“Atëherë Jezusi, si e pa atë duke qarë dhe gjithashtu judenjtë që erdhën me të duke qarë, u prek thellë në frymë dhe u trondit. Dhe tha: ‘Ku e keni vënë?’. I thanë: ‘Zot, eja dhe shiko!’. Jezusi lotoi.”
GJONI 11:33-35
Hidhërimi është “pikëllim për humbjen që të trondit jetën. Pikëllimi e copëton jetën; e trondit gjithë qenien e njeriut. E bën atë si një anije pa spirancë; lidhjet e jetës së tij shkëputen. Në të vërtetë, hidhërimi nuk është asgjë më pak sesa një humbje që shkatërron jetën”. Ju mund ta njihni shumë mirë këtë përvojë. Më kujtohet ndërhyrja e tij e parë në jetën time kur isha adoleshent dhe më vdiq nëna. Asgjë nuk mund të ishte më ashtu siç kishte qenë më parë.
Nuk të duhet të jetosh gjatë si besimtar për të zbuluar se besimi nuk na izolon nga pikëllimi dhe frika prej tij. Pali shkroi rreth përvojës së mikut të tij, Epafroditit, i cili për pak sa nuk vdiq: “Dhe njëmend u sëmur, pothuajse për vdekje, por Perëndia e mëshiroi atë; dhe jo vetëm atë, por edhe mua, që të mos kisha trishtim mbi trishtim” (Filipianëve 2:27). Mendimi që mund ta humbiste Epafroditin ia theu zemrën Palit. Ai e kuptonte se vdekja nuk ishte fundi, por e kuptonte gjithashtu se në përjetimin e humbjes, apo edhe në mundësinë e saj, ka një pikëllim të vërtetë.
Hidhërimi është i vështirë sepse diçka ka humbur, dhe tani disa gëzime kanë humbur në mënyrë të pakthyeshme. Por dimë gjithashtu se pikëllimi është një realitet për të cilin Shkrimi flet qartë — një realitet i cili një ditë do të shpengohet nga një gëzim shumë më i madh. Dimë gjithashtu se pikëllimi është një realitet të cilin Shpëtimtari ynë e njeh personalisht. Ndërsa Jezusi qëndronte te varri i mikut të Tij, Llazarit, Ai — Personi i dytë i Trinisë — u pikëllua bashkë me ata që ishin mbledhur atje. Ndonëse ishte gati për ta ringja llur Llazarin prej të vdekurve, Ai përsëri lotoi, sepse ishte vërtet i trishtuar. Në këtë skenë, misteri është që Jezusi u identifikua aq shumë me natyrën tonë njerëzore, saqë derdhi lot të sinqertë për humbjen e mikut të Tij të dashur.
Edhe pse Bibla na paraqet realitetin e fitores së Krishtit mbi vdekjen dhe varrin, ajo nuk na thërret në një lloj triumfalizmi sipërfaqësor e të pashpirt. Përkundrazi, siç shkruan Alec Motyer-i: “…lotët janë me vend për besimtarët — në të vërtetë, ata duhet të jenë edhe më të shumtë, sepse të krishterët janë më të vetëdijshëm për çdo emocion, qoftë gëzim, qoftë hidhërim, sesa ata që nuk kanë asnjë ide në lidhje me hirin zbutës dhe gjallërues të Perëndisë.”
Fakti që të dashurit tanë, të cilët vdiqën në Krishtin, tani janë me Të, e lehtëson, por nuk e largon ankthin e humbjes dhe të vetmisë. Ne vazhdojmë të dëshirojmë fort ditën kur një dhimbje e tillë do të ketë marrë fund. Derisa të vijë ajo ditë, ne mund të gjejmë ngushëllim duke ditur se Jezusi ishte “njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes” (Isaia 53:3), ndërsa i drejtojmë sytë tek Ai si shembulli ynë, ndërsa kuptojmë se Ai është “ringjallja dhe jeta” (Gjoni 11:25) dhe shohim tek Ai për përjetësinë tonë. Të diturit e kësaj bën të mundur që pikëllimi dhe shpresa të bashkëjetojnë në zemrat tona.
