spurgeon dev 03 dhjetor am
Dhjetor 2023

Nuk ka në ty asnjë të metë.

Kënga e Këngëve 4:7

Pasi ka pohuar që Kisha e Tij është vërtet plot me bukuri, Zoti ynë e konfirmon lavdërimin e Tij me anë të një mohimi të vyer: “Nuk ka në ty asnjë të metë.” Të duket sikur Dhëndrit i ka shkuar ndër mend se bota gërnjare mund të ngrinte pretendimin se Ai kishte theksuar vetëm pjesët e saj të hijshme dhe se nuk i kishte përmendur me kast ato tipare që ishin të shformuara apo të zvetënuara; me pak fjalë, Ai e shpall bukurinë e saj të gjithanshme e të gjithëmbarshme dhe krejtësisht pa të meta.

Nuk është aspak e vështirë ta heqësh një njollë dhe ajo është gjëja më e vogël që mund ta shpërfytyrojë bukurinë, por edhe nga kjo e metë e vogël, besimtari pastrohet përpara Zotit të tij. Nëse Ai do të kishte thënë se në të nuk ka asnjë cikatricë të shëmtuar, asnjë shformim të frikshëm dhe asnjë ulcerë vdekjeprurëse, ne edhe atëherë mund të ishim mahnitur nga fjalët e Tij; por kur Ai shpall se ajo nuk ka as të metën më të vogël, në këtë përfshihen të gjitha këto forma të tjera të zvetënimit, dhe kështu mahnitja jonë bëhet edhe më e thellë.

Edhe sikur thjesht të kishte premtuar se do t’i hiqte të gjitha të metat më vonë, prapëseprapë, ne do të kishim arsye të përjetshme për t’u gëzuar; por kur Ai thotë se tashmë e ka bërë një gjë të tillë, kjo na mbush me një ndjenjë të thellë kënaqësie dhe ëndjeje. O shpirti im, ja ku ke ushqim frymëror; përvetësoje atë si duhet, dhe kënaqu me gjellë mbretërore! 

Krishti Jezus nuk grindet me bashkëshorten e Vet. Ajo largohet shpesh prej Tij dhe e trishton Frymën e Tij të Shenjtë, por Ai nuk i lë fajet e saj që ta ndikojnë dashurinë e Tij.

Ndonjëherë Ai e qorton, por gjithnjë e bën këtë me butësi, me qëllimet më të mira të mundshme: edhe në ato raste e quan “mikja ime”. Marrëzitë tona nuk kujtohen më. Ai nuk ushqen mendime të këqija për ne, por na fal dhe na do njëlloj pas shkeljes, si edhe përpara saj.

Në qoftë se Jezusi do t’i merrte parasysh shkeljet po aq sa i marrim ne, atëherë si do të mund të kishte vallë përbashkësi me ne? Ndodh shumë shpesh që ndonjë besimtari t’i mbetet hatri me Perëndinë për ndonjë ndryshim të vogël të provanisë, por Bashkëshorti ynë i shtrenjtë i njeh me rrënjë e me degë zemrat tona të marra, prandaj edhe nuk fyhet nga sjellja jonë e paedukatë.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/jesus-christ-lamb-god
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>