mekati

Tetor 2021                                                                       


Në kopshtin e Perëndisë, te lëvoret e çdo peme qëndrojnë të gdhendura fjalët: “Nëse vdes, fara jep shumë fryt” (Gjoni 12:24). Në mishin e çdo të krishteri janë damkosur tri fjalë: “Ti... ke... vdekur” (Kolosianëve 3:3). Rrëfimi i zemrës së çdo besimtari është: “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin” (Galatasve 2:20). 

Çfarë do të thotë kjo? Kush vdiq, kur unë u bëra i krishterë? Përgjigjja është: “mishi” im vdiq. “Por ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin” (Galatasve 5:24). Çfarë kuptimi ka fjala “mish”? Nuk ka të bëjë me lëkurën time. Nuk ka të bëjë me trupin tim. Trupi mund të jetë instrument i drejtësisë (Romakëve 6:13), por këtu nuk po flasim për trupin.

Çfarë është pra “mishi”? Përgjigjen e shohim në veprat që mishi bën. “Veprat e mishit” janë gjërat si idhujtaria, grindja, zemërimi dhe smira (Galatasve 5:19-21). Këto janë qëndrime, jo thjesht veprime imorale të trupit.

Çfarë është mishi?

“Rreziqet në vrasjen e mëkatit janë tepër të larta. Ne nuk po luajmë luftërash. Rezultati është qielli ose ferri.”

Përkufizimi biblik për mishin është te Romakëve 8:7-8: “Sepse mendja e mishit është armiqësi ndaj Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.” Mishi është vetja ime e vjetër që rebelohej kundër Perëndisë. Në mish, unë isha armiqësor dhe kryeneç. E urreja të pranoja se isha i sëmurë nga mëkati. E kundërshtoja idenë që nevoja ime më e madhe ishte që Doktori i Madh të më shëronte. Në mish i besoja urtësisë time, jo urtësisë së Perëndisë. Prandaj, asgjë që bëja në mish nuk mund t’i pëlqente Perëndisë, për shkak se “pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij” (Hebrenjve 11:6). Mishi nuk bën asgjë nga besimi.

Prandaj, “mishi” është vetja ime e vjetër pa besim dhe që mbështetej në veten e saj. Kjo vdiq kur Perëndia më shpëtoi. Ai preu arteriet e zemrës time të vjetër mosbesuese e prej guri. Kur ajo vdiq, Perëndia e hoqi dhe më dha një zemër të re (Ezekieli 36:26).

Cili është ndryshimi mes kësaj zemre të re që jeton, dhe zemrës së vjetër që vdiq? Përgjigjja na jepet te Galatasve 2:20: “U kryqëzova bashkë me Krishtin, por rroj; jo më unë, po Krishti rron në mua; por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.” Zemra e vjetër që vdiq, besonte në veten e saj; zemra e re mbështetet çdo ditë në Krishtin.

Luftoje mëkatin duke i besuar Jezusit

Si luftojnë të vdekurit me mëkatin? Duke i besuar Birit të Perëndisë. Ata janë të vdekur ndaj gënjeshtrave të satanit, gënjeshtra si: Do të jesh më i lumtur, nëse u beson ideve të tua sesa duke i besuar këshillave dhe premtimeve të Krishtit. Të krishterët kanë vdekur ndaj këtij mashtrimi. Mënyra si ata e luftojnë satanin, është duke besuar se shtigjet dhe premtimet e Krishtit janë më të mira se ato të satanit.

Mënyra për të luftuar me mëkatin quhet “lufta e besimit” (1 e Timoteut 6:12, 2 e Timoteut 4:7). Fitoret e kësaj lufte quhen “veprat e besimit” (1 e Thesalonikasve 1:3; 2 e Thesalonikasve 1:11). Në këtë luftë, të krishterët “bëhen të shenjtë me anë të besimit” (Veprat 26:18).

“Fuqia e çdo tundimi është premtimi se kjo gjë do të të bëjë më të lumtur. Gjithsesi, mëkati nuk do të të bëjë kurrë të lumtur.”

Le të mendojmë, pra, për këtë luftë besimi, që nuk është si lojërat e luftës me plumba gome. Bëhet fjalë për përjetësinë. Romakëve 8:13 është një varg kyç: “Sepse, po të jetoni sipas mishit, do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i vrisni veprat e trupit, do të jetoni.” Këto fjalë u janë shkruar atyre që rrëfenin se ishin të krishterë. Kuptimi i tyre është që jeta jonë e përjetshme varet nga beteja jonë me mëkatin. Kjo nuk do të thotë se ne e fitojmë jetën e përjetshme duke e vrarë mëkatin. Jo, ne luftojmë “me anë të Frymës”. Lavdinë do ta marrë Ai, jo ne.

Gjithashtu Romakëve 8:13 nuk do të thotë se ne luftojmë me një ndjesi ankthi dhe pasigurie për fitoren. Përkundrazi, edhe ndërsa luftojmë, kemi sigurinë që “ai që nisi një vepër të mirë në [ne], do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6). Gjithashtu nuk do të thotë se tani duhet të jemi të përsosur në fitoren kundër mëkatit. Pali hedh poshtë çdo pretendim përsosmërie: “Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po e ndjek prapa se mos e kap, sepse edhe unë u kapa nga Jezu Krishti” (Filipianëve 3:12).

Luftimi që kërkon Perëndia

Kërkesa e Romakëve 8:13 nuk është të qenët pa mëkat, por lufta që sjell vdekjen e mëkatit. Kjo është absolutisht thelbësore në jetën e krishterë, përndryshe s’japim asnjë provë që mishi është kryqëzuar. Nëse mishi nuk është kryqëzuar, nuk i përkasim Krishtit (Galatasve 5:24). Rreziqet në këtë betejë janë tepër të larta. Nuk po luajmë luftërash. Përfundimi është qielli ose ferri.

Si munden, pra, të vdekurit që “t’i vrasin veprat (e mëkatshme) të trupit”? Jemi përgjigjur: “me anë të besimit!” Çfarë do të thotë kjo? Si ta luftosh mëkatin me anë të besimit?

Le të supozojmë se jam i tunduar nga epshi. Në mendje më vjen një imazh seksual, i cili më ndjell që ta ndjek nga pas. Ky tundim e gjen fuqinë e tij duke më bindur të besoj se do të jem më i lumtur, nëse e ndjek nga pas. Fuqia e çdo tundimi është premtimi se do të të bëjë më të lumtur. Askush nuk mëkaton i nisur nga ndjenja e detyrës, kur çka vërtet dëshiron, është të bëjë gjënë e duhur.

“Besimi nuk është thjesht të besuarit që Krishti vdiq për mëkatet tona, por gjithashtu që Ai është shumë herë më i mirë se mëkati.”

Çfarë duhet të bëj, pra? Disa njerëz do të thonin: “Mbaj mend që Perëndia urdhëron të jemi të shenjtë (1 e Pjetrit 1:16) dhe ushtroje vullnetin tënd për t’u bindur sepse Ai është Perëndi!” Megjithatë, në këtë këshillë mungon diçka thelbësore: besimi. Shumë njerëz përpiqen të arrijnë përmirësim moral, por s’mund të thonë: “por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin...” (Galatasve 2:20). Shumë njerëz përpiqen të duan, por nuk e kuptojnë se ajo që ka vlerë, është “besimi që vepron me anë të dashurisë” (Galatasve 5:6). Lufta kundër epshit (lakmisë, frikës apo çdo tundimi tjetër) është një luftë besimi. Përndryshe rezultati është legalizëm. 

Ta luftosh mëkatin me anë të Frymës

Kur vjen tundimi për të shkuar pas epshit, Romakëve 8:13 thotë: “Nëse e vret mëkatin me anë të Frymës do të jetosh.” Me anë të Frymës! Çfarë do të thotë kjo? Nga i gjithë armatimi që Perëndia na jep për të luftuar satanin, vetëm një pjesë përdoret për të vrarë: shpata, dhe quhet shpata e Frymës (Efesianëve 6:17). Prandaj, kur Pali thotë: “Vrite mëkatin me anë të Frymës”, unë e kuptoj kështu: “Mbështetu te Fryma, veçanërisht në shpatën e Tij.”

Çfarë është shpata e Frymës? Ajo është fjala e Perëndisë (Efesianëve 6:17). Ja ku hyn në lojë besimi: “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Romakëve 10:17). Fjala e Perëndisë e çan mjegullën e gënjeshtrave të satanit dhe më tregon se ku duhet ta gjej lumturinë e vërtetë dhe që zgjat. Prandaj, Fjala më ndihmon të mos i besoj më potencialit të mëkatit për të më bërë të lumtur, por përkundrazi më josh që të besoj në premtimin e Perëndisë për gëzimin (Psalmi 16:11).

Vras mendjen sa shumë besimtarë sot e kuptojnë që besimi nuk është thjesht të besosh se Krishti vdiq për mëkatet tona. Besimi është gjithashtu të qenët i sigurt që udha e Tij është më e mirë se mëkati. Vullneti i Tij është më i mençur. Ndihma e Tij është më e sigurt. Premtimet e Tij janë më të çmuara dhe shpërblimi i Tij është më përmbushës. Besimi nis me një vështrim pas te kryqi, por jeton me shikimin përpara drejt premtimeve të Perëndisë. Abrahami “u forcua në besim... plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar, ishte edhe i fuqishëm ta bënte” (Romakëve 4:20-21). “Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen” (Hebrenjve 11:1).

Kur besimi ka përparësinë në zemrën time, unë jam i kënaqur me Krishtin dhe me premtimet e Tij. Këtë donte të thoshte Jezusi kur tha: “ai që beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje” (Gjoni 6:35). Nëse etja ime për gëzim, kuptim dhe pasion kënaqet nga prania dhe premtimet e Krishtit, fuqia e mëkatit thyhet. Nuk i dorëzohemi ofertës së sanduiçit me mish kur e shohim biftekun, që po piqet në skarë.

Kënaqësia e vret mëkatin

“Nëse etja ime për gëzim, kuptim dhe pasion kënaqet nga prania dhe premtimet e Krishtit, fuqia e mëkatit thyhet.”

Lufta e besimit është lufta për të qëndruar i kënaqur me Perëndinë: “Me anë të besimit Moisiu... [refuzoi] të gëzonte për njëfarë kohe dëfrimet e mëkatit... sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi” (Hebrenjve 11:24-26). Besimi nuk është i kënaqur me “kënaqësitë kalimtare”. Ai është i etur për gëzim dhe fjala e Perëndisë thotë: “Ka plot gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:11). Prandaj, besimi nuk do të shpërqendrohet për të hyrë në mëkat. Nuk do të heqë dorë aq kollaj nga kërkimi i tij për gëzim maksimal.

Roli i fjalës së Perëndisë është që të kënaqë oreksin e besimit për Perëndinë. Kështu ajo zvjerdh zemrën time nga shija mashtruese e epshit. Në fillim, epshi nis të më mashtrojë duke më bërë të ndihem sikur në të vërtetë do të humbas kënaqësi të mëdha, nëse ndjek shtegun e pastërtisë, por pastaj kap shpatën e Frymës dhe nis të luftoj.

Lexoj që është më mirë ta nxjerr syrin tim se të ndjek epshin (Mateu 5:29). Lexoj që nëse mendoj për gjëra të pastra, të dashura dhe me famë të mirë, paqja e Perëndisë do të jetë me mua (Filipianëve 4:7-8). Lexoj që nëse e vendos mendjen në gjërat e mishit, kjo do të më sjellë vdekje, por nëse e vendos mendjen në gjërat e Frymës, kjo më sjell jetë dhe paqe (Romakëve 8:6). Ndërsa lutem që besimi im të kënaqet me jetën dhe paqen e Perëndisë, shpata e Frymës ia çjerr maskën helmit të epshit. Kështu e shoh në realitet. Me hirin e Perëndisë, fuqia e tij joshëse thyhet.

Besim që sheh përpara

Kështu luftojnë të vdekurit me mëkatin. Kjo do të thotë të jesh i krishterë. Kuptimi i të qenët të vdekur është që vetja e vjetër mosbesuese (mishi) ka vdekur. Në vend të tij është një krijesë e re. Ajo çfarë e bën të re është besimi. Jo vetëm një besim që sheh pas te vdekja e Jezusit, por edhe një besim që sheh përpara te premtimet e Jezusit. Jo vetëm të jesh i sigurt për atë që Ai bëri, por gjithashtu të jesh i kënaqur me atë që Ai do të bëjë.

Duke qenë se rrezikohet gjithë përjetësia, ne luftojmë luftën e besimit. Armiku ynë kryesor është gënjeshtra, që thotë se mëkati do të na e bëjë të ardhmen më të lumtur. Arma jonë kryesore është e vërteta, që thotë se Perëndia do ta bëjë të ardhmen tonë më të lumtur. Besimi është fitorja që e mund gënjeshtrën, për shkak se besimi kënaqet me Perëndinë.

“Sfida nuk është thjesht që të bësh atë që Perëndia thotë për shkak se Ai është Perëndi, por të dëshirosh atë që Perëndia thotë për shkak se ajo është e mirë.”

Sfida para nesh nuk është thjesht që të bësh atë që Perëndia thotë për shkak se Ai është Perëndi, por të dëshirosh atë që Perëndia thotë për shkak se ajo është e mirë. Sfida nuk është thjesht që të ndjekim drejtësinë, por që të parapëlqejmë drejtësinë. Sfida është që të zgjohemi në mëngjes dhe me lutje të meditojmë mbi Shkrimin, derisa të përjetojmë gëzim dhe paqe në besimin e “premtimeve shumë të mëdha dhe të çmuara” të Perëndisë (Romakëve 15:13, 2 e Pjetrit 1:4). Duke qenë se para nesh qëndron gëzimi, urdhërimet e Perëndisë nuk do të jenë të vështira (1 e Gjonit 5:3), dhe shpërblimi i mëkatit do të duket tepër i shkurtër dhe tepër i cekët për të na joshur.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org, si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Tre prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqipe: Mos e shko dëm jetënPesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë dhe Virusi Korona dhe Krishti.


Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/sin-will-never-make-you-happy
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim