Korrik 2022
Oborri im është i mbushur me barëra tmerrësisht të këqija me ngjyrë të verdhë. Po, luleradhiqe. Kur isha fëmijë ishte gallatë të shkulja një lule të bardhë, ta ngrija sipër dhe ta fryja. Pushi shpërndahej në ajër dhe pastaj binte në bar. Në atë kohë, nuk e dija se po e shpërndaja bimën e egër e pushtuese në barin e mirëkuruar. Tani që kam shtëpinë time dhe kopshtin tim, çdo fundjavë i shkul këto barëra të këqija që duken se shpërndahen, pavarësisht nga çfarë përpiqem të bëj unë për t’i ndaluar.
Luleradhiqet shumëfishohen dhe shpërndahen, ashtu si ungjilli. Mendo për një çast se si lajmi i Jezusit shpërndahej kudo ku shkonte (Marku 1:21-28, 40-45; 5:1-20). Pavarësisht përpjekjeve më të mira të Jezusit për ta qetësuar zhurmën, fama dhe shërimet e tij u shpërndanë kudo. Ishte si luleradhiqja që shpërndahet me erën dhe zë rrënjë kudo që fluturon. Ungjilli udhëton ashtu, nga njëri person në tjetrin, nga një familje te tjetra dhe nga një komunitet në një tjetër.
Fjala e Perëndisë shpërndahet kështu, me ritmin e vet, në historinë e Veprave:
- “Por fjala e Perëndisë rritej dhe shumohej.” (Veprat 12:24)
- “Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend.” (Veprat 13:49)
- “Kështu fjala e Zotit shtohej dhe forcohej fuqishëm.” (Veprat 19:20)
Atëherë, nëse fjala e Perëndisë–lajmi i mirë i Jezu Krishtit–trashëgon fuqinë për t’u rritur e për t’u shumuar përmes punës së Frymës së Shenjtë, përse është ungjillëzimi kaq i vështirë? Përse nuk e ndajmë ungjillin më shumë? Duhet të pyesim nëse jemi era e freskët që shkakton shpërndarjen e lajmit të mirë, apo jemi pengesa që nuk e lejojmë të shkojë më tej dhe më shpejt. Fatkeqësisht, shumë prej nesh janë më tepër mur sesa fllad. Por përse?
Katër pengesa për ungjillëzimin
- Mungesa e njohjes së Ungjillit
Sa herë e ke dëgjuar ungjillin në një predikim, në një libër apo në një bisedë? Nëse ke qenë i krishterë, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, me shumë mundësi e ke dëgjuar ungjillin qindra herë. Sidoqoftë, shumë prej nesh ende mundohen për të artikuluar të vërtetat e ungjillit në një mënyrë të thjeshtë, koherente dhe të kuptueshme. A mund të ndash mesazhin thelbësor të ungjillit në gjashtëdhjetë sekonda, pikërisht tani?
- Apatia
Disa prej nesh nuk kanë shumë interes për njerëzit e humbur. Nuk do ta shprehnim me fjalë, por prioritetet dhe jetët tona e shfaqin atë. Nuk gjejmë kohë në oraret tona të ngjeshura për të bashkëvepruar dhe për t’u përfshirë me ata që nuk e njohin Krishtin. Kemi kohë që nuk lutemi për të humburit në lagjet tona dhe në vendet e punës. Ne nuk kemi miq jo të krishterë dhe nuk kemi pothuajse asnjë lidhje me ta. Të humburit kanë prioritet të ulët. Për shembull, kur ishte hera e fundit që ftove dikë në shtëpinë tënde, i cili nuk e njihte Krishtin?
- Frika
Çfarë do të mendojnë të tjerët për mua? Po sikur të mos u pëlqej unë apo familja ime? Disa njerëz paralizohen nga ideja se mund të mos pëlqehen, se mund t’i tallin apo t’i përqeshin. Kemi frikë se do të humbasim biznesin apo nuk do të na ngrenë në detyrë. Po sikur të mos i ftojnë më fëmijët e mi nëpër festa? Po sikur të folurit për Krishtin do të bëjë që fqinjët të më shohin si të çuditshëm? Po sikur të më fusin në një thes me Ned Flanders apo me kultin e kishës baptiste Westboro?
- Mungesa e dhembshurisë
Ne na mungon dhembshuria për të humburit. Prej kohësh kemi harruar çfarë do të thotë të jetosh pa shpresë, të humbur dhe larg Krishtit. Rrallëherë mendojmë për faktin se ata që nuk i binden Krishtit “do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e forcës së tij” (2 e Thesalonikasve 1:9). Nuk na intereson shumë! Mund të themi se na intereson, por rrallëherë i përgjërohemi Perëndisë për shpëtimin e fqinjëve, kolegëve apo shokëve tanë të klasës që janë të humbur. Dhembshuria e Palit, te Romakëve 9:3, është tërësisht e panjohur për ne: “do të doja të isha vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi”.
Ne i kapërcejmë pengesat së bashku, jo vetëm
Nëse bërja e dishepujve është misioni ynë (Mateu 28:18-20), si mund t’i kapërcejnë ndjekësit e Krishtit këto pengesa, në mënyrë që të jenë përçues të hirit për të humburit? Një nga mënyrat kryesore që të kapërcejmë mungesën e njohjes së ungjillit, apatinë, frikën dhe mungesën e dhembshurisë është duke u mbledhur me besimtarë të tjerë për të kujtuar dhe për të kultivuar thirrjen tonë thelbësore dhe bindjet tona.
Ne jemi njerëz që kemi vdekur për veten dhe jetojmë për Krishtin (Galatasve 2:20). Ne kemi privilegjin e thellë t’i nxisim besimtarët e tjerë të duan dhe të bëjnë veprat e mira që Perëndia ka caktuar para nesh (Hebrenjve 10:24; Efesianëve 2:10). Disa prej këtyre veprave të mira do të jenë dëshmia verbale e hirit të Perëndisë në jetët tona dhe në shpalljen e lajmit të mirë të Jezu Krishtit te të humburit.
Brenda kontekstit të komunitetit të krishterë, një besimtar tjetër mund të flasë dhe të na kujtojë të vërtetën që duhet të dëgjojmë. Dietrich Bonhoeffer e tha kështu:
Ne i flasim njëri-tjetrit në bazë të ndihmës që kemi nevojë. E këshillojmë njëri-tjetrin për të ecur në rrugën që Krishti na ka caktuar. Ne e paralajmërojmë njëri-tjetrin për mosbindjen që është shkatërrimi ynë i përbashkët. Jemi të butë dhe të ashpër me njëri-tjetrin, sepse e njohim edhe mirësinë edhe ashpërsinë e Perëndisë (Life Together, 106)
Të gjithë të krishterët kanë nevojë për besimtarë të tjerë që t’i ndihmojnë të rriten në të kuptuarit e ungjillit. Të gjithë kemi nevojë për njerëz në jetën tonë që nxisin në ne dhembshuri dhe zell më të madh për të dashur të humburit duke ndarë lajmin e mirë të Jezusit me dëshirë, me zell dhe me guxim. Ja katër mënyra si funksionon kjo në një komunitet.
Katër hapa për të ndarë më shumë
- Lutuni bashkë për të humburit
Kur të krishterët mblidhen në grupe të vogla apo në komunitete misionare, duhet ta bëjnë prioritet të luten për të humburit, përveç shqetësimeve normale në lutje. Te Veprat 4:23-31, pasi Pjetri dhe Gjoni lirohen nga burgu, dishepujt mblidhen për t’u lutur që Perëndia t’u jepte guximin për ta ndarë fjalën e tij. Nëse kisha e hershme kishte nevojë të lutej për zell dhe guxim më të madh në ungjillëzim, sa më tepër kemi nevojë ne të lutemi për këto në takimet tona?
Një mënyrë e thjeshtë për ta bërë këtë vazhdimisht, në një studim biblik apo në një grup të vogël, është ta përfundosh studimin me këtë pyetje: Cilat të vërteta mësuam për Perëndinë dhe me kë mund t’i ndajmë ato në sferën tonë të ndikimit? Kjo mund të kalojë lehtësisht në lutje për ata që kanë nevojë të njohin Krishtin në jetën tonë. Ndërsa lutemi që Perëndia të veprojë në jetën e miqve tanë të humbur, apatia transformohet në zell dhe gatishmëri për të komunikuar me të tjerët për hir të Krishtit.
- Kujtoni Ungjillin së bashku
Te 2 e Timoteut 2:8-13, Pali i kujton Timoteut të vërtetën e ungjillit për ta inkurajuar të këmbëngulë në besnikëri ndaj mesazhit që i është besuar. Nëse Timoteu–një student i Palit, një shërbëtor besnik, një pastor, predikues dhe mësues–kishte nevojë t’i kujtohet e vërteta e ungjillit për të vazhduar përpara, sa më tepër kemi nevojë ne të na kujtohen të vërtetat e përjetshme të ungjillit?
Pjesa më e madhe e kësaj ndodh në kontekstin e të mbledhurit së bashku me besimtarë të tjerë. Ndërsa njerëzit e Perëndisë rikujtojnë të vërtetat e tij–javë pas jave në shtëpi apo në takimet e adhurimit–ne luftojmë amnezinë e ungjillit duke i kujtuar njëri-tjetrit se misioni i Perëndisë është të shpëtojë mëkatarët përmes veprës së Birit të tij Jezus. Ndërsa i ripredikojmë vetes dhe njëri-tjetrit ungjillin, do të jemi më të përgatitur ta ndajmë me ata që janë pa Krishtin.
- Aplikoni Ungjillin së bashku
Te Galatasve 2:11-14, Pali kundërshton Pjetrin, sepse sjellja e tij nuk ishte në përputhje me ungjillin. Po ashtu, ne kemi nevojë për të krishterë të tjerë që do të na thonë se nuk është mirë të mos interesohemi për të humburit. Sjellje të tilla nuk janë në përputhje me ungjillin. Kur frika dhe apatia ekspozohen, ka një mundësi të re për të aplikuar ungjillin në jetët tona. Nëse kemi frikë se çfarë mund të thonë të tjerët, na kujtohet se identiteti ynë është në Krishtin dhe se jetët tona i përkasin atij. Nëse ne na mungon dhembshuria, ne qortohemi ndërsa mendojmë për dhembshurinë e thellë të Perëndisë për delet pa bari.
Ungjillëzimi është një matës i pjekurisë sonë shpirtërore. Për shumë njerëz, njohuria teologjike nuk përkthehet në fryte të Frymës–në dashuri për besimtarët, në shërbimin ndaj të tjerëve, në dhënien sakrifikuese apo edhe në ungjillëzimin. Së bashku në komunitet, ne ndihmojmë njëri-tjetrin të bëhemi më të ngjashëm me Krishtin, duke qenë dishepuj besnikë në bërjen e dishepujve.
- Provoni fuqinë e Ungjillit së bashku
Nëse nuk e besojmë mjaftueshmërinë e ungjillit, nuk do ta ndajmë kurrë me thjeshtësi dhe me guxim. Megjithatë, nëse vërtet besojmë se fjala e Perëndisë bën punën e konvertimit përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë, do ta ndajmë pa hezitim të vërtetën e thjeshtë dhe të pazbukuruar të ungjillit. Një ungjill i copëtuar dhe i pavërtetë do të braktiset shumë shpejt dhe nuk do të ndahet kurrë. Gjithsesi, një ungjill që mund të shpëtojë prej hirit nëpërmjet besimit–jo nga veprat–si dhuratë falas (Efesianëve 2:8-9) besohet, çmohet dhe shpallet me guxim.
Bashkë me besimtarë të tjerë, ne duhet t’i kujtojmë njëri-tjetrit mjaftueshmërinë e fjalës së Perëndisë për të bërë punën e tij për qëllimet e tij. Nëse kemi besim në aftësinë e ungjillit për të transformuar jetë, mund të shpallim me guxim dhe pa dallim këtë lajm të mirë, me dashuri sakrifikuese për të humburit, me shpresën se disa do të shpëtohen.
Steven Lee është pastori i Preaching&Vision në Kampusin verior të Bethlehem Baptist Church në Minneapolis, ku jeton me gruan, Stephanie dhe pesë fëmijët e tyre. Ai është diplomuar në Bethlehem College & Seminary.
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:
https://www.desiringgod.org/articles/four-reasons-we-dont-share-the-gospel
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022