prill 5

Prill 2022


Shpëtimi është siguruar për të gjithë ata që janë shkruar në librin e jetës.

Arsyeja është se ky libër quhet “libri i jetës së Qengjit, që është therur”. Emrat e shkruar në këtë libër nuk janë ruajtur në bazë të veprave të tyre. Ata shpëtohen mbi bazën e Krishtit, që u ther.

Gjithsesi, te Zbulesa 20:12, Gjoni thotë: “Dhe pashë të vdekurit, të vegjël e të mëdhenj, që qëndronin para Perëndisë, dhe librat u hapën; dhe një libër tjetër u hap, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre.” Si atëherë regjistrimi i jetës tonë “në libra”, paska një rol në gjyqin e fundit, nëse ne shpëtohemi mbi bazën e Krishtit, që u ther?

Përgjigjja është se librat, që regjistrojnë veprat tona, përmbajnë prova të mjaftueshme që ne i përkasim Krishtit dhe ato funksionojnë si konfirmim publik i besimit tonë dhe i bashkimit tonë me Krishtin.

Ki parasysh atë që thotë Zbulesa 21:27: “Edhe nuk do të hyjë në të (në Jerusalemin e Ri) asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës së Qengjit.” Në këtë rast, rezultati i të qenët i shkruar në “librin e jetës” është jo vetëm që nuk do të humbasësh, por edhe që nuk do të kryesh sjellje të neveritshme e mëkatare.

Për shembull, mendo për hajdutin në kryq. Jezusi tha se ai do të hynte në parajsë (Luka 23:43). Pyetja është si do të jetë gjykimi për të kur të hapen librat? Mëkati do të karakterizojë 99.9% të jetës së tij.

Shpëtimi i tij do të sigurohet nga gjaku i Krishtit. Emri i tij do të jetë në librin e jetës së Qengjit, që u ther.

Atëherë Perëndia do të hapë librat. Së pari, Ai do të përdorë regjistrimin e mëkatit për gjithë jetën për t’i dhënë lavdi flijimit suprem të Birit të Tij. Së dyti, Perëndia do ta lexojë faqen e fundit ku është regjistruar transformimi dramatik i hajdutit në kryq. Puna e Perëndisë në jetën e tij, e regjistruar në libra për ditën e fundit, do të jetë konfirmimi publik i besimit të hajdutit dhe i bashkimit të tij me Krishtin. Krishti do të jetë baza e shpëtimit të tij, jo veprat e tij.

Prandaj, kur them se çfarë është shkruar në libra, është një konfirmim publik i besimit dhe i bashkimit tonë me Krishtin, nuk po them se regjistrimi do të përmbajë më tepër vepra të mira sesa të liga.

Atje do të jetë regjistrimi i asaj lloj jete në Krishtin që tregon realitetin e besimit—realitetin e rilindjes dhe bashkimit me Krishtin. Kjo është mënyra për ta nisur ditën, si të krishterë: të sigurt që dënimi tashmë ka shkuar (Romakëve 8:1), që emri ynë është shkruar në librin e jetës dhe Ai që nisi një punë të mirë në ne, do ta përfundojë atë deri në ditën e Krishtit.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>