janar

Janar 2022                                                                      


Shpesh kam thënë: “Librat nuk i ndryshojnë njerëzit, paragrafët po–ndonjëherë edhe fjalitë.”

Ndoshta kjo shprehje nuk është e drejtë të thuhet për librat, përderisa paragrafët vijnë te ne përmes tyre dhe shpesh ato e marrin fuqinë prej kontekstit që kanë në libër. Gjithsesi ideja qëndron sërish: Një fjali apo një paragraf mund të zërë vend fuqishëm në mendjen tonë aq sa ka efekt të pamasë, kur që gjithçka tjetër harrohet.

Ndoshta vlen që ta ilustroj këtë me dy libra nga Jonathan Edwards, të cilët më kanë ndikuar më tepër se çdo libër tjetër. Paragrafët e tyre kyç dhe mësimet që marrim prejt tyre janë më poshtë. Pjesën më të madhe të përmbajtjes së tyre e kam harruar me kohë (por kush e di se çfarë ka mbetur në pavetëdijen time dhe po ushtron ndikim të fortë?)

1. Synimi për të cilin e krijoi Perëndia botën

Përveç Biblës, ky mund të jetë libri që ka pasur më tepër ndikim nga të gjithë librat që kam lexuar. Ndikimi i tij ishte i pandashëm që kur i lexova në pasqyrën e lëndës të kursit “Uniteti i Biblës” me Daniel Fuller në seminarin teologjik. Ka dy të vërteta masive, të cilat u çimentuan për mua. E para:

Gjithçka që është folur ndonjëherë në Shkrim, në lidhje me synimin përfundimtar të veprave të Perëndisë, përmblidhet në një frazë: lavdia e Perëndisë. (Yale, Vëll. 8, f. 526)

Libri ishte një ortek Shkrimi, i cili demonstronte një prej bindjeve që pati më tepër ndikim në jetën time: Perëndia bën gjithçka për lavdinë e Tij. Pastaj vjen përfundimi jetëndryshues:

Në njohjen, vlerësimin, dashurinë, ngazëllimin dhe lavdërimin e Perëndisë nga krijesa, shfaqet dhe pranohet lavdia e Perëndisë; pranohet dhe kthehet plotësia e Tij. Këtu ka një burim dhe një rikthim. Shkëlqimi ndriçon mbi dhe brenda krijesës, dhe pastaj reflektohet pas te ndriçuesi. Rrezet e lavdisë vijnë nga Perëndia, ato janë prej Perëndisë dhe pastaj rikthehen pas sërish te burimi i tyre origjinal. Kështu tërësia është nga Perëndia, në Perëndinë, dhe për Perëndinë; Perëndia është fillimi, mesi dhe fundi në gjithçka. (Yale, Vëll. 8, f. 531)

Për mua kjo ishte thjesht e bukur. Ishte marramendëse, si një tablo e madhështisë së Perëndisë. Pati më shumë ndikim sepse rreshti i fundit është një jehonë e qartë e Romakëve 11:36: “Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe ndaj tij janë të gjitha. Lavdi atij përjetë! Amen!”

Gjithsesi, ndikimi qendror dhe jetëndryshues ishte fjalia: “Në njohjen, vlerësimin, dashurinë, ngazëllimin dhe lavdërimin e Perëndisë nga krijesa, shfaqet dhe pranohet lavdia e Tij.” Ose në mënyrë më specifike: “Në ngazëllimin e krijesës në Perëndinë, shfaqet lavdia e Tij.” Lavdia e Perëndisë shfaqet në faktin që unë jam i lumtur në Të. Apo siç thotë edhe Edwards: “Lumturia e krijesës konsiston në ngazëllimin e saj në Perëndinë, sepse përmes këtij ngazëllimi gjithashtu madhërohet dhe lartësohet Perëndia” (Yale, Vëll. 8, f. 442.) Nëse mosqenia plotësisht i lumtur vetëm në Perëndinë do të thotë se po ia vjedhim Atij lavdinë, atëherë gjithçka ndryshon.

Ky ka qenë mesazhi unifikues për jetën time: Perëndia përlëvdohet më tepër në ne, kur ne kënaqemi më tepër në Të.

2. Liria e vullnetit

Ky ishte një libër që të lë pa frymë. Shtrirja dhe mprehtësia e argumentit të tij e bënë të ishte një nga librat më kërkues që kam lexuar ndonjëherë. David Well e quan një libër vendimtar: Mënyra se si e gjykon këtë argument, vendos se nga shkojnë të gjitha rrjedhat e jetës tënde. Gjykimi im ishte: bindës në mënyrë të parezistueshme. Ja cila ishte fjalia përmbledhëse e paharrueshme: 

Gjykimi moral i Perëndisë mbi njerëzimin, fakti që Ai i trajton ata si agjentë moralë, duke i bërë ata objekte të urdhërimeve, këshillave, thirrjeve, paralajmërimeve, mosaprovimeve, premtimeve, kërcënimeve, shpërblimeve dhe ndëshkimeve të Tij, nuk është në mospërputhje me një orkestrim përcaktues të të gjitha ngjarjeve të çdo lloji, në tërë gjithësinë, në provaninë e Tij; ose përmes veprimtarisë së Tij ose përmes lejimit. (Yale, Vëll. 1, f. 431)

Perëndia i qeveris të gjitha ngjarjet e çdo lloji, përfshirë edhe veprat e mia të vullnetshme, por në një mënyrë të tillë që unë të jem ende përgjegjës për shpërblimet dhe ndëshkimet. Sovraniteti i Tij dhe llogaridhënia ime pajtohen me njëra-tjetrën. Rrjedhojat për këtë janë të mëdha.

Teksa përpiqesha ta kuptoja këtë, një nga zbulimet më të rëndësishme ishte dallimi që Edwards bën mes paaftësisë së natyrshme dhe morale për të bërë diçka. Ja paragrafi kyç:

Thuhet se ne jemi natyrshëm të paaftë për të bërë diçka, që nuk mund ta bëjmë dot. Kjo për shkak se ajo që në mënyrën më të zakonshme quhet natyrë, nuk e lejon, ose për shkak të ndonjë defekti apo pengese të pakalueshme që ekziston në vullnet; si në aftësinë e të kuptuarit, në gjendjen e trupit, apo nga objektet e jashtme. Paaftësia morale nuk konsiston në ndonjërën prej këtyre gjërave; por përkundrazi qëndron në mungesën e prirjes; apo në forcën e një prirjeje të kundërt; ose në mungesën e motiveve të mjaftueshme, për t’i dhënë shtysën dhe për ta nxitur veprimin e vullnetit, apo fuqinë e motiveve qartësisht të kundërta. (Yale, Vëll. 1, f. 159)

Nëse jemi natyrshëm të paaftë për të bërë diçka, nuk na kërkohet llogari që ta bëjmë (si në rastin kur duhet të përpiqemi të ngrihemi nga karrigia, nëse duam, por nuk mundemi pasi jemi të lidhur me një zinxhir), por nëse jemi të paaftë nga ana morale për ta bërë diçka, jemi ende përgjegjës për ta bërë (si për shembull, respektimi i ligjit të Perëndisë, edhe pse nuk mundemi për shkak se e urrejmë këtë gjë). Ky zbulim ishte kritik në të kuptuarit e Romakëve 8:7 (“Mendja e mishit është armiqësi ndaj Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet”) dhe 1 e Korintasve 2:14 (“Dhe njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë”)

Ndërsa hedh vështrimin pas në jetën time dhe në atë që kam qenë në gjendje të shoh dhe të shijoj në fjalën e Perëndisë, jam mirënjohës për paragrafë dhe fjali të jashtëzakonshme, si dhe për njerëzit që i shkruajtën, të cilëve Perëndia u dha urtësinë. Në këtë rast, e falënderoj Perëndinë për Jonathan Edwards.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh.


Përktheu: Asim Hamza| Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/books-dont-change-people-paragraphs-do  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim