artikulli

Prill 2022


Ndikimi i Agustinit në botën perëndimore është thjesht mahnitës.

Benjamin Warfield-i argumentoi se përmes shkrimeve të tij, Agustini “hyri si në Kishë, ashtu edhe në botë si një forcë revolucionare dhe krijoi jo thjesht një epokë në historinë e Kishës, por... përcaktoi rrjedhën e historisë së saj në Perëndim deri në ditët e sotme” (Calvin and Augustine, 306). Botuesit e revistës Christian History shprehen se: “Pas Jezusit dhe Palit, Agustini i Hipos është figura më me ndikim në historinë e krishterimit” (Vëll. VI, Nr. 3, f. 2).

Tenxherja me presion

Agustini lindi në Thagaste, afër Hipos, aty ku sot është Algjeria, më 13 nëntor 354. Babai i tij, Patricius-i, një fermer me të ardhura mesatare, punoi shumë për t’i dhënë Agustinit arsimin më të mirë në retorikë, fillimisht në Madaura, tridhjetë kilometra larg qytetit të tyre nga mosha njëmbëdhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjeç. Pastaj, pas një viti në shtëpi shkoi në Kartagjenë dhe qëndroi atje nga mosha shtatëmbëdhjetë deri në njëzet vjeç.

Para se Agustini të nisej për në Kartagjenë për të studiuar për tre vjet, nëna e tij e paralajmëroi me zell “të mos kryente kurvëri dhe mbi të gjitha të mos joshte bashkëshorte e dikujt tjetër”. Por Agustini më vonë do të shkruante kështu në Rrëfimet e tij: “Shkova në Carthage, ku e gjeta veten në mes të një tenxhereje me presion epshi... Nevoja ime e vërtetë ishte për ty, Perëndia im, që je ushqim i shpirtit. Nuk isha i vetëdijshëm për këtë uri” (55). Ai mori një konkubinë në Karatgjenë, jetoi me këtë grua për pesëmbëdhjetë vjet dhe pati një djalë prej saj, Adeodatus.

Augustini u bë një mësues tradicional i retorikës për njëmbëdhjetë vitet e ardhshme të jetës së tij, nga mosha nëntëmbëdhjetë deri në tridhjetë vjeç.

Me Ambrosin në Milano

Në moshën njëzet e nëntë vjeçare, Agustini u zhvendos nga Kartagjena në Romë për të dhënë mësim, por ishte aq i mërzitur nga sjellja e studentëve, saqë u transferua në një post mësimdhënës në Milano në vitin 384. Aty do të takonte peshkopin e madh, Ambrosin.

Agustini, i cili në atë kohë kishte përqafuar vizionin platonik të realitetit, u skandalizua nga mësimi biblik se “Fjala u bë mish” (Gjoni 1:14). Megjithatë, çdo javë ai dëgjonte predikimin e Ambrosit. “Isha gjithë sy e veshë për të kapur elokuencën e tij. Fillova gjithashtu të ndieja të vërtetën e asaj që ai tha, edhe pse gradualisht” (Rrëfimet, 108). Përfundimisht, Agustini e kuptoi se ajo që e pengonte nuk ishte diçka intelektuale, por epshi seksual: “Unë ende mbahesha i lidhur fort pas dashurisë së gruas” (Rrëfimet, 168).

Prandaj, beteja do të përcaktohej nga lloji i kënaqësisë që do të triumfonte në jetën e tij. “Fillova të kërkoja një mjet për të fituar forcën që më duhej për të të shijuar Ty, por nuk munda ta gjeja këtë mjet derisa përqafova ndërmjetësin midis Perëndisë dhe njerëzve, Jezu Krishtin” (Rrëfimet, 152).

Një përleshje e ashpër

Pastaj erdhi një nga ditët më të rëndësishme në historinë e kishës. Kjo histori është thelbi i Rrëfimeve të tij dhe një nga veprat e mëdha të hirit në të gjithë historinë. Çfarë beteje që ishte!

Kjo ditë ishte më e ndërlikuar nga sa tregohet, por për të shkuar në zemër të betejës, le të  përqendrohemi te kulmi i saj. Ishte fundi i gushtit të vitit 386. Agustini ishte gati tridhjetë e dy vjeç. Me mikun e tij më të mirë, Alypius-in, ai po fliste për sakrificën dhe shenjtërinë e jashtëzakonshme të Antonit, një murg egjiptian. Agustini u thumbua nga skllavëria e tij shtazore ndaj epshit, kur të tjerët ishin të lirë dhe të shenjtë në Krishtin.

Kishte një kopsht të vogël ngjitur me shtëpinë ku qëndruam... Aty e gjeta veten të mbytur nga shqetësimi në kraharor për t’u strehuar në këtë kopsht, ku askush nuk mund ta ndërpriste atë përleshje të ashpër në të cilën kisha veten kundërshtar... Isha me veten time në mes të një çmendurie që do të më sillte në gjendjen normale. Po vdisja një vdekje që do të më sillte jetë... Isha i tërbuar, i pushtuar nga zemërimi i dhunshëm me veten time që nuk pranova vullnetin tënd dhe nuk hyra në besëlidhjen tënde... Shkula flokët dhe i rashë ballit me grushte; bashkova gishtat dhe përqafova gjunjët. (Rrëfimet, 170–71)

Por ai filloi të shihte më qartë se fitimi ishte shumë më i madh se sa humbja dhe me një mrekulli hiri filloi të dallonte bukurinë e dëlirësisë në praninë e Krishtit.

Ato që më frenuan ishin gjërat e vogla... Ato më pickuan rrobën prej mishi dhe më pëshpëritën: “A do të na largosh? Nga ky moment, ne nuk do të jemi më me ty, kurrë më.” ...Dhe ndërsa po qëndroja duke u dridhur te gardhi, në anën tjetër mund të shihja bukurinë e dëlirë të Vetëpërmbajtjes, në gjithë gëzimin e saj të qetë e të panjollë, ndërsa ajo, me modesti, më bëri shenjë të kaloja dhe të mos hezitoja më. Ajo zgjati duart e dashura për të më mirëpritur dhe për të më përqafuar. (Rrëfimet, 175–76)

“Merre dhe lexo”

Pra tani beteja po ndodhte mes bukurisë së pastërtisë dhe butësisë së dashurisë kundrejt vogëlsirave që pickonin mishin e tij.

U lëshova poshtë një peme fiku dhe u dhashë shfrim të lirë lotëve që tani po më rridhnin nga sytë.... Në mjerimin tim, vazhdova të qaja: “Deri kur do të vazhdoj të them “nesër, nesër”? Pse jo tani? Pse të mos u jap fund mëkateve të mia të shëmtuara në këtë çast?” (Rrëfimet, 177)

Në mes të të qarave, Agustini dëgjoi zërin e një fëmije që këndonte: “Merre dhe lexo. Merre dhe lexo.”

Në këtë çast, ngrita sytë duke u menduar thellë nëse kishte ndonjë lloj loje në të cilën fëmijët përsëritnin fjalë të tilla, por nuk mbaja mend t’i kisha dëgjuar ndonjëherë më parë. E ndala vërshimin e lotëve dhe u ngrita në këmbë, duke i thënë vetes se ky mund të ishte vetëm një urdhër hyjnor që të hapja librin tim të Shkrimit të Shenjtë dhe të lexoja fragmentin e parë tek i cili do të më shkonin sytë. (Rrëfimet, 177).

Kështu Agustini mori librin e tij, shfletoi faqet e letrave të Palit dhe sytë i ndalën vështrimin te Romakëve 13:13-14: “Jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe në shthurje, jo në grindje e në smirë. Por vishni Zotin Jezu Krisht dhe mos u kujdesni për mishin, që t’i plotësoni epshet.”

“Nuk kisha dëshirë të lexoja më tepër dhe as nuk ishte e nevojshme”, shkroi ai. “Sepse në një çast, ndërsa arrita në fund të fjalisë, u duk sikur drita e sigurisë vërshoi në zemrën time dhe e gjithë errësira e dyshimit u shpërnda” (Rrëfimet, 178).

Peshkopi i Hipos

Ai u pagëzua Pashkën e ardhshme nga Ambrosi, në vitin 387, në Milano. Atë vjeshtë i vdiq nëna, një grua shumë e lumtur, sepse djali për të cilën ajo ishte lutur me lot, ishte i sigurt në Krishtin. Në vitin 388 (pothuajse në moshën tridhjetë e katër vjeçare), ai u kthye në Afrikë me synimin për të krijuar një lloj manastiri për të dhe miqtë e tij, të cilët i quante “shërbëtorë të Perëndisë”. Agustini kishte hequr dorë nga çdo ëndërr për martesë dhe iu përkushtua beqarisë dhe varfërisë–domethënë, jetës së përbashkët me të tjerët në komunitet. Ai shpresonte për një jetë me reflektim filozofik si murg.

Gjithsesi, Perëndia kishte plane të tjera. Djali i Agustinit, Adeodatusi, vdiq në vitin 389. Ëndrrat për t’iu kthyer një jete të qetë në vendlindjen e tij, në Thagaste, avulluan nën dritën e përjetësisë. Agustini e kuptoi se mund të ishte një zgjedhje më strategjike zhvendosja e komunitetit të tij monastik në qytetin më të madh të Hipos. Ai zgjodhi Hipon sepse ata kishin tashmë një peshkop, kështu që kishte më pak mundësi që ta shtynin për ta marrë atë rol. Por i bëri llogaritë gabim. Kisha erdhi te Agustini dhe me pak fjalë e detyroi të bëhej prifti dhe më pas peshkopi i Hipos, ku dhe qëndroi për pjesën tjetër të jetës së tij.

Dhe kështu, si shumë të tjerë në historinë e kishës të cilët lanë gjurmë të qëndrueshme, (në moshën tridhjetë e gjashtë vjeçare), ai kaloi nga një jetë përsiatjeje në një jetë veprimi. Agustini krijoi një manastir në truallin e kishës dhe për gati dyzet vjet ngriti një grup priftërinjsh dhe peshkopësh të pajisur biblikisht, të cilët u caktuan përreth kontinentit, duke sjellë kështu përtëritjen e kishave. Gjatë rrugës, ai mbrojti doktrinën ortodokse nga sulme të rënda dhe shkroi disa nga librat më me ndikim në historinë e krishterimit, duke përfshirë Rrëfimet , Mbi Doktrinën e Krishterë (“On Christian Doctrine”), Mbi Trinitetin (“On the Trinity”) dhe Qyteti i Perëndisë (“The City of God”).

Mjellma nuk është e heshtur

Kur Agustini e dorëzoi udhëheqjen e kishës së tij në vitin 426, katër vjet para se të vdiste, pasardhësi i tij u pushtua nga një ndjenjë pamjaftueshmërie. “Mjellma ka heshtur,” tha ai, nga frika se zëri i gjigantit frymëror do të humbiste me kalimin e kohës.

Por mjellma nuk ka heshtur–as në vitin 426, as në 2018 dhe as në shekujt mes tyre. Për 1600 vjet, zëri i Agustinit ka vazhduar t’u bëjë thirrje mëkatarëve të uritur të ushqehen me gëzimin çlirues dhe sovran të Jezu Krishtit:

Sa e ëmbël ishte për mua të shpëtoja menjëherë nga ato gëzime të pafrytshme që dikur kisha frikë t’i humbisja! ...Ti i largove ato nga unë, Ti që je gëzimi i vërtetë dhe sovran. Ti i largove nga unë dhe zure vendin e tyre, Ti që je më i ëmbël se çdo kënaqësi, edhe pse jo për mishin dhe gjakun, Ti që ndriçon më shumë se çdo dritë, por je fshehur në zemrat tona më thellë se çdo sekret, Ti që ia kalon çdo nderimi, edhe pse jo në sytë e njerëzve që shohin çdo nderim në veten e tyre. ...O Zot, Perëndia im, Drita ime, Pasuria ime dhe Shpëtimi im. (Rrëfimet, 181)


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Katër prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika–Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, Virusi Korona dhe Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh.


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje:  https://www.desiringgod.org/articles/pleasure-set-him-free-from-sexual-sin  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim