dhe ndikimi i tij është domethënës dhe shkatërrues.
Atëherë, si duhet të reagojnë qytetarët e qytetit të Perëndisë ndaj këtij rivali botëror? Ne duhet të jemi në botë, por jo nga bota. Me fjalë të tjera, ne duhet të jemi kripë, e cila ka shije të veçantë dhe veti ruajtëse; dhe duhet të jemi dritë, e cila përfúsh atë që mbulon errësira, por që, gjithashtu, i udhëheq të tjerët në rrugën drejt sigurisë (Mateu 5:13-16). Ne duhet të jetojmë me tensionin e të qenët anëtarë të kësaj bote, por që nuk i përkasim asaj: që banojmë këtu, por që njëkohësisht jemi të ndarë nga ata zemrat dhe mendjet e të cilëve janë kundër Perëndisë. Gjoni thotë se besimtari nuk duhet të karakterizohet nga mëkatet e qytetit të njeriut, që të mos marrë “prej plagëve” të tij. Nëse i dorëzohemi joshjes së Babilonisë, vërtetojmë se identiteti ynë nuk ishte kurrë me të vërtetë ai i një qytetari të mbretërisë së Perëndisë.
Ata që ndjekin Krishtin, duhet t’i përkushtohen së vërtetës së Biblës. Krishterimi është më shumë se një kod moral. Ai është më shumë se një botëkuptim për jetën ose një metodë për të përmirësuar jetën e dikujt. Ku është kryqi në këtë mes? Krishterimi dallohet nga të gjitha fetë e tjera në atë që ne mbahemi fort pas vdekjes së Jezusit në kryq si mjeti ynë i paj- timit me Perëndinë. Dikur ishim të vdekur në mëkatet tona dhe e meritonim zemëri min dhe gjykimin e Perëndisë — por Ai na shpengoi nëpërmjet jetës së përsosur të Krishtit, vdekjes shlyese dhe ringjalljes së Tij ngadhënjimtare.
Tani për tani, bota vazhdon ashtu siç ka bërë gjithmonë. Por një ditë Krishti do të kthehet dhe do t’ia mbyllë gojën çdo profeti të rremë, çdo qytetari të Babilonisë, madje edhe vetë djallit. Ne mund ta shohim kishën të shtypur fort, të tallur, të hedhur në gjyq dhe të përndjekur. Bota do ta shohë atë si të dobët, në anën e gabuar të historisë dhe të padenjë për respekt apo pranim. Por ne kemi shpresë në këtë pohim triumfues: as portat e Babilonisë dhe as portat e ferrit nuk do të fitojnë, sepse Krishti do ta ndërtojë dhe do ta ruajë kishën e Tij (Mateu 16:18). Prandaj, tani për tani, teksa jetoni në Babiloni, cili nga mëkatet e saj ju duket më tepër tërheqës? Në ç’mënyra tundoheni më shumë për të jetuar sikur ky qytet të ishte gjithçka që ekziston? Çfarë mundësish ju janë dhënë për të qenë kripë dhe dritë për ata që ju rrethojnë? Sigurohuni që t’i rezistoni qytetit të njeriut dhe t’u bëni thirrje të tjerëve për të ardhur në qytetin e Perëndisë.
